Nga kujtimet dhe dëshmitë për jetën në Çerricë, Tomorricë
Hysen Binjaku
Në historinë e çdo fshati ka njerëz që nuk kanë lënë pas pallate, monumente apo emra të shkruar në pllaka guri, por kanë lënë diçka po aq të çmuar: gjurmët e punës, veprave dhe përkushtimit të tyre. Të tillë njerëz kujtohen jo për bujën që kanë bërë, por për atë që kanë ndryshuar në jetën e bashkëfshatarëve. Një prej tyre ishte Axhem Syrja Breshani, njeriu që, në gjysmën e dytë të shekullit XX, u bë një nga figurat më përfaqësuese të Çerricës.
Deri në atë kohë, jeta në Çerricë kishte rrjedhur pa shumë bujë. Fshati nuk shquhej për bëmat e “burrave të motshëm”, për “dyer të mëdha” apo për ndonjë “të parë” që të kishte lënë emër në kujtesën e njerëzve. Kështu e kujtonin të moshuarit, kështu e kisha përjetuar edhe unë në hapat e parë të jetës. Por gjysma e dytë e shekullit XX solli ndryshime të mëdha në mbarë vendin, në Tomorricë e, natyrisht, edhe në fshatin tim.
Nuk mund të thuhet se të gjitha këto ndryshime ishin për mirë; koha tregoi se jo pak prej tyre patën edhe anët e tyre të errëta. Megjithatë, ato ndryshuan mënyrën e jetesës dhe nxorën në pah njerëz që morën përsipër përgjegjësi të mëdha. Njëri prej tyre ishte pikërisht Axhem Breshani.
Kryetari që doli nga gjiri i fshatit
Në mars të vitit 1956 nisi në krahinën e Tomorricës, në Skrapar, procesi i kolektivizimit të bujqësisë, i cili përfundoi në fund të vitit 1959. Ndonëse zyrtarisht flitej për bindje, në të vërtetë procesi shoqërohej nga detyrimi shtetëror. Fakti që ai zgjati gati tre vjet dhe nuk u krye njëkohësisht në të gjitha fshatrat dëshmon se kishte edhe rezistencë.
Në Çerricë kolektivizimi u bë në tetor të vitit 1957. Fshati kishte rreth 40 familje, të cilat u regjistruan në kooperativë. Në fillim, ekonomia e përbashkët dispononte 60 hektarë tokë arë, 12 pendë qe dhe 80 krerë bagëti të imta. Çdo familje ruajti tri dynymë tokë arë dhe të drejtën për të mbajtur një lopë, një kafshë samari e dhjetë krerë bagëti të imta.
Toka punohej me qetë e kooperativës, ndërsa transporti kryhej me kafshët e samarit të anëtarëve, të cilët shpërbleheshin me ditë pune.
Kjo mënyrë e re organizimi kërkonte njerëz që të merrnin përgjegjësinë e drejtimit. Anëtarësia zgjodhi me votim një kryesi prej pesë vetash, e cila, po me votim, zgjodhi kryetarin e kooperativës.
Kështu, në krye të ekonomisë së përbashkët u vu Axhem Syrja Breshani (1919–2000), atëherë një burrë i pjekur, me katër fëmijë.
Ai nuk ishte emëruar nga lart, por ishte zgjedhur nga bashkëfshatarët e tij. Dhe kjo zgjedhje do të shënonte fillimin e një etape të re për Çerricën.
Me emrin dhe veprimtarinë e Axhemit lidhet historia e kooperativës së fshatit, si edhe fillesat e Kooperativës së Bashkuar të Zhepës. Ai punoi me mish e me shpirt që fshati dhe banorët e tij të përparonin. Rezultatet nuk munguan.
Pavarësisht kundërshtive dhe problemeve që shoqëruan sistemin e kolektivizimit, në vitet e para u shënuan përmirësime në prodhim dhe në mënyrën e jetesës. Shpërblimi bëhej kryesisht në natyrë, sipas ditëve të punës të realizuara nga çdo familje. Edhe drejtuesit, llogaritari, magazinieri e brigadierët paguheshin në bazë të ditëve të punës, ndaj ecuria e ekonomisë ishte e lidhur drejtpërdrejt me prodhimin.
Çerrica kishte toka të shumta, por i mungonte një pasuri jetike: uji për vaditje. Kjo ishte ëndrra e kahershme e banorëve dhe pikërisht këtu do të niste një nga veprat më të rëndësishme të Axhem Breshanit.
Uji që ndryshoi jetën e Çerricës
Viti 1963 shënoi fillimin e asaj që mund të quhet aventura e parë e madhe e Axhemit. Ai u zotua se do ta sillte ujin për vaditje në Çerricë.
Ujë kishte me bollëk në Leskovë e Gurrazes, por duhej sjellë prej andej deri në Çerricë, pesë-gjashtë kilometra larg, përmes një terreni kodrinor. Uji duhej të kalonte edhe nëpër territorin e Zhepës, ku një pjesë e burimeve shfrytëzohej për vaditjen e tokave të kooperativës së atij fshati.
