Grëmshi i Tomorricës, qendër e famshme e spahinjve osmanllinj, sot pa një shenjë jete

Grëmshi i Tomorricës, qendër e famshme e spahinjve osmanllinj, sot pa një shenjë jete

Zylyftar Hoxha

 

Siç e shihni, kjo është një foto e Grëmshit të sotëm që nuk ka nevojë për koment. I rrënuar deri nën themele, pa një shenjë ekzistence njerëzore, të sotme jo e jo, por edhe të mëparshme në formën e mbetjeve dhe relikteve arkeologjike. Koha e pamëshirshme, inondatat natyrore, luftërat dhe ndërhyrjet pa kriter e njerëzve të pandergjegjshëm kanë bërë të vetën dhe kanë sjellë këtë panoramë të dhimbshme,  të zymtë, të trishtueshme dhe prekëse për çdo njeri, qoftë edhe më zemërguri.

 

 

Por le të mësojmë se ç’ka qenë Gremshi në të kaluarën, të paktën katër – pesë shekujt më parë:

 

 

Në gjithë trevën e Tomorricës në mesjetë lulëzim më të madh pati fshati Grëmsh, sipas regjistrit osman, në vitin 1570 ai kishte 400 shtëpi dhe 18 dyqane, fshat-qytet jo i vogël për kohën, ku jetonin bejlerë e spahinj fermanlinj me tituj dhe me prona në Berat, Korçë, Fier, Maqedoni, Greqi, Thesali e gjetkë.

 

 

Kjo shtrirje bëri që emri dhe bëmat e Grëmshit të njihen brenda vendit, por edhe në sferat e larta të perandorisë osmane. Të njohur e bëri atë edhe biri i këtij fshati, Arkitekt Kasëmi, që në vitin 1595, pas shumë ndërtimeve që kish bërë në fshatin e tij të lindjes dhe në disa vise të tjera, u bë kryearkitekt i perandorisë me shumë kryevepra që janë edhe sot në Stamboll dhe Edrene.

 

 

Sipas një studimi që ka bërë i ndjeri Hetem Bakiasi dhe historiani Kasëm Biçoku, që është marrë me studimin e jetës së Arkitekt Kasëmit, Grëmshi mori të tatëpjetën në kohën e shthurjes së spahillëkut, ku një pjesë e bejlerëve dhe spahinjve humbën pronat e tyre, sidomos në territorin grek ku kishte filluar revolucioni dhe lufta për shkëputje nga Turqia.

 

 

E kësaj kohe ka qenë edhe lëvizja e frashërllinjve nga Grëmshi për të cilën Sami Frashëri në “Kamus Ul Alam”, faqe 123, thotë: “Bejlerët e Frashërit origjinalisht janë të shpërngulur prej rretheve të nënprefekturës së Tomorricës së Beratit dhe janë atdhesuar në katundin Stanimakë, që atyre iu dha si feud. Në periudhën kur Qyprili Mehmet Pasha ishte kryeministër, ky, si bashkëfshatar i bejlerëve në fjalë, lejoi njërin nga barku i Iljaz beut, duke i dhënë këtij katundin Frashër dhe disa katunde të tjera të banuara prej të krishterësh, në vend të fshatit Stanimakë…”.

 

 

Haxhi Skënderi nga Frashëri në kujtimet e tij shkruan: “Duhet të jem i drejtë dhe duhet të them të vërtetën ashtu siç e kanë ditur dhe e dinë populli i  Frashërit dhe i tërë Dangëllisë, se prejardhja e vëllezërve Frashëri është nga Tomorrica e Skraparit. Po të thosha të kundërtën, jo vetëm nuk do të isha i qetë në ndërgjegjen time, se do të fyeja ata pleq të mortshëm, që i tregonin fije e për pe rrënjët e fiseve të mëdha, ndërmjet tyre edhe familjen e famshme, por do të fyeja edhe Samiun që ka ditur historinë e botës e jo të tijën”.

 

 

Një tjetër figurë e shquar që pohon origjinën e tij nga kjo krahinë është edhe internacionalisti  italian Antonio Gramshi. Në një letër drejtuar motrës së gruas së tij nga burgu i Turit, më 12 tetor 1931, ai shkruan: “…Vetë unë nuk kam asnjë racë; im atë është me origjinë shqiptare të vonshme, familja iku nga Epiri pas ose gjatë luftës së vitit 1821…”.

 

 

 

Gjeografia e shpërndarjes së grëmshiotëve, pas shpërbërjes në shekullin e 17-18

 

 

Në studimin e Hetem Bakiasit gjen edhe këto të dhëna për shpërnguljen e grëmshiotëve

 

  • Në fshatin Përrenjas të Tomorricës 60 familje, me mbiemrat Jaubelli dhe Ganxha;
  • në Zaloshnjë, 50 familje, me mbiemrat Dosti, Musabelliu dhe Çarçani;
  • në Mëlovë, me mbiemër Zhiti, 20 familje;
  • në Turbëhovë, 80 familje me mbiemrat Koxhabellinj dhe Guri;
  • në Ujanik 90 familje me mbiemër Musabelliu;
  • në Trebël, 100 familje me mbiemrat Fejzo dhe Ismaili;
  • në Davidh, 20 familje me mbiemrin Omeri;
  • në Rehovë, 20 familje me mbiemrin Çeta;
  • në Vishanj 50 familje me mbiemrat Metani dhe Kaposhi (Kapllani);
  • Në Kuç, 15 familje me mbiemër Pollogati;
  • në Floq, me mbiemrin Zhuri;
  • në Krushovë, 40 familje me mbiemrin Zykollarë;
  • në Nishovë 30 familje, me mbiemrin Goxhaj.

 

Jashtë rrethit të Skraparit

 

  • në fshatin Çekin të Gramshit, 50 familje me mbiemrin Balliu;
  • në Velmish të Roskovecit, 20 familje me mbiemrin Velmishi dhe Goduni;
  • në Gjenoven, Velabisht e Palikësht të Beratit, 42 familje, me mbiemrin Grëmshi;
  • në Mazrrekë të Korçës, 30 familje me mbiemrin Brahimaj;
  • në disa fshatra të Korçës, 30 familje me mbiemrat Bejko dhe Ahmetas;
  • në Kozarë të Beratit;
  • në Sotirë të Gramshit me mbiemrin Agollarë;
  • në Cërrunjë, me mbiemrin Osmënaj; fshati Gramsh mbi qytetin e Gramshit.
  • Me origjinë nga Grëmshi ka edhe në shumë fshatra të tjerë të Skraparit, Beratit, Fierit, Korçës, Gramshit etj.
  • Po kështu mjaft banorë të Grëmshit janë vendosur në fshatrat arbëreshe në Greqi dhe Italinë e Jugut.