Masakra e Panaritit, eshtra që s’treten nga një heshtje e gjatë e historisë
Masakra greke e kryer 112 vjet më parë, më 10 korrik 1914, në Panarit të Korçës, përbën ngjarjen më të dhimbshme, më makabre e më të turpshme, realizuar mizorisht nga andartët grekë, kundrejt një popullsie të pafajshme, të pambrojtur e të mashtruar si ajo e Panaritit
Bëhet fjalë për 374 vetë të therur (e theksojmë, të therur) me thika, hanxharë e sëpata, jo të vrarë me pushkë në vijën e frontit a pas shpine, dhe kuptohen lehtë përmasat e kësaj tragjedie kanibaleske, rrënqethëse, për të cilën lexuesi, para shifrës, ndal frymën e s’do të dëgjojë më asnjë koment tjetër

Petrit Zeneli, historian
Dokumente dhe dëshmi
Petro Harizi në librin e tij “Istori konografike e Qarkut të Korchës“, botuar në Boston, në mars të vitit 1919, duke iu referuar dokumenteve greke, pasi jep listën e oficerëve grekë dhe të krerëve të bandave të Kretës, pjesëmarrës në Masakrën e Panaritit, shkruan për “trimëritë” e oficerit grek Strato, më i tmerrshmi në Panarit:
“Pasi u dha besën se nuk do t’i ngiste dhe i grumbulloi panaritasit nga ishin e nga s’ishin, një ditë, me të pandehur i zuri të gjithë burrat atje ku punonin, i lidhi dhe i shpuri në një fshat që quhet Melckë dhe atje i theri që të gjithë. Fëmijët e tyre, gratë dhe çiliminjtë e tyre i mbylli në një shtëpi të madhe të Pnaritit.
Më parë theri gratë një e nga një, porsi dhentë, pastaj merrnin foshnjat u çanin tepelekun e kokës me sëpatë, u derdhnin trutë dhe i flaknin si copë mishi. Pastaj i vunë flakën shtëpisë ku ishin therur gratë dhe çiliminjtë.
Bashkë me gratë e therura u dogjën edhe dy gra të gjalla që vetëm ishin plagosur. Si u dogjën gjithë këta njerëz, pas shumë kohë vazhdonte tymi dhe era e çmërstave… Egërsia e oficerit grek Stratos do të ngelet e paharruar sa të jetë bota” (Faqe 86-87)
…”Njohëm një andart prej Vardhës. Qe i shkurtër nga boja dhe rreth 22-23 vjet. Na tregonte me mburrje “trimëritë” që kishte bërë në Epirin e Veriut. Ai nisi historinë ksilloj: Atje ku hymë në një fshat myslimanësh (Panarit), si vramë, premë dhe dogjëm ç’gjetëm përpara, gjeta në fund edhe dy gra të moshuara në një shtëpi, një prej tyre qe me barrë. Sa për të dytë, nxora syngjinë, i çava barkun, i nxora foshnjën nga barku, ja mbajta lartë në majë të syngjisë, një hop, dhe pastaj si e pashë që e ëma dha shpirt, e vërvita foshnjën atje larg, tej!…” (Faqe 90)

***
Ata u therën, vetëm e vetëm pse ishin shqiptarë myslimanë, autoktonë në trojet e tyre, që me gjithë dhunën e egër nuk pranuan të quheshin grekë, atëhere është i qartë primitivizmi i një akti të tillë barbar, tejet të ulët, i kryer me paramendim, në fillimet e shekullit modern të XX-të.
Ky qe nje akt mizor, i turpshëm për shumë arsye:
Së pari, sepse u realizua nga komshinjtë tanë mijravjeçarë me të cilët kemi ndarë bashkërisht fatet e historisë, në të mirë e në të keq.
Së dyti, si ushtri pushtuese e një shteti agresor që paradoksalisht kishte pretendime territoriale në Shqipërinë Juglindore, nuk zbatoi as normën më minimale (e njohur botërisht) ajo e ndeshjes me forcat e armatosura vendase dhe jo me popullsinë civile të pa armatosur, të pafajshme e të pambrojtur.
Së treti, u krye në pabesinë më të madhe ndaj njerëzve të larguar fillimisht nga fshati, por që u kthyen me premtimin se “s’do t’ju prekim”; për më tepër u vu dorë mbi çdo moshë, duke mos kursyer edhe fëmijët në barkun e nënës, që ua nxirrnin me sfurqe e i flakërinin tej.
Panariti u mbyt në gjak; toka, përrenj e rripa u mbushën me kufoma trupash të copëtuar e të mbetur pa kokë. Tymi nga djegia e grave, vajzave e fëmijëve të therur e të hedhur në zjarr, në disa shtëpi të lagjeve Nakollarë, Ramollarë, mbi Rrezhdakë apo Hoxhallarë, qëndronte lart si re e zezë mbi Panarit, kurse shpezët e egra në qiell krakurisnin të trullosura nga ajri tejet i ngarkuar dhe e pabesueshmja që shihnin poshtë në tokë. Çfarë tmerri!

Si i mbajti vendi të krishterët panaritas dhe fshatrat fqinjë që s’klithën deri në kupë të qiellit për të dhënë alarmin e kësaj mënxyre?! Po çetave të famshme të bijve të saj si luanë, Qamil, Qazim e Xake Panariti, si u doli situata nga duart dhe nuk e parandaluan dot një kasaphanë të tillë?!
Plaku i Butkës shkuli flokët e vajtoi me lot, kur dëgjoi gjëmën që kishte ndodhur në Panarit, por sa para bënte! Me siguri që gjithçka ishte përgatitur në fshehtësi dhe u shfrytëzuan momentet e mungesës së forcave mbrojtëse në krahinë, por mbi të gjitha funksionoi (si gjithmonë) “kolona e pestë”, mashtrimi dhe pabesia greke.
U skuqën përrenjtë, rripat dhe krojet nga gjaku që derdhej lumë, po si s’u skuqën ata që heshtën dhe i vunë kapak kësaj gjëme, që për nga përmasat është e pashembullt jo vetëm në krahinat e Korçës, Kolonjës, Përmetit e Skraparit, por dhe në gjithë vendin, rajonin e Ballkanit e më gjerë.

??????????????
