Gjendet një relikte e rrallë, kutia e duhanit e Baba Fetahut të Teqesë së Backës në Skrapar

Gjendet një relikte e rrallë, kutia e duhanit e Baba Fetahut të Teqesë së Backës në Skrapar

 

 Tomorr Voda

Ish-ushtarak në pension

 

 

Flitej për një kuti të bukur të Baba Fetahut, por nuk dihej se ku kishte përfunduar. Rastësisht, ndërsa bisedoja për këtë gjë me një mikun tim, mësova se kutia kutia origjinale ruhej akoma nga nga një i afërm i tij, madje ai si kurioz që ishte, kishte siguruar edhe fotot origjinale të kësaj kutie.

 

Duke qenë se Baba Fetahu i Backës, siç quhej në popull, ishte me origjinë nga fshati Kolonjë i Gjirokastrës, iu drejtova një mikut tim,  ish-ushtarakut  të lartë, Faik Guna, që ishte me origjinë në ato anë për të më ndihmuar për të rënë në gjurmë të kutisë.  Nëpërmjet Faikut, por edhe disa personave të tjerë nga ajo zonë, ramë në gjurmë: Kjo kuti kishte rënë në dorën e gjyshit të një personi që nuk dëshironte të identifikohej.

 

Shtatore e Baba Fetahut në Teqen e Backës

 

Gjyshi i tij e kishte gjetur në shtëpinë e një mikut të tij (avokat) në një nga fshatrat krishtere  të Përmetit (kur shkonte me kalë për tregti).

 

Kur kishin ndërruar duhan me njëri-tjetrin, ai kishte parë e lexuar kutinë. I ishte drejtuar  avokatit  me pyetjen  provokuese: “Deri këtu paske ti”?!  Sepse grekërt, gjatë  barbarive në Jugun e Shqipërisë,  kishin bashkpunuar edhe me njerëz të tillë.

Por avokati e kishte bindur mikun (gjyshin e mikut tim), se si i kishte rënë ajo kuti në dorë.

 

Prej atij moment, avokati u tregua njerëzor dhe ia dhuroi kutinë gjyshit. Tani ajo ndohet te ne, stërnipat e tij”, kishte thënë njeriu që nuk donte të identifikohej.

 

 

 

Të dhënat e kutisë

 

Është një kuti unike, e veçantë, e punuar (derdhur) në dru special (piksi).  Ishte  punuar dhe dhuruar  atij nga të burgosurit shqiptarë në burgun e Janinës.

 

 

Në kapakune saj është gdhendur në reliev një luan me fytyrë njeriu me mjekër të derdhur dhe mustaqe, që mban një shpatë në dorë.

 

Në sfond ka të gdhendur gjysmë hënën me një yll poshtë saj. Në cepin e djathtë të kutisë ka të gdhendur një talisman me 12 kënde (12 imamët). Posht barkut të luanit është një yll me gjashtë cepa në formën e një luleje dhe një objekt tjetër i panjohur për ne.

 

 

Ana tjetër, mbrapa kuti së janë gdhendur ornamente dhe mbishkrime orientale

Në pjesët anësore ka dy mbishkrime të alfabetit arab, në turqisht, në arabisht, si dhe në turqisht me alfabet latin.

 

 

Teqeja e Backës

 

Objekt i rëndësishëm kulti i sektit Bektashi,  Është Monument Kulture i Kategorisë së Parë. Është ndërtuar në vitet 1869 – 1870 nga Baba Fetahu i dëgjuar.

 

Ka të dhëna se teqeja  e vjetër ka qënë para vitit 1800, rrinte dervish Brahimi nga lagja e Koromanve të Backës.

Ka histori dhe veprimtari patriotike e atdhetare. Në kohën e Rilindjes Kombëtare, Baba Fetahu ishte një figurë e rëndësishme rilindase. Ai e ktheu teqenë në qendër të përhapjes së librave shqip dhe të shkollave shqip.

 

Baba Fetahu hapi dyert e teqesë për çetat e Çerçiz Topullit, Mihal Gramenos, Lace Backës, Sakoll Radëshit etj.

 

Teqeja u dogj në vitin 1914 nga andartët grekë, u riparua në vitin 1918.

 

U mbyll si institucion fetar në vitin 1967 dhe u rihap në vitin 1998.