Figurë e ndritur, emblematike dhe rrezatuese e historisë së arsimit
Zylyftar Hoxha
Të shkruash për historinë e arsimit në Skrapar dhe të mos shkruash për Emir Qafën, është njëlloj sikur të mos kesh bërë asgjë dhe të mos kesh thënë asgjë.
Nuk ka njeri në Skrapar apo me origjinë nga Skrapari, grua apo burrë mbi 50 vjeç, që të mos e ketë njohur ose të mos ketë dëgjuar për të. Ai ishte një personalitet, një figurë e njohur publike për gati 40 vjet, nga viti 1953 deri më 1990. Gjatë kësaj kohe kishte lëvizur në të gjithë krahinën, por më gjatë ishte ndalur në Radësh dhe në Bogovë, vendi i fundit ku punoi për 20 vjet, deri në transferimin e tij.

*
Kishte mbaruar për histori, por ishte specialist i matematikës dhe fizikës. Një mësues i rrallë, i gjithanshëm, që gjeneronte energji të pashtershme në punën mësimore, me një takt e kujdes pedagogjik si askush tjetër.
Erdhi në Skrapar me arsim të mesëm dhe, për të përfunduar arsimin e lartë me korrespondencë, iu desh të dërgonte dhjetëra letra drejtuar Komitetit Qendror dhe Enver Hoxhës, derisa arriti ta përfundonte me nota të shkëlqyera.
Në aspektin pedagogjik, si metodist e didakt, Emiri nuk kishte të dytë në Skrapar. Kolegët e quanin me shaka Makarenko, i njohur si “babai” i pedagogjisë sovjetike, pasi edhe shkolla shqiptare e asaj kohe mbështetej në parimet psikopedagogjike të tij dhe të shkollës ruse.
Shumë prej nxënësve të tij u bënë mësues dhe më vonë kolegë me Emirin, por gjithmonë ruajtën një distancë e diferencë me të. Sepse ai nuk ishte thjesht mësues nxënësish, por mësues i mësuesve.

Adem Hysenbelliu, një tjetër ish-nxënës nga Radëshi, ku Emiri kishte shërbyer për disa vjet, kujton:
“Jo të gjithë nxënësit e presin me gëzim dhe entuziazëm orën e matematikës, por më besoni se Emiri na e bënte këtë orë nga më të dashurat dhe më të bukurat e ditës, sa mezi e prisnim të gjithë orën e tij”.
Ai ishte edhe instrumentist i talentuar, luante në fizarmonikë në shfaqjet artistike të grupeve amatore, ishte futbollist kalibri në skuadrën përfaqësuese të Çorovodës, si dhe qitës, gjuetar e peshkatar i pakonkurrueshëm.
Por, mbi të gjitha, ishte njeri i dashur, i respektuar dhe i gjendur në ditë të mira e të këqija pranë kolegëve dhe të gjithë atyre që e njihnin. Të gjithë, të vegjël e të mëdhenj, i thërrisnin “Xhaxhi”.
Nuk e lejoi në asnjë rast, sa ishte në Skrapar, që dikush ta kritikonte apo t’i bënte vërejtje për punën e tij.
Me fat e ka quajtur veten kushdo që ka pasur rastin të punojë përkrah tij, jo vetëm për përgatitjen profesionale, por edhe për shembullin etik që përcillte.

Model në veshje, në krehje, në sjellje e në marrëdhëniet me nxënësit; model në mënyrën se si e shpjegonte mësimin. Ishte ndër mësuesit më të përgatitur, që gjente kënaqësi në punën e tij. Madje, më shumë se nxënësit, e donin prindërit, aq i dashur dhe aq popullor ishte.
Megjithatë, vlerësimi për të erdhi kryesisht nga kolegët, nxënësit, prindërit dhe populli i thjeshtë, por jo nga organet e pushtetit, të cilat e shihnin vëngër, si të “deklasuar”. Nuk i jepnin shtëpi, nuk i siguronin të drejta studimi për fëmijët dhe nuk i thoshin asnjë fjalë vlerësuese për atë punë aq të mirë e të pastër që bënte.
Emiri ishte pinjoll i familjes së madhe e dinastike Qafa në Berat, një familje fisnike, me pasuri, me vlera të spikatura dhe me njohje jo vetëm brenda qytetit të Beratit, por edhe në Skrapar e në të gjithë Shqipërinë e Mesme, ku e çonin puna, marrëdhëniet tregtare, si dhe lidhjet miqësore e familjare.

