Histori – Etimologji

Histori – Etimologji

 

Muharrem Abazaj

 

Skrapari është bërë i njohur në gjithë Shqipërinë për shumë vlera, por dy prej tyre vlerësohen më tepër: është krahina që u çlirua e para në vend dhe vendi i rakisë me cilësi të rrallë.

 

Por Skrapari është bërë mjaft i njohur edhe në botë falë kanioneve të Osumit, të cilat përbëjnë një atraksion të veçantë turistik dhe një pasuri me interes ekonomik. Pikërisht ekzistenca e këtyre kanioneve duket se lidhet edhe me vetë emrin e lumit Osum.

 

Krahina e Skraparit, si gjithë trojet shqiptare, është banuar që në kohë shumë të lashta. Këtë e vërtetojnë më së miri zbulimet arkeologjike. Gjetjet në fshatin Vlushë të Skraparit janë përcaktuar si të periudhës së mezolitit, pra mbi 10 mijë vjet të hershme.

 

Për ne ka interes të dimë nëse stërgjyshërit tanë kanë qenë ata që i dhanë emrin këtij lumi. Provën më të saktë e jep gjuha, si tipari kryesor dallues midis kombeve. Emërtimi i këtij lumi, ashtu si shumë emërtime të tjera të Skraparit dhe të gjithë Shqipërisë, lidhet me gjuhën e paraardhësve tanë ilirë.

 

Njohuritë që kemi sot për ilirishten na japin mundësinë të kuptojmë pse ky lumë është pagëzuar me këtë emër. Shumë studime të institucioneve prestigjioze botërore kanë sjellë të dhëna mbi autoktoninë e shqiptarëve. Studimi i botuar në revistën shkencore “Nature Human Behaviour”, mbi ADN-në e shqiptarëve, ka forcuar më tej tezën e vazhdimësisë sonë që prej periudhave prehistorike.

 

Në territorin e Skraparit kanë banuar fiset ilire të dasaretëve, ndërsa në zonën e Tomorricës, pranë kufirit me Korçën, kanë jetuar enkelejtë. Edhe shumë elementë të traditës sonë – si Dita e Verës, Shëngjergjiu, këngët me iso, vajtimet me “oi”, veshjet popullore etj. – flasin për këtë trashëgimi të lashtë.

 

Këtë vazhdimësi e vërejmë edhe në emërtimet e lashta, përfshirë këtu emrat e lumenjve, mes tyre edhe lumin Osum.

 

Lumi i Osumit buron nga mali i Gramozit dhe ka një gjatësi prej 161 kilometrash. Ai përshkon gjithë Skraparin dhe në Berat bashkohet me lumin Devoll, duke formuar Semanin.

 

Në lashtësi, Osumi është quajtur Apsi. Ky emërtim, edhe pse na ka ardhur përmes gjuhëve të huaja, duket se ruan trajtën e tij të hershme ilire.

 

Sipas një interpretimi etimologjik, emri “Apsi” mund të jetë formuar nga bashkimi i dy fjalëve njërrokëshe: “ap” dhe “si”. Fjala “ap” lidhet me foljen “hap”, ndërsa “si” me emrin “sy”. Kjo trajtë e lashtë e fjalës “sy” ruhet ende në të folmen çame. Kuptimi i emërtimit del: “Hap sytë”, pra një paralajmërim për rrezik.

 

Kanionet e Osumit kanë një gjatësi mbi 10 kilometra dhe shtrihen nga Sharova, pranë Çorovodës, deri në Ambull, poshtë Zabërzanit. Shkëmbinjtë në të dy anët janë shumë të thellë, të thepisur dhe të rrezikshëm.

 

Zakonisht sasia e ujit nuk është e madhe, por gjatë reshjeve niveli rritet menjëherë dhe bëhet shumë i rrezikshëm. Banorët e zonës, sidomos gjatë verës, e kalojnë lumin në këmbë në disa vende ku terreni është më i sheshtë, si në Ambull, te Mulliri i Babajt, në Sharovë dhe në Varisht.

 

Në të dy anët e kanioneve derdhen disa përrenj, si ai i Sharovës, Dhoresit, Pigazit, Gërmenjit, Malindit, Rogut etj. Këta përrenj kanë një veçori të përbashkët: zakonisht kanë pak ujë, por gjatë reshjeve të forta fryhen menjëherë dhe sjellin prurje të mëdha. Për pasojë, edhe niveli i Osumit rritet me shpejtësi të frikshme.

 

Kjo ka qenë arsyeja pse në këtë segment të lumit kanë ndodhur shpesh aksidente me humbje jete. Përvoja e këtyre fatkeqësive i ka shtyrë banorët të paralajmërojnë vazhdimisht njëri-tjetrin për rrezikun e kalimit të lumit.

 

 

Ky paralajmërim i përsëritur shpesh mund të ketë ndikuar edhe në krijimin e emrit të tij: “Hap sytë”, tregohu shumë i kujdesshëm kur e kalon.

 

Edhe trajta e sotme “Osum”, sipas këtij interpretimi, lidhet me të njëjtin kuptim paralajmërues. Emri “Osum” mund të shihet si bashkim i tingujve: “o – s – um”.

 

“O” lidhet me pasthirrmën “o”, “s” me lidhëzën “se”, ndërsa “um” me foljen “humb”. Kuptimi i përgjithshëm del: “O, se humb!”

 

Pra, përsëri kemi të bëjmë me një thirrje kujdesi:

“Kujdes, se humb! Kujdes, se të merr uji!”