Gjyshi im, Mitro Gjikdhima, mik i skraparllinjve: Si e masakruan grekët në Vlushë në vitin 1914

Gjyshi im, Mitro Gjikdhima, mik i skraparllinjve: Si e masakruan grekët në Vlushë në vitin 1914

Paskal Gjikdhima

 

Gjyshi im, Mitro Gjikdhima u lind rreth vitit 1874. Ishte më i madhi i tre vëllezërve dhe gjashtë motrave. I ati i tij ishte i pasur dhe desh ta bënte të birin të ditur, me shkollë, prandaj e dërgoi për prift në Athinë për katër vjet.

 

Mbasi mbaroi studimet për Teologji, fitoi titullin prift i një krahine të tërë, siç qe Mbrezhani, Malëshovë, Limari, Grabova etj. Kur u kthye nga studimet, i lutet të atit që të mos vishej prift, por të merrej me tregti me dy vëllezërit e tjerë. Zotëronte në mënyrë prefekte greqishten dhe anglishten dhe disi turqishten.

 

Vendi më i preferuar për tregti u bë Berati dhe bazën kryesore e kishte në Çorovodë dhe Vlushë të Skraparit. Hapi dyqane, furra, hane dhe një dyqan në Malëshovë të Përmetit, të cilin ja dha të vëllait të vogël, Janaqit. Nga viti 1893 deri më 1914 tregtia e tyre lulëzoi shumë dhe mori përmasa të paparashikuar nga tre vëllezërit. Tregtinë më të madhe e zhvilloi me furnizime që nga vajguri deri te mielli e sheqeri.

 

 

Siç dihet rrethi i Skraparit ishte 100%  bektashinj dhe jo si do kudo, por të emancipuar për kohën e atëhershme. Nga respekti që kishin për njëri-tjetrin, bëri dhe një vëllamë për jetë, që quhej Sinan Ylli ose siç e njihte Skrapari, Sinan Agai, burrë i dëgjuar e i respektuar në krahinën e tij me një pasuri të madhe dhe kryesisht një blegtori, që ishin njësoj si bagëtitë e vllenjve të njëhershëm.

 

 

Ai kishte shumë fëmijë, me sa jam në dijeni, edhe me funksione pas Luftës së Dytë Botërore, si vëllezërit Kahreman Ylli, Kastrioti dhe Aqifi etj. Në atë periudhë gjyshi u njoh me shumë patriotë skraparllinj, si Lace Backa, Mahmut dhe Servet Zaloshnja, Sakoll Radëshi, Meleq Staravecka, Muço Kapinova, Ali Koprencka, Sulejman Qafa e shumë e shumë të tjerë. Në Berat u bë mik me Babë Dudë Karbunarën, atdhetar i dëgjuar e i përkushtuar për gjuhën shqipe.

 

 

Kur gjyshi im bënte transportin e furnizimit, merrte nga Babë Dudë Karbunara libra të shkruara në shqip e sidomos Abetare e Këndim të botuara në Bukuresht e Sofje e i dërgonte për të mësuar fëmijët skraparllinj. Duke kaluar në krahinat e Skraparit, Përmetit dhe Kolonjës ai u bë ndërlidhës i rilindësve, si Babë Dudë Karbunara në Berat, Çerçiz Topulli, Riza Velçishtit, At Stath Melanit, Themistokli Gërmenjit etj.

 

 

Këto të dhëna janë bërë të ditura nga zotërinjtë Qemal Mançe nga Vlusha e Skraparit, ish- drejtor i Ndërmarrjes së Ndërtimit Durrës, Aqif Ylli, pensionist në Durrës, Garito Elmazi nga Brezhani, Samit Kaja Bakiasi, nga Kapinova e Skraparit. Këtë histori të shkurtër e njoha rastësisht më 1983 nga pohimet që bënë zyrtarisht zotërinjtë e mësipërm dhe zonja Butka.

Këtë hyrje paksa të gjatë nuk e bëra për të mburrur gjyshin tim, se atë që bëri ai në atë kohë, e bëri me vetë ndërgjegjen tij e nuk e bëra unë. I trajtova këto rreshta për të kuptuar e njohur ne nipërit dhe djemtë e tyre se çfarë kanë bërë ata e çfarë po bëjmë ne për kombin e për Shqipërinë.

 

 

Siç dihet, më 1914 viti makabër për Shqipërinë e Jugut, grekërit hynë në Shqipëri dhe bënë masakrat më të përbindshme. Vranë e prenë burra, gra, pleq, fëmijë, dhunuan ç’gjetën përpara. Forcat greke me në krye Kostë Beçorrin ishi instaluar në Miçan të Përmetit. Kostë Beçorri ftoi parinë e Skraparit për një bashkëbisedim dhe një gosti në Miçan. Në këtë situatë që ndodhej paria e Skraparit ngarkuan Mitran, si një njeri që dinte mirë gjuhën greke të zbulonte qëllimet e kësaj ftese, e cila binte erë pabesi. Këtë dyshim e kishin jo vetëm krerët e Skraparit, por edhe vetë Mitrua, sepse këto forma i kishin përdorur edhe herë të tjera me shqiptarët.

 

 

Këtë detyrë e mori përsipër Mitrua, duke hyrë në thellësi të forcave greke, i cili justifikohej si tregtar, dhe mbasi saktësoi mirë planin e Beçorrit kthehet në Koprënckë të Skraparit, ku ishte qendra e parisë dhe u thotë: “Mos shkoni në Miçan se Kostë Beçorri do t’ ju vrasë të gjithëve në pabesi siç e ka zakon”.

 

 

Krerët e Skraparit nuk shkuan në Miçan të Përmetit, por Kostë Beçorri u tërbua dhe u betua për një ofendim të tillë që i bënë skraparllinjtë. Më 12 qershor1914, duke u gdhirë, si u futën në fshatin Vlushë, kapin dhe e torturojnë Mitron në mënyrën më barbare që ai të tregonte se ku ishin krerët e Skraparit, e vrasin dhe e djegin të gjallë në dyqanin ku punonte dhe banonte.

 

 

Kjo ngjarje tronditi dhe alarmoi tërë krahinat e Skraparit, Kolonjës dhe Përmetit. Çeta e Sakoll Radëshit niset drejt vendit të ngjarjes në Vlushë pas një ore që ndodhi krimi dhe bie në përleshje me forcat greke. Nga ky luftim vritet Kostë Beçorri dhe një pjesë e madhe e shokëve të tij.

 

Për vrasjen e Kostë Beçorrit bën fjalë edhe libri i Papa Kostë Konomit “Tomorri” nga Leusa e Përmetit “Barbaritë greke në Shqipërinë e Jugut”, botuar në Amerikë në maj 1917. Por barbaritë greke në Jug të Shqipërisë i njeh historia mirë dhe shembulli që trajtuam më lartë është i përsëritshëm në çdo fshat jugor e në çdo fis, por ato duhen trajtuar e njohur çdo vit që brezat të njohin mirë gjitonin tonë jugor.

 

 

E sjell këtë ngjarje për “Orakujt e Tomorrit” në përkujtim të viktimave të 1914 të barbarëve grekë në jug të Shqipërisë, në Korçë, Tepelenë e deri në ullishtat e Vlorës, ku popullata shqiptare mbeti pa asnjë shpresë, në udhëkryq, ku vdisnin urie.