Një amerikane “celebrohet’ në Qafën e Martës!  

Një amerikane “celebrohet’ në Qafën e Martës!  

Nga Hajri Nuhu

 

Në fakt është një histori e pazakontë. Nuk bën pjesë tek ato veprime që “stisin patriotizmin folkorik”.  Një veprim i bukur dhe i natyrshëm i dy të rinjve. Njëri është personazh i njohur “vetëm nga mbiemri”. Evis Tërpollari, një nga ata të rinj që shkeli “në tokën e premtuar”, në SHBA në vitin 1996. Ai ka mbaruar universitetin për Biologji dhe më vonë masterin për Punë Sociale. Një djalë nga ata që i bën nder vendit ku u lind e u rrit. Një i ri nga ata që sa më shumë dëgjosh për të, gëzohesh dhe kërkon të harrosh një Çast, vetëm një Çast kronikat e zeza…

 

 

 

Evisi është djali i një Çifti të model,i dy qytetarëve shembullorë. Eshtë një nga dy djemtë e inxhinier Ibrahim Tërpollarit  dhe i edukatores dhe mësuese, Mjafonisë.

 

Evisi vjen në Shqipëri se e do këtë vend. Erdhi edhe këtë radhë. Po ndryshe. Erdhi me Bimin dhe Mjaftoninë, por edhe me një të dashur nga vendi përtej oqeanit. Ishte Megi (Miagi Xhekobs), një vajzë e mirëarsimuar.

 

 

Ajo ka mbaruar për Comunication dhe punon në kompaninë e përbotshme “AMAZON”. Në një pozicion jo dosido. Në hierarkinë e saj në grupin qendor renditet e 6-ta. Visi punon në Bashkinë e qytetit. Merret ndihmën e trajtimet sociale, bën një punë të jashtëzakoshme, sidomos me të pastrehët.

 

 

 

Qyteti organizon një veprimtari për njerëzit e suksesshëm nën 40-vjeÇ. Aty ishte edhe Visi. “Ka qënë emoncion i rrallë për ne si prindër e për shumë shqiptarë që ishin atje. U ngjit në podium. Nuk kishin të rreshtur duartrokitjet”. Nderohet me vlerësime e Çmime, për të shkruajnë gazeta e revista, flasin edhe televizione. Në kohën e pandemisë vlerësohej si hero.

 

 

Në një foto ku evidentohen si heronj të asaj periudhe katër djem, mes tyre është Visi. Bën për të gjithë, por më shumë ndihmon shqiptarët. Festime Shtylla, një shqiptare që banon atje mes të tjerave shkruan: “Nuk di nga ta filloj për Evisin tonë. Një njeri human,shumë komunikues. Bën për të gjithë ,po për ne bën shumë, na këshillon e na mbështet vazhdimisht. Na ka zgjidhur halle e na ka ndihmuar të integrohemi këtu…” .

 

 

Aq human është Visi, sa rrit flokët për bamirësi. Ja si në këto foto që ka këtë radhë. Pastaj i pret e i dhuron për fëmijët e diagnostikuar më kancer. Ka zemër të madhe. Fundja  heronjtë nuk janë vetëm ata që bien në fushën e betejës. Ka fituar admirimin e të gjithëve me atë Çfarë bën, me punën  dhe humanizmin.

 

 

 

Ndodhi kështu dhe fitoi edhe zemrën e Megit, një vajze amerikane. Nuk vunë unazë në Amerikë.  Udhëtuan  nëpër Shqipëri, shkelën në Vlorë e Sarandë, në Ksamil e Butrint, në Gjirokastër, Përmet e KorÇë. Një surprizë të bukur kishte menduar Visi. Kur erdhën nga KorÇa, ndaluan në Qafën e Martës. “U ngopa edhe njëherë me bukurinë e ajrin e atij vendi”, – thotë Bimi. Kujtova kohën kur fëmijë gjatë beharin kalonim kohën me bagëtitë e mblidhnim bar për stinën e dimrit. Bëra edhe ciceronin për dy të rinjtë.

 

 

 

Në fakt Visi e kishte dëgjuar  historinë. Këtu në këtë vend gjyshi im Ibrahim Bebeshi (Bane Bebeshi) ra në luftë me andartët greek. Këtu ishte sinori që duhej ta mbronte. Ishte urdhëri i qeverisë së Ismail Qemalit. Ra me tre shokë të tij në korrik të vitit 1914. Më parë tek Guri i Bardhë ishte vrarë Lace Backa. M’u kujtua edhe një këngë që ua thashë me vargje (se nuk këndoj dot)

 

U vra Lacja tek Guri i Bardhë

Brahimi tek Guri i kuq

Dy shkëmbinj, dy lapidarë

Ndricojnë bukur, lëshojnë nur

Qafë e Martës vendi i rrallë…

 

