Historia shkurt e Shtabit partizan të Qarkut të Beratit
U krijua në gusht 1943 sipas urdhrave të komandës së Shtabit të Përgjithshëm të UPVNÇ nga i cili edhe varej drejtpërdrejt. Shtabi i Qarkut të Beratit kishte komandant Mestan Ujanikun dhe komisar politik Gjin Markun (i pasuar nga Kahreman Ylli), dhe zv/komisar Iljaz Sevranin.
Shtabi kishte një organikë të miratuar nga Shtabi i Përgjithshëm, me specialistë sipas sektorëve të veprimtarisë së tij. Prej këtij Shtabi vareshin batalionet partizane dhe ato vullnetare territoriale, komandat dhe rojet e vendit edhe në krahinën e Skraparit.
Mestan Ujaniku
Shtabi i Qarkut të Beratit luajti një rol të rëndësishëm për drejtimin e veprimeve luftarake të reparteve partizane të qarkut, për mobilizimin e popullit në Luftën NÇ, për krijimin e forcimin e reparteve e njësive të Ushtrisë NÇ, për forcimin e lidhjeve e të bashkëpunimit të Ushtrisë NÇ me popullin e këshillat NÇ.
Gjin Marku
Veprimtaria e tij vazhdoi deri në prag të Çlirimit të plotë të vendit, kur grupet, batalionet e çeta partizane të qarkut u shkrinë në Brigadat Sulmuese të UNÇSH. Shtabi i Qarkut të Beratit e kishte vendqëndrimin e tij në Çorovodën e çliruar ose në fshatrat e Skraparit, deri sa u çlirua qyteti i Beratit, ku ky u vendos.
Ky Shtab u ndihmua drejtpërdrejt nga Komanda dhe Shtabi i Përgjithshëm i UNÇPV me urdhra, udhëzime, por edhe me kritika, siç ishte rasti i kompromisit të tij me komandën e forcave gjermane që hynin e dilnin në qytetin e Beratit.
Kahreman Ylli
Është e njohur kritika e rreptë që i bëri kësaj komande Komisari Politik i Shtabit të Përgjithshëm, Enver Hoxha. Për këtë arsye Gjin Marku u përjashtua nga Komiteti Qendror i Partisë Komuniste, ndonëse atij iu dhanë detyra të larta komanduese, në Brigadën VII (komandant i saj) dhe në Divizionin VI të Ushtrisë NÇ (komandant).
Më vonë Gjin Marku, për fat të keq, u dënua përsëri rëndë nga regjimi i Enver Hoxhës, për arsye që edhe sot e kësaj dite mbeten të errëta.