Historia e Qafallinjve të Beratit, një familje e madhe dhe me emër, e ardhur nga Skrapari para më se 120 vjetësh

 Historia e Qafallinjve të Beratit, një familje e madhe dhe me emër, e ardhur nga Skrapari para më se 120 vjetësh

 

 Fragment nga vëllimi “Qyteti pranë qiellit”  i  serisë së librave për Beratin të autorit Ylli Polovina

 

 

 Ylli Polovina

 

Kur për disa hyra në statusin e “dhëndërit të Skraparit”, pra pas martesës të ndodhur në verë 1978, familja jonë e kish një përvojë të mëparshme marrëdhëniesh me të ardhur në Berat nga kjo krahinë.

 

 

Motra e gjyshes time nga babai, Sanija, qe martuar me skraparlliun Rexhep. Ky kur qe vetëm tre vjeç, bashkë me dy vëllezër të tjerë, më të madhin, Myrton, dhe më të voglin, Arifin, djem të Sali Qafës nga fshati Qafë në shpinë të Tomorit, në motin 1911 patën zbritur përfundimisht në Berat, duke sjellë me vete pesëqind kokë dhi.

 

 

Një strehë të përkohshme për familjen e kishin gjetur, deri sa të ngrinin banesën e tyre, por për tufën e madhe të bagëtisë hë për hë nuk kish vend, prandaj i lanë në Milet Bahçe, shesh të madh të qytetit, për t’i rimarë e risistemuar përshtatshëm të nesërmen.

 

 

Por kur dita u gdhi në milet Bahçe por i priste vetëm një dhi çalamane, që nuk lëvizte dot shpejt.

Tërë të tjerat ua patën grabitur.

 

Familja Qafa u pikëllua shumë jo vetëm se u morën gjithë pasurinë e tyre, por edhe sepse mësuan që këtë akt përbuzjeje ua kishin bërë “kaurët”.

 

 

Në atë mot 1911, ndërsa shumë andartë grekë lëviznin në kufi për ta gllabëritur Shqipërinë e jugut në ato çaste kur tërë vendi po shkëputej nga Turqia për t‘u pavarësuar, mosdashja reciproke mes myslimanëve dhe të krishterëve ortodoksë në Berat qe e madhe.

 

Saliu do të vdiste shpejt dhe e shoqja, Vezirja, do të rriste jo vetëm tre bijtë e saj, por edhe një të katërt, jetim e bonjak, që e patën marë për ta shpëtuar nga uria dhe braktisja.

 

 

 

Vëllezërit Qafa

 

Duke qenë se Rexhepi e kishte shumë dëshirë të lexuarën, Myrto rregullin e rreptë dhe Arifi duart flori për të mbathur kuajt, ato kohë zanat i shumë kërkuar, të parin Vezirja e dërgoi në 1934 në Milano për t’u shkolluar në inxhinieri mekanike;  të dytin, pasi e kishte futur në xhandarmëri si tetar, e dërgoi në Romë në një akademi ushtarake. Të tretin e mbajti pranë vetes, sepse profesionin e nallbanit Arifi mund ta mësonte edhe në Berat.

 

 

Rexhepi u rikthye në 1936, 23 vjeç, dhe u martua, punoi shumë kohë, me gradën kapiten, si përgjegjës ofiçine në Durrës, ku riparoheshin makina të zyrtarëve të lartë mbretërorë, përfshi edhe të Ahmet Zogut.

 

 

Duke qenë se ishte shumë i matur nuk e përfshi jetën e vet nëpër labirinthe hakmarrjesh të të tjerëve. Myrto rihyri në xhandarmërinë shqiptare dhe atje kaloi edhe Luftën e Dytë Botërore, deri sa në 1945 komunistët e arrestuan dhe e dënuan me vdekje në një proces gjyqësor të politizuar në Kinema Kosova në Tiranë. Por më në fund masa e dënimit u ul në dymbëdhjetë vite.

 

 

Nga ajo skëterrë qelish e pati nxjerrë Mehmet Shehu, ministër i Brendshëm pas pushkatimit të Koçi Xoxes. Ishte ky që i zbuloi të vërtetën përse i patën hedhur prangat.

 

 

Kur Myrto qe në akademinë ushtarake të Romës, një student tjetër, me mbiemrin Kosova, italianët e përdornin seksualisht, me pëlqimin e tij, si gej dhe ky bashkë me një shok tjetër, prej këtij poshtërimi të një shqiptari, i bënë bashkëkombësit pritë natën dhe e rrahën mirë.

 

 

Mirëpo i biri i të rrahurit paq, S. Kosova, u bë partizan dhe pas lufte prokuror i rreptë. Qe ky që e mori në dorë hakmarrjen ndaj Myrtos, i cili nga natyra qe edhe ca gjaknxehtë.

 

 

Rexhepi me Sanijen

 

Shumë interesante është vendosja e emrave në familjen e Rexhep Qafës, më të lexuarit prej tre vëllezërve. Të parin e quajti Tomor. Shpjegimi: jemi bektashinj dhe ai është mali ynë i shenjtë.

 

I dyti u thirr Meleq, që në turqisht do të thotë Ëngjëll. Shpjegimi lidhej jo vetëm me fenë, por edhe me praninë e tyre të madhe në krahinën shumë afër Tomorit.

 

Mirëpo kur Meleqi qe vetëm një mot, e zuri në formë shumë të rëndë sëmundja e tokës. Për motakun qe fundi i jetës dhe kur po jepte shpirt, e gjyshja Vezire, sipas një këshille të pashkruar, thirri “Flamur, zgjohu!”

 

 

Dhe i vogli u përmend. Flamur do të qe emri i tij i ri. I ka edhe tani të dy: Ëngjëll dhe Flamur.

 

 

Birit të tretë të tyre çifti Rexhep (nga Skrapari) dhe Sanije (nga Myzeqeja) i vunë emrin Bardhyl. Shpjegimi: në nderim të mbretit të famshëm ilir.

 

Bardhyl do të thotë që prej lashtësisë “yll i bardhë”.

 

Bardhyli, Tomorri, Engjëlli, djemtë e Rexhepit

 

Ky simbol qiellor pagan gjendet me një intensitet të madh në të gjithë perimetrin demografik përreth Tomorit, përfshi edhe qytetin e Beratit. Këtë përshtypje e kam apriori, prej një sondazhi që bëra në internet.

 

Bile një çast m’u duk sikur Skrapari qe vendi i yjebardhëve (bardhylëve) dhe hajde ta gjejmë, në një çast tjetër, përse një shumicë banorëve të tij jo vetëm gjatë luftës, por sidomos edhe pas saj, u bënë yjekuq.

 

 

Për ta mbyllur këtu thelbin e rrëfimit të mësipërm të familjes Qafa: Tomori me shenjtërinë që ka krijuar edhe në ritin jetësor të vendosjes së emrave të një familjeje, përbën një institucion me ndikim të thellë social.

Kjo cilësi fitohet me shekuj.