Axhemi rregulloi marrëveshjet me fshatrat përkatëse, siguroi lejen e Komitetit Ekzekutiv të Rrethit të Skraparit dhe nisi puna për hapjen e kanalit. Ishte viti 1963. Nuk kishte makineri, nuk kishte mjete moderne, as projektues e zbatues punimesh. Kishte kazma, lopata, krahë pune dhe vullnet.
Projektimin praktik të kanalit e mori përsipër vetë kryetari, ndërsa banorët e Çerricës u vunë në punë për ta hapur atë.
Axhemi nuk kishte formimin teknik të një inxhinieri, por kishte zgjuarsinë, intuitën dhe këmbënguljen e njeriut që e dinte çfarë kërkonte. Për të gjetur pjerrësinë e duhur të kanalit në terrenet e vështira, ai përdorte një mënyrë të veçantë, që më vonë do të tregohej si anekdotë në fshatrat e Tomorricës.
Kur kanali ndeshte në një kodër apo në një përrua, ai hapte një pjesë të tij, lëshonte ujin dhe hidhte brenda një shishe të mbushur me ujë e të taposur. Lëvizja e shishes e ndihmonte të kuptonte drejtimin dhe pjerrësinë që duhej të merrte kanali, si dhe kthesat që duheshin bërë për të siguruar rrjedhën e ujit.
Ishte një zgjidhje e thjeshtë, e lindur nga përvoja dhe zgjuarsia praktike, por mbi të gjitha nga dëshira për ta çuar punën deri në fund.
Dhe ia doli!
Në vitin 1964, te vendi i quajtur “Qafa e Vidhit”, në kufirin ndërmjet Zhepës dhe Çerricës, uji i përroit të Gurrazesit u nda në dy degëzime. Njëri shërbente për brigadën e parë, duke ujitur lagjet Mersinasi dhe Breshanë; tjetri për brigadën e dytë, që përfshinte lagjet Spahiu, Binjaku dhe Bollobanë.
Pas shekujsh, tokat e Çerricës, të etura për ujë, nisën të vaditeshin. Për fshatin, ky nuk ishte thjesht ndërtimi i një kanali. Ishte hapja e një perspektive të re për bujqësinë, prodhimin dhe jetën e banorëve.
Uji që solli Axhemi ishte më shumë se një vepër bujqësore: ishte dëshmi se edhe në një fshat të vogël, me mjete të pakta, vullneti dhe zgjuarsia mund të kapërcejnë pengesa që duken të pakapërcyeshme.
Kur traktorët zbarkuan për herë të parë në Çerricë
Pasi siguroi ujin për vaditje, Axhemi mendoi për zgjerimin e tokës së punueshme. Çerrica kishte sipërfaqe të mëdha pyjore, një pjesë e të cilave ishte e mbuluar me shkurre ose e degraduar. U nis puna për hapjen e tokave të reja me krahë, me kazmë e me qilizëm, kryesisht në anët e arave ekzistuese.
Por kryetari mendonte më larg. Ai kërkonte që puna e rëndë e krahut të lehtësohej dhe sipërfaqja e tokës së punueshme të shtohej. Në verën-vjeshtën e vitit 1964, mori një vendim që për atë kohë dukej i jashtëzakonshëm: do të sillte traktorë në Çerricë.
Një ditë u nis për në Grëmsh të Elbasanit. Pasi rregulloi punët e nevojshme, dërgoi lajmin në fshat:
— Në ditën dhe orën që do t’ju njoftoj, djemtë më të fuqishëm të zbresin në Lirizhda, në arën buzë lumit të Tomorricës. Të marrin kazma, lopata, sopata dhe litarë. Po sjell dy traktorë në fshat!
Lajmi përhapi gëzim të papërshkrueshëm. Kur traktorët mbërritën, i madh e i vogël dolën t’i prisnin. Disa u prinë, të tjerë i ndoqën nga pas, duke brohoritur.
Ju të sotmit, mos u çuditni! Në atë kohë, ardhja e dy traktorëve ishte një ngjarje e jashtëzakonshme. Ishte hera e parë që këto makina mbërrinin në Çerricë dhe njerëzit e kuptonin se po ndodhte diçka e re në jetën e fshatit.
Brazda e parë u hap në Tartushkë dhe puna mekanike nuk u ndal më. Traktoristët ishin dy djem të rinj: Tare Zodia, nga Sotira, dhe Ikmet Menko, nga Shëmbërdhenji i Menkollarëve. Ata punuan mirë dhe u pritën ngrohtësisht nga banorët.
Pas ujit dhe traktorëve, Axhemi kërkonte mënyra të tjera për të rritur të ardhurat e kooperativës dhe mirëqenien e fshatit.
