Fiqirete Bakiasi, gruaja që u ngjit në Çukën e Frëngut, jo më këmbë, por me traktor!

Fiqirete Bakiasi, gruaja që u ngjit në Çukën e Frëngut, jo më këmbë, por me traktor!

 

Ajo tashmë është tepër e moshuar, por, fatmirësisht, mbahet mirë.

 

Është nga ato gratë e socializimit që vërtet bëri histori: Bashkë me bashkëshortin, Sadikun, la fushat e Lushnjes dhe erdhi përsëri në Kapinovën e Egër për të ngjitur traktorin në Çukën e Frengut, për të zbatur parrullën – devizë të asaj kohe “Tu ngjitemi kodrave dhe maleve, t’i bëjmë ato pjellore si dhe fushat”!

 

 

Fiqirete Bakiasi është një kapitull i artë i profesionit dhe i kulturës  skraparase, por edhe i lidhjeve të dy dashurive, të punës nga njëra anë dhe të jetës bashkëhortore nga ana tjetër, duke mos dalë jashtë  kuadrit familjar, por duke punuar bashkë me burrin e saj traktorist si ndihmëse.

 

Dashuria për njëri –tjetrin u lidh ngusht edhe me dashurinë e profesionit.

 

 

Ne vitin 1966 u ngrit SMT për herë të parë në Skrapar, e cila u bëri thirrje të gjithë specialistëve të ktheheshin në rrethin e tyre.

 

 

Qe një akt patriotik i pashembullt, që, menjëherë pas kësaj thirrjeje, me dhjetëra skraparllinj me zanate dhe profesione të ndryshme u rikthyen në Skrapar, të cilët bënë aty historinë  tyre, siç është edhe kjo e Fiqiretes me Sadikun.

 

 

“Në një kohë kur gratë e tjera nuk dilnin nga shtëpia, unë punoja natë e ditë me traktor nëpër pyje e male, shpesh herë edhe pa Sadikun pranë. Në Çukën e Frëngut, në një lartësi mbi 1500 metra mbi nivelin e detit kemi hapur 14 hektarë tokë, e cila u mboll me patate.  Kemi hapur rrugën bashkë me Sadikun nga Qafa e Beçit e deri ne Qafën e Gjarpërit “ – thotë Fiqiretja, ndërsa sytë i mbushen me lot nga kujtimet e së kaluarës.

 

 

“Ai profesion i vështirë në atë terren të vështirë  nuk të kërkonte trikon, por jetën – vazhdon të tregojë ajo – por ja që ia dolëm!…

 

 

Ja ku jemi:

Sadiku, i  nderur dhe i respektuar atje ku e çoi Zoti, dhe unë këtu, e realizuar, me nder e dinjitet, sepse kam bërë më të mirën që kam ditur dhe që kam mundur të bëj në këtë jetë të shkurtër që na ka dhënë i Madhi!”