Iu rrëfej për “Fenerin ndriçues të Evropës” të viteve 1960-1990
Ne gratë e huaja që kërkuam parajsën dhe gjetëm skëterrën në Shqipëri
Zylyftar Hoxha
Me Waltraud Tunger unë kam patur një njohje të vjetër, pasi jam kujdesur për botimin e librave të saj me kujtime “Vjehrra ime, Kolja” dhe “Larg Shqipërisë” si dhe për librin “Bashkudhëtarë” të të shoqit të saj, Ilmiut Bejkos, që të dy nuk rrojnë më. Ndjesë paçin atje ku janë!
Po kush ishte Waltraud Tunger?

Waltraud Tunger (Vala Bejko) është lindur më 18 korrik 1933, në një familje punëtore në Khemnitz të Gjermanisë Lindore.
Shkollën e lartë e bën në Moske, ku njihet me djaloshin shqiptar, Ilmi Bejko nga Sevrani i Skraparit, me të cilin lidhi përfundimisht jetën e saj.
Pas përfundimit të studimeve, vendosen familjarisht në qytetin e Fierit, ku kanë ndenjur 12 vjet, më pas në Tiranë, 4 vjet.
Në vitin 1975, pas zbulimit të të ashtuquajturve grupeve armiqësore, u shtuan dyshimet te të huajt, ndaj i transferojnë në Kukës, ku kanë jetuar 9 vjet, më vonë në Krujë, përsëri 9 e kështu me radhë, sa u mbushën 37 vjet, të cilat Vala i quante jo në Shqipëri, por nëpër Shqipëri.
Waltraud Tunger ka një veprimtari të pasur krijuese, mbi 20 vepra letrare dhe shkencore të përkthyera në gjuhën gjermane në kohën e diktaturës, për të cilat ajo e ndjente veten “limon i shtrydhur”, përderisa kjo krijimtari edhe sot e kësaj dite nuk i është njohur dhe vlerësuar si pronë intelektuale e saj.
Për një lexues të kujdesshëm në Shqipëri, shkrimtarja gjermane Waltraud Tunger është e njohur me librat e saj, ”Albania Mein Lieben”, “Çapitjet e mia nëpër Shqipëri”, “Larg Shqipërisë”, “Vjehrra ime, Kolja” si dhe mbi 20 libra shqip të përkthyer në gjuhën gjermane në kohën e monizmit.
Më posht po japim shkurt disa pjesë të shkurtra nga libri i saj i shkëlqyer, “Çapjet e mia nëpër Shqipëri”:
Dy episode në Sevran, ditën që vajta nuse
Episodi i parë
Nuk harroj udhëtimin e parë, kur unë po shkoja nuse në Sevran të Skraparit, raste të tilla ngelen të freskëta në kujtesë. Nga rrapet e Pacomitit të Përmetit deri në Sevran rrugën e bëmë herë më këmbë e herë hipur në kalë, mbi kurrizin e të cilit unë e kisha shumë të vështirë të qëndroja.
Nuk mjaftoi sikleti i madh dhe lodhja cfilitëse me këtë mënyrë udhëtimi, kur në Raban, në shtëpinë e Demirit, një miku të Ilmiut, dëgjoj një histori mjaft të trishtuar, që kishte ndodhur gjatë Luftës.
Gjermanët i kishin vënë zjarrin një shtëpie, pasi kishin gjetur garza e pambukra me gjak, duke u bindur se atje ishin strehuar partizanë. Zonja e shtëpisë, kur vuri re zjarrin, brofi brenda dhe nxori që andej fëmijën. Por sa arriti të bënte këtë, një SS e rrëmbeu djepin bashkë me djalin e lidhur në të dhe e hodhi mes flakëve. Pa menduar se ç’mund t’i ndodhte, ajo goditi me grusht ushtarin, duke u turrur tej poshtë e duke iu shmangur katër të shtënave pistolete.
Unë e pashë atë grua, kur doli nga shtëpia dhe mendova për urrejtjen e saj, si do ta shprehte edhe ndaj meje që vija nga ai vend, emrin e të cilit ajo s’donte t‘ia zinin në gojë.
Zbrita nga kali me ndjenja të përziera. Befas ajo më rroku prej qafe. Ajo kishte përballuar dhimbjen mbi humbjen e fëmijës dhe më priti sipas zakonit të vjetër të mikpritjes shqiptare, jo se e kishte harruar fëmijën e saj.