Çerrica nuk kishte mal kullote, një pasuri e rëndësishme për blegtorinë, por kishte pyje, sidomos me pisha. Me nismën e tij u krijua një skuadër me burra e djem të fuqishëm, u blenë tri sharra druri me krahë dhe u vendosën në tri pika të ndryshme të pyllit.
Nisi kështu prodhimi i “dhogave”, siç quheshin atëherë dërrasat e drurit në fshat. Ato furnizonin jo vetëm banorët e Çerricës, por edhe fshatrat e tjera të Tomorricës e më gjerë. Madje, edhe nga Gradeci i Skraparit vinin për të blerë dhoga në Çerricë.
Ishte një tjetër nismë që shfrytëzonte pasuritë vendore dhe krijonte të ardhura për ekonominë e përbashkët.
Nga Çerrica në Kooperativën e Bashkuar të Zhepës
Në fund të vitit 1966 dhe në fillim të vitit 1967 u krijua Kooperativa e Bashkuar e Zhepës, ku u përfshinë Zhepa, Çerrica, Çorrotat, Gurrazesi dhe Leskova.
Kryetar i saj u zgjodh Axhem Breshani, të cilën e drejtoi deri në vitin 1969. Më pas punoi si brigadier i brigadës së ndërtimit dhe brigadier i blegtorisë, deri në daljen në pension, në vitin 1984.
Përvoja e fituar me sharrat e krahut në Çerricë e nxiti të ndërmerrte një tjetër nismë. Në malin e Koshnicës, në pjesën ndërmjet Çorrotave dhe Gurrazesit, ndërtoi dy impiante sharrash me ujë, të rralla për Tomorricën dhe Skraparin.
Idenë e kishte njohur gjatë shërbimit ushtarak në Pukë, në vitet 1947–1948, krahinë e njohur për prodhimin e lëndës drusore. Atje kishte parë se si shfrytëzohej fuqia e ujit për të vënë në lëvizje sharrat dhe, vite më vonë, e solli atë përvojë në vendlindje.
Axhemi mendoi edhe për shërbimet artizanale. Për këtë, në fshat qarkullonte një anekdotë që dëshmonte humorin e tij.
Kur e pyesnin se sa shërbime artizanale kishte ngritur, ai përgjigjej se kishte “samarpunues” Xaken, “këpucar” Myrtezanë dhe “berber” Hamzanë. Në të vërtetë, Xake, Myrteza dhe Hamza ishin një njeri i vetëm: Xake Gurrazezi, mjeshtër i vërtetë dhe burrë shumë i mirë.
Kjo histori, e treguar me të qeshura ndër breza, është edhe një dëshmi e mënyrës si Axhemi e shihte jetën: me seriozitet në punë, por edhe me humor e thjeshtësi në marrëdhëniet me njerëzit.
Një emër që mbeti në kujtesën e fshatit
Axhem Breshani nuk ishte vetëm drejtuesi që u përpoq të ndryshonte ekonominë e fshatit. Ai ishte edhe bashkëshort e baba i përkushtuar. Së bashku me bashkëshorten e tij, Hatixhenë, rriti dhe edukoi shtatë fëmijë: tri vajza dhe katër djem.
Vajzat, Sembia, Resmia dhe Hajrija, u martuan përkatësisht në Grevë, Gjerbës dhe Leskovë.
Djemtë, Fariu, Leonardi dhe Besniku, u bënë mësues, ndërsa Ardiani u bë infermier.
Fëmijët e tij kanë arsye të jenë krenarë për të atin, jo vetëm për atë që bëri për familjen, por edhe për gjurmët që la në jetën e bashkëfshatarëve.
Axhemi e deshi Çerricën dhe njerëzit e saj. Punoi për ta, me mundësitë dhe mjetet që kishte, deri në ditët e fundit të jetës. U nda nga kjo jetë në shkurt të vitit 2000, por kujtimi për të nuk u shua.
Ai jetoi në një kohë kur fshati po kalonte ndryshime të mëdha, me arritje, vështirësi dhe kufizime të shumta. Vlerësimi i veprimtarisë së tij nuk kërkon të idealizojë atë kohë, por të njohë punën dhe përkushtimin e një njeriu që u përpoq të bënte më të mirën për vendin e vet.
Axhem Syrja Breshani mbetet një nga figurat më përfaqësuese të Çerricës në gjysmën e dytë të shekullit XX. Ai nuk i dha fshatit emrin në kuptimin e mirëfilltë të fjalës; i dha emër me veprat e tij, me ujin që solli në ara, me traktorët që çoi në fshat, me sharrat që ngriti dhe me shembullin e një drejtuesi që e lidhi jetën e vet me atë të bashkëfshatarëve.
Dhe kur një njeri lë pas vepra që kujtohen, ai nuk largohet plotësisht. Mbetet në kujtesën e njerëzve, në historinë e vendlindjes dhe në rrëfimet që përcillen nga një brez te tjetri.
Axhem Breshani ishte një prej atyre njerëzve.
