Gjuha shqipe ka marrë të tatëpjetën, je shumë i vonuar, zoti Kryeministër!…

Gjuha shqipe ka marrë të tatëpjetën, je shumë i vonuar, zoti Kryeministër!…

Ilmi Qazimi

Më në fund, pas kaq kohë qeverisjeje, Kryeministri Rama u kujtua për gjuhën shqipe. Ai  tha dje në Kongresin e Arsimit, se ajo duhet “duhet mbrojtur nga ky kaos gjuhësor dhe komunikativ”. Shyqyr që foli, por a do të bëjë gjë!?…

 

Sipas bathëve, Pashkët janë larg. Po marrim vetëm një rast që gjuhës shqipe i është vënë zyrtarisht shqelmi:

 

Në programet e ripunuara  të  këtij viti mësimor për shkollat tona gjuha angleze do të jepet e detyruar tre orë në javë dhe gjuha shqipe do të jepet dy orë në javë. Gjithkush që e dëgjon këtë lajm të këtij lloj programi do të reagonte me habi, trishtim, revoltim dhe deri shqetësim publik. Si ka mundësi që ne paskemi një ministreshë që  e lejon këtë lloj,do ta quaj pa frikë, tradhti kombëtare më të lartën e kohës moderne, që gjuhën amtare ta vendosë pas gjuhës së huaj në mbarë sistemin edukativ-mësimor të fëmijëve të Shqipërisë?

 

Gjuhën tonë e studion bota shkencore dhe letrare, e studion  i miri dhe i ligu nëpër glob, dhe ne, me anë të një programi të një paloministrie, dashkemi ta kalojmë në plan të dytë e të tretë! Ku jemi? Ku vemi?

 

Si kanë bërë shqiptarët deri më sot që nuk e kanë pasur kurrë gjuhën angleze apo ndonjë gjuhë tjetër të huaj, pjesë të programit mësimor në shkollë? Përgjigja është e kthjellët: falë dhuntisë natyrore, vullnetit të rrallëshoq,nevojave jetike, e kanë mësuar  vetë dhe me mënyra të ndryshme krahas punës, në punë e sipër dhe ia kanë dalë mbanë për mrekulli “të Zotit!”.

 

Madje e kanë mësuar aq mirë sa , nuk janë të paktë  gratë dhe burrat shqiptarë,në emigracion apo edhe këtu në atdhe, që kanë arritur edhe  në detyrën e  mësuesit të gjuhës angleze, franceze, ruse,turke.

 

Që gjuha angleze të vihet si gjuhë e programuar në procesin mësimor të shkollës sonë nuk është as risi, as domosdoshmëri e as  dobi direkte, por një nevojë e dorës së dytë që e kthen në detyrim ligjor vetëm politika dhe politikanët! Kjo nuk ka nevojë për argumetim të mëtejshëm.

 

Politika servile e qeverive shqiptare proamerikane e sjellin si detyrim edhe mësimin e anglishtes  në shkollë, ndoshta, për t’u bërë më vonë, larg qoftë,  edhe gjuhë   zyrtare! Kjo duket qartë se  është politikë antishqiptare.

 

Ndaj nuk duhet të rrimë duarkryq por të gjithë, intelektualë dhe gjuhëtarë, mësues dhe  punëtorë, fshatarë dhe  minatorë, media e shkruar dhe ajo televizive,të gjithë ne që quhemi shqiptarë, kudo që jemi,të aktivizohemi me të gjitha mënyrat e të mbrojmë gjuhën tonë amtare, pasaportën e kombit tonë.Është amanet i rilindasve tanë, Naimi, Samiu Avdyli, Fishta, Mjeda, Çajupi…etj.

 

Me që foli Kryeministri dhe meqë e paska kaq merak për gjuhën, personalisht propozoj, meqënëse politika qeveritare e të tërë kryeministrave tanë postkomunistë (bij  komunistësh, realisht  plangprishës), kërkon që kjo gjuhë të vihet në programin shkollor, le të vihet, por do të mjaftonin një  deri dy orë në javë dhe kurrsesi tre orë në javë.

 

Njëherazi propozoj që gjuhës shqipe t’i shtohet edhe një orë e të bëhet katër orë në javë  ku fëmijve , nxënësve dhe  studentëve t’u mësohen tërë komponentët përbërëse të plotë të gjuhës shqipe. Në procesin mësimor ‘Gjuha Shqipe’ detyrimisht të jetë lëndë më vete dhe ‘Leximi Letrar’ të jetë lëndë më vete; kjo për arsye se është vetëm shkolla ajo  që formëson  drejt dhe e ngulit për jetë gjuhën e folur e të shkruar tek brezat pasardhës, e pastaj familja, puna,shoqëria.

 

Propozoj gjithashtu që ai ose ata, kushdoqofshin, nga më i thjeshti deri tek kryetari i qeverisë, që e kanë ideuar, hartuar, shkruar, detajuar, firmuar, propoganduar këtë program mësimor shkollor ku  gjuha shqipe të këtë dy orë në javë dhe ajo angleze tre orë në javë,të dërgohen para gjyqit për tradhti kombëtare.