Ky ishte episodi i parë.
Episodi i dytë
Episodi i dytë ishte edhe më i rëndë. Unë po vija në një shtëpi që gjermanët u kishin vrarë djalin, vëllain e Ilmiut. Plagët e luftës ishin të freskata.
Ç’do të mendonte vjehrra ime që po i vinte një gjermankë në shtëpi, një motra e atyre qeë i kishin vrarë djalin?!…
Isha krejt e turbullt, por vjehrra ime Kolja, ma hoqi si me dorë sikletin më priti në shtëpi si nusen e saj, bëri të gjitha shartet, sado që ne nuk i flisnim dot njëra tjetrës për shkat ë gjuhës.
Ajo ishte nga Frashëri, nga Frashërllinjtë e shquar. Unë e kam dashur dhe ajo më ka dashur shumë gjatë gjithë kohës që jetuam bashkë. Madje kam shkruar edhe një libër tërë për të, me titullin “Vjehrra ime, Kolja”.
Goja plagë nga buka e misrit
Kur erdha unë në vitet 1960 pashë se mungonte buka. Hrushovi gjatë vizitës së tij në Shqipëri pat deklaruar se: ”Aq sa ka nevojë Shqipëria për drithë gjatë një viti, ne na i hanë minjtë në depot tona”.
Ai i siguroi atëhere, se nuk do të vuanin për bukë. Por në politikë justifikohet çdo mjet në rast divergjence, ne s’dinim ende çfarë luhej në prapaskenat historike. Bashkimi Sovjetik kishte ndalur dërgesat me drithëra për të gjunjëzuar udhëheqësit shqiptarë.
Pra, filluan kursimet për bukën. Bashkë me bukën e grurit duhet të merrnim edhe bukë misri, madje ca më shumë. Kjo lloj buke hahej vetëm e ngrohtë. Duke ngrënë këtë bukë, mu bë goja plagë, prandaj fillova ta shpërndaja.
Buka e grurit ishte një delikatesë. Pakësimi i befasishëm i saj, ishte një goditje e fortë për popullatën shqiptare. Megjithatë unë asnjëherë në atë kohë nuk kam dëgjuar ankesa, sado që shqiptarët ishin shumë pranë barit, që ua tha Enver Hoxha një vit më pas.
Si i hapa 30 metra transhe!…
Pavarësisht se e huaj, unë isha një qytetare shqiptare, kështu që s’bëhej përjashtim, kam marrë pjesë në të gjitha aksionet, që ishin një shpikje e PPSH-së për vrapin në socializëm.
Në të vërtetë kjo ishte një punë heroike e popullit. Po ku shkonte gjithë ky akumulim i punës së papaguar i fshatit dhe i qytetit? Një zot e di.
Në vitet ’70, PPSH-ja presionit psikologjik mbi popullsinë i shtoi ndërtimin e veprave ushtarake të dukshme për të gjithë. Popullit iu bë thirrja që të ndërtonte transhetë midis bunkerëve në një kohë sa më të shkurtër. Të gjithë ne u treguam të gatshëm, por me vete mendova: “Oh, e shkreta unë, ç’na gjeti, kush i hap tani ato!” Çdo mësueses duhet të bënte vetë 30 m kanal, 1.20 m të thellë dhe 0.80 m të gjerë. “Kur një shoqja ime propozoi të më pakësonin normën si mësuese e vjetër, sekretarja e partisë u bë spec dhe urdhëroi prerë se secili duhet të bënte normën e vetë.
Ç’të bëja? Mendoja…, perëndia e Luftës do të mbajë dorën e vetë mbrojtëse mbi mua dhe nuk do të fillojë një luftë e re!
Dhe perëndia mitologjike e Luftës më ndihmoi këtë radhë. Engjëlli shpëtimtar u shfaq në figurën e ish-drejtoreshës sime, Elvana Manaj. Ajo dhe i shoqi, Lutfi Manaj ishin nga Vlora dhe Tepelena dhe kishin mbi 10 vjet në Kukës. Me një skuadër ushtarësh Lutfiu hapi tërë pjesën time të transhesë, që t’i mbyllte gojën sekretares së partisë.

Lufta kundër parazitëve, problem i madh
Ç’është e vërteta, në punën time si mësuese, unë jam ndeshur shpesh me problemin e parazitëve. Në fshat, ku kushtet e higjienës ishin më të këqija, mësuesit i kontrollonin nxënësit. Kur gjenin një morr, e mbështillnin në një copë letër dhe ia dërgonin nënës së fëmijës si mjet vërtetimi, siç më ka treguar kunata ime Hanëmja.