Më pas i shpjegova Megit edhe për  lapidarin ,se aty gjendet edhe daja im Xhaferr Mustafa Ibro. Biseda kishte mbaruar, por… Pikërisht në atë moment, të dy të rinjtë  u larguan  tek makina. Erdhën drejt nesh të qeshur dhe na thanë:

 

 

 

-Shikoni Çfarë do të bëjmë! Vajza zgjati dorën dhe Evisi nxori unazën. I vuri unazën dhe u përqafuan…U befasuam. Shpërthyem në lotë. Nuk dinim asgjë. Ne kishim lënë kur të ktheheshim në Durrës të bënim një darkë me ca njerëzit tanë. Çfarë ceremonie! Edhe shpirti i gjyshit tim m’u duk sikur ishte pjesë e atij celebrimi të veÇantë. U duk se edhe ai që nga varri i uroi për jetë të gjatë e të lumtur.

 

 

Pas asaj që përjetuam nuk na ikej nga ai vend. Vonë u larguam. Duke zbritur për në Backë u freskuam me ujin e “Kroit Mbret” dhe pamë edhe vilën e ngritur rrëzë Ostrovicës nga mjeku i atij fshati, Mustafa Ibro – përfundon Bimi.

 

 

 

Nuk ishte rastësi. Kjo frymë përcillet nga brezi në brez. Pasardhësi ndihet krenar për të parin. Kjo kujton historinë e vitit 2016. Asokohe përgatitëm një dokumentar “Nga Backa në Boston” për ingxhinier Bimin. Disa filmime ai na i solli nga Amerika . Ishin të televizionit ABC, një kanal për shqiptarët e Worcesterit,Massachusetts.

 

 

 

Visi atëherë punonte në një shoqatë për reabilitimin e të kthyerëve nga luftërat. Ajo në na befasoi ishte një foto e madhe në zyrën e tij. Një burrë me vetulla të trasha e mustaqe të dendura, i veshur me një fustanellë dhe i armatosur. Ky është gjyshi, Ibrahimi i parë, dëshmori i Qafës së Martës. Kush hyn e del në zyrën ku punoj befasohet, qëndron disa minuta para kësaj fotografie, – thotë Visi.

 

 

Dhe në mbyllje të punës një ceremoni ku personazhi ishte Evisi. Autoritetet ishin të pranishëm. “U thanë fjalët më të mira, – thotë Mjaftonia. Unë u gëzova padyshim më së shumti si nënë…Po një nënë shqiptare do të gëzonte njësoj edhe për arritjet e një djali a vajze tjetër që rrënjët i ka atje…” .

 

 

 

Shqipëria ishte  edhe në studion e avokatisë “Tërpollari” në Worcester. Djali tjeter Danieli edhe e shoqja Aurora ishin bërë të njohur. Për të gjithë, por sidomos për shqiptarët. Trokisnin atyre dhe problemi i tyre merrte zgjidhje. Jo thjesht emri, por edhe simbolet tona kombëtare, fotot nga Shqipëria ishin kartëvizitë e prezantimit të origjinës së tyre.

 

 

Tani janë shpërngulur  e  jetonë në Florida. Edhe atje bëjnë të njëjtën punë e ushtrojnë të njëjtin profesion. Punojnë me dinjitet e profesionalizëm. Kanë pak kohë, por tashmë kanë emrin e tyre.

 

 

 

 

 Megi: 9 ditë të paharruara në Shqipëri…

 

Kishim bërë një plan më parë me Visin për një vizitë në Shqipëri. Në biseda ai dhe prindërit e Visit më tregonin për Çfarë do të vizitoja e kë do të takoja. I përcillja ditët me emoncion dhe prisja. Kur mbritëm  në Tiranë pashë një qytet marramendës. Kishte jetë. Qëndruam pranë monumentit të Skënderbeut dhe bëmë foto.

 

 

 

Më bëri përshtypje edhe Dajti, një mal i bukur si kurorë për Tiranën. Në Durrës shijuam një në restorant San Nikola. Një pritje e bukur. Më mbetën në mendje këngët folkorike kënduar nga familja, darka me dolli dhe vëmendja e respekti ndaj njëri-tjetrit.

 

 

 

Udhëtimi drejt Vlorës,një qytet simpatik. Po Ksamili ishte vërtet shumë i bukur. Bluja e detit, rëra,dielli e bënin këtë pjesë të Shqipërisë një vend të rrallë. Ishte një guidë mbresëlënëse për mua. Fjala vjen në Gjirokastër u mahnita. Ishte një befasi. Çfarë nuk më thanë për qytetin e kalanë?!

 

 

 

Në mendje më mbeti qyteti i Kadaresë, për të cilin kisha dëgjuar. Pastaj KorÇa, një qytet me arkitekturë interesante, shumë e pastër. Rrugicat me kalldrëm e kafeja në Pazarin e Vjetër.