Ai ishte i biri i Myrto Qafës, komandant i xhandarmërisë së Beratit, një detyrë e rëndësishme në një periudhë të vështirë lufte, e cila menjëherë pas çlirimit i kushtoi burgun.
Por dënimi i tij nuk qe i gjatë, falë letrave dhe kërkesave të opinionit publik, si dhe të ish-komandantëve partizanë të zonës, të cilët dëshmonin të kundërtën: se, ndonëse mbante uniformën dhe një post të lartë në xhandarmëri, Myrtoja kishte punuar për Lëvizjen Nacionalçlirimtare, duke nxjerrë komunistë nga burgu dhe duke ndihmuar partizanët në ilegalitet me armë.

Sidoqoftë, njolla biografike mbeti dhe pasojat e saj i vuajtën jo vetëm Emiri, por edhe e motra, Pranvera, kunati, Qerimi, dhe djali i xhaxhait, Tomorri, të cilët e kaluan gjithë jetën e tyre aktive në Skrapar, në një gjendje të ngjashme me internimin e heshtur.
Por këtë fat e patën edhe të tjerë të rinj beratas me “cen në biografi”, të cilët u sollën në atë kohë në Skrapar, si Abaz Lumani, Tokli Salepi, Ylli Ruli, Lejla Mehqemeja, Kontesha Xixo etj.
Por le të kthehemi te Emiri.

Ashtu siç ishte vetë, edhe fati i kishte dhuruar një dhuratë të rrallë, kur lidhi jetën me Dallandyshe Vlonjën, një grua trime, një zonjë e vërtetë, e cila jo vetëm nuk ia cenoi jetën e mbushur me pasione, gjallëri e energji, por, përkundrazi, e kuptoi, e mbështeti dhe ia forcoi edhe më shumë ëndrrat, idetë, qëllimet dhe pasionet.
Ndërtuan së bashku disa fole, disa shtëpi, aty ku u ra të punonin e të jetonin. Të thjeshta, praktike, ndoshta jo fort të bukura, por funksionale e të ngrohta, si çerdhe zogjsh, ku rritën dy fëmijët e tyre, Xinën dhe Astritin.
Ndoshta fëmijët nuk e meritonin atë jetë të vështirë; boll kishin vuajtur prindërit e tyre. Megjithatë, ajo jetë u bëri mirë dhe i bëri të mirë. Më pas, ata ndërtuan jetët dhe familjet e tyre me djersë, nder e dinjitet, ashtu siç kishin bërë edhe prindërit.

Ishin vitet ’90, kur Emiri doli në pension në Berat. Ishin vite kur po frynte një erë e re dhe kishin nisur lëvizjet demokratike. Natyrisht, ai që kishte vuajtur aq shumë gjatë gjithë jetës, nuk mund të rrinte duarkryq.
U vu në krye të këtyre lëvizjeve dhe, me meritë, u zgjodh zëvendëskryetar i Këshillit Bashkiak të Beratit.

Gjatë asaj kohe të shkurtër në këtë detyrë, iu dha rasti të shpaloste edhe një herë vlerat dhe virtytet e tij njerëzore. Por një vdekje e parakohshme ia ndërpreu rrugëtimin.
Megjithatë, gjurmët që la pas në Berat dhe në Skrapar mbetën të pashlyera, si dëshmi e një jete të përkushtuar ndaj arsimit, njerëzve dhe dinjitetit njerëzor, për të mos u harruar kurrë.