Po të mos e besonin prindërit, le të bindeshin vet në kokën e fëmijës!
Ndonjë herë parazitët na ngjiteshin edhe ne. Pyeta shoqet e mia si i luftonin këta mysafirë të “lezetshëm”.
Duke luftuar neverinë, e leva kokën me një përzierje vajguri dhe uthull. Kjo kurë radikale nuk i bënte mirë lëkurës sime të kokës, e cila edhe pa morra më hante tani, duke formuar shumë zbokth.
Në fshat, rreziku më i madh ishin pleshtat, të cilët e ndjenin veten mirë në mes të plehrave të bagëtisë dhe që nga stallat barteshin me vete nëpër dhomat e shtëpisë, ku në shtrojet prej kashte gjenin kushte ideale.
Kisha një ndjenjë pështirosjeje kur shihja në çarçaf njollat e tyre, që nuk laheshin mirë me mjetet e larjes së atëhershme. Unë, siç duket, duhet të kem patur gjak të ëmbël.
Gjatë qëndrimit në Kukës unë kam zënë tre-katër herë morra. Parazitet i merrja nga nxënësit, ashtu si dhe në Fier. Kulmi ishte, kur një ish student i Ilmiut na solli një “kafshë” të tillë në shtëpi. Mund të përfytyrohet lehte që unë pas kësaj nuk e shihja me sy të mirë ardhjen e tij. Kur i tregova shoqes “hallet” e mia, ajo më këshilloi që në raste të tilla t’i nxirrja shtrojet jashtë në të ftohtë, me qëllim që ata të ngordhnin.
Por kur nuk ishte ftohtë!?…
Kooperativat bujqësore ishin si një shtet i vogël, pa Ministri të Jashtme!
Kooperativat bujqësore i ngjanin një shteti të vogël, sigurisht pa ministri të jashtme. Ky shtet në miniaturë drejtohej nga kryetari i kooperativës, që në të shumtën e rasteve ishin njerëz që kishin bërë Luftën Nacionalçlirimtare ose të afërmit e tyre, që mburreshin dhe menjëherë shpërthenin.
Këta njerëz pa arsimin e përshtatshëm, tani urdhëronin edhe specialistët me arsim të lartë, të cilët në të shumtën e rasteve i kthenin në shërbëtorë, siç ishte rasti i një studenti të Ilmiut në kooperativën e Surrojt, që fshinte zyrën e kryetarit analfabet, i çonte atij kafen, ndizte sobën etj.
Me ndërhyrjen e Ilmiut, kryetari u shkarkua dhe gjërat vajtën në vend. Kur i thanë Ilmiut, ja dhe Isufin e shkarkuam, ai është përgjigjur: “Eh, ta dini ju, sa Isufa ka nëpër kooperativat e tjera” ”.
E vërteta në demokracinë socialiste kishte frikë. Të paktën, kjo bindje më është krijuar mua me ato që kam parë e dëgjuar.
Shqiptarët të bë bëjnë shpejt për vete, të “shqiptrizojnë” pa e kuptuar
Ilmiu, im shoq kish një fis të gjerë. Unë u njoha dhe u miqësova shumë me ta, u kam shkuar dhe më kanë ardhur në të mira dhe në të këqija. Janë njerëz të dashur dhe të afruar.
Jo vetëm ata, por në përgjithësi shqiptarët në drejtim të afinitetit dhe të të bërit shoqëri janë të veçantë, ata përshëndesin e urojnë të njohur e të panjohur, ofrojnë ndihmë dhe s’dinë ku të të vënë, kur të presin si mik. Ata tregohen impulsivë, të hapur ndaj çdo të reje dhe shtrohen mirë në biseda.
Në autobus, gjatë rrugëtimit a në kafe shqiptarët të pyesin mundësisht për tërë biografinë, janë artistë në marrjen e informacionit nga tjetri. Kjo gjë mua më është dukur prekëse.
Ndërsa për atë që pyetët ju, për lidhjet familjare, mund të them se në atë kohë ato kanë qenë të admirueshme dhe proverbiale, që rrallë i ndesh gjetkë.
Edhe unë u ambientova shpejt me këtë realitet, u përkujdesa për dy prindërit e Ilmiut deri sa ata u ndanë nga jeta.