 

 

 

Pastaj një rrugë e gjatë, plot dredha e gjelbërim mes malesh. Ishim nisur drejt Backës. Sa shumë kisha dëgjuar për Backën. Jo më kot,babi i Visit mburret. Kur bie fjala ai thotë shpesh: “ Kur jam në Amerikë mendja më fluturon për në Backë, për njerëzit e mi, për miqtë e shokët në Çorovodë e Poliçan ku kam jetuar e punuar”. Për habinë time Qafa e Martës ishte aq e bukur atë fillim korriku. Kishte vërtet histori. Në heshtje i dhashë të drejtë Ibrahimit e Mjaftonisë që flasin e nuk lodhen për atë vend. Ndaj propozimi i Visit dhe celebrimi im në atë vend simbol është i paharruar, një kujtim i rrallë, më i bukuri i jetës time.

 

 

Në mbrëmje në Backë me njerëzit e familjes sime të re. Një tokë aq paqësore, njerëz aq të dashur. Sa shumë kemi qeshur. Sa herë më përkthenin diÇka, sa herë dëgjoja një histori, i thosha vetes: “Janë të vërtetë këta njerëz”.

 

 

Tani ndihem shqiptare. Nuk di, po vlerësoj atë Çfarë pashë. Dhe pres të kthehem një ditë përsëri…

Djemtë? Bëmë baba të të ngjaj…

 

 

Familja Tërpollari është një vlerë më vete. Shkruajtëm pak rreshta për djemtë. Ata janë mishërim i cilësive të prindërve. Nuk mund të ndodhë ndryshe . Kush nuk e njeh inxhinier Bimin?. Kudo, në Backën e tij, falë dhuntive që fëmijë. Simboli i vullnetit dhe i dëshirës për të ecur në jetë.

 

 

Me sakrifica mbaroi shkollën e mesme dhe më pas univeristetin për inxhinieri. Kryeinxhinieri i SMT në Skrapar, ai bëri emër. Njeri praktik e me vizion. Inxhinieri e mësuesi i PoliÇanit, drejtori i ujësjellësit e mandej kryebashkiaku i tij. Një jetë, i pari, plot vizion, novator. Mbahet mend baza eksperimentale e shkollës së mesme mekanike. Ajo kishte vulën e mendimit  e të duarve të tij.

 

 

 

Aq emër bëri Bimi sa kur u votua për kryetar bashkie poliÇanasit “harruan” partitë dhe i dhanë një votë në masë mikut e shokut të tyre. Më pas  Bimi emigroi. Si shumë të tjerë. Edhe atje punoi në një uzinë ushatarke për pjesë avionësh.  Edhe atje ra në sy e bëri emër.

 

 

 

Jo vetëm ai. Model ishte edhe Mjaftonia në PoliÇan. E tillë edhe atje. Punoi ca kohë edhe si mësuese e gjuhës shqipe me fëmijët e komunitetit shqiptar. Ishin edhe pjesë e veprimtarive që organizonin si komunitet. Gëzimi i tyre Çdo ndryshim që ndodh këtu. Bëjnë krahasime. Se po bëjnë plot 26 vite që bëjnë  këtë rrugë. Kthehen .

 

 

 

Kur erdhën disa vjet më parë me nismën e propozimin e shoqatës “Tomorri” dega Durrës, Këshilli Bashkiak i PoliÇanit i dha titullin “Qytetar Nderi” Ibrahimit. Kam qënë pjesë e asaj ceremonie. Ai qytet i vogel ishte mbledhur i tëri . Nuk e kishin harruar Bimin. Ai e përcolli këtë mirënjohje me emoncione që i kujton edhe sot.  Kemi mall thonë.  Me një mall që me kalimin e viteve rritet. Bisedat me Ibrahimin  “vërtiten” rreth Backës më shumë.

 

Në Backë është  “stacioni kryesor”, edhe pse fshati nuk është më i pari. Kanë ikur backallinjtë si gjithë të tjerët. Fshati famëmadh i patriotëve, i Lace e Zote Backës, i Riza Kodhelit e burrave të tjerë me emër, fshati i Teqesë së Baba Fetahut kishte festë edhe  këtë 20 qershor.

 

 

 

“Jam gëzuar shumë që Teqeja e Backës u restaurua, që mori vlerës që i takon. Edhe organizimi që bëhet është një ngjarje që më ngazëllen. Se ajo ka histori. Ajo ka simbol Baba Fetahun. Ajo është vatër e kuvendeve për liri e pavarësi. Pastaj  kam edhe një arsye më private se babai, Rrahmani ka qënë një periudhë  sekretar i  saj”.

 

 

Familja Tërpollari erdhi dhe iku. Mori me vete emoncionet që të jep vendlindja. Do të shtyhemi mjaft me këto kujtime. Dhe do të kthehemi sërish. Me shpresën se nesër do të ketë më shumë jetë në këto zona. Me shpresën se do të jetë ndryshe, se do të bëhet ky vend…