Festë në Teqenë e Backës, në këtë vatër të rëndësishme të lëvizjes së Rilindjes Kombëtare
Çdo vit në datën 20 qershor, besimtarë të shumtë bektashi jo vetëm nga Skrapari, por nga gjithë Shqipëria e më tej, mblidhen në Teqenë e Backës.
Është një ndër objektet më të bukura të besimit bektashi në Skrapar. Teqeja është shpallur Monument Kulture i Kategorisë së Parë. Përbëhet nga tre grupime ndërtesash të cilat lidhen mes tyre nga një oborr i brendshëm. Tyrbja, ka përreth nekropolin e fshatit Backë. Në vetvete Teqeja e Backës ka pamjen e një kompleksi, ku në të gjenden dhjetëra kombinime që nga kupolat, relievet e gdhendura, kolonat, kompozicione figurash zoomorfe dhe floreale, arkadat etj.
Në vitet 1800 në të njëjtin vend ka ekzistuar teqeja e vjetër. Thuhet se kjo Teqe u ndërtuar nga mjeshtrat që kishin ardhur nga Opari dhe Panariti i Korçës. Në vitin 1869-1870 teqeja do të ndërtohej me pamjen e ngjashme që ka sot, nga Baba Fetahu dhe shpesh besimtarët e quajnë si Teqeja e Baba Fetahut.
Ndonse nuk ka një datim të saktë të ndërtimit të Teqesë së Vjetër, studiues bektashi mendojnë se datimi i saj lidhet me vitin 1800 kohë kur në Teqenë e Vjetër shërbente dervish Brahim Koromani.
Ndërsa pamja që ka sot objekti, që u rindërtua nga Baba Fetahu në 1869 -1970 vjen si fakt e një mbishkrimi osman në Teqe.
Në vitin 1914 Teqeja e Backës u dogj. Ajo u riparua 4 vite më vonë në 1918. Strehë e besimit, dijes dhe atdhedashurisë, Teqeja e Backës, në 1967 u mbyll nga shteti. Të njëjtin fat patën të gjitha institucionet fetare në Shqipërinë e një kohe tjetër që u ndali shqiptarëve besimin.
Teqeja do të rihapej në vitin 1998. Një numër i madh klerikësh bektashi kanë shërbyer ndër vite në këtë teqe. Në vitin 2019 Teqeja e Backës u rikonstruktua. Në qershor 2020, vendoset busti i Baba Fetahut.
***
Nuk është vetëm arkitektura, nuk është vetëm fama religjioze që ka patur kjo teqe në shekuj, por ka edhe një arsye tjetër që e ka bërë atë me emër. Është veprimtaria patriotike që kanë zhvilluar klerikët e saj në breza, duke kthyer këtë teqe në një qendër e rëndësishme patriotike.
Rilindësit e parë, veçanërisht tre vëllezërit Frashëri, teqenë e Frashërit edhe teqenë e Backës i kthyen në qendrat e para të përhapjes së idesë së shkëputje së Shqipërisë nga Turqia. Ato u kthyen jo vetëm në shkolla të përhapjes së gjuhës shqipe dhe librave shqip, por edhe në qendra ku grumbulloheshin çetat kobëtare të luftëtarëve shqiptarë, si të Çerçiz Topullit e Mihal Gramenos, Lace Backës, Tajar dhe Tefik Vëndreshës, Sakoll Radëshit, Qamil Panaritit, Themistokli Gërmenjit, Sali Butkës etj.
Baba Fetahu, nga Kolonja e Gjirokastrës shërbeu shumë kohë në këtë teqe. Ai më shumë se një klerik e besimtar i përkushtuar i bektashizmit, mbahet mend dhe ka zenë vënd të merituar në historinë e Shqipërisë si një patriot i madh Rilindës.