Historiku i gazetës “Jehona e Skraparit”

Historiku i gazetës “Jehona e Skraparit”

Zylyftar HOXHA

 

Në një vizitë që bëri udhëheqësi i Partisë së Punë së Shqipërisë, Enver Hoxha, në Skrapar, në vitin 1971, krahas të tjerave, me autoritet vendase u diskutuan edhe probleme të mbrojtjes dhe të sigurisë kombëtare, pasi Skrapari, me vendime të posaçme të Byrosë Politike të Komitetit Qëndror të Partisë, ishte projektuar, që, në rast lufte, të kthehej në  qendër, ku do të vendosej Shtabi i Përgjithshëm i Ushtrisë Shqiptare, Komiteti Qendror i PPSH si dhe “Blloku” i banimit të udhëheqjes së lartë të Partisë dhe shtetit. Pra të bëhej në një farë mënyre, “Kryeqyteti i Luftës”.

 

 

Në kohën që erdhi Enver Hoxha në Çorovodë, ishin në fazën përfundimtare, madje disa edhe kishin filluar nga funksionimi, mjaft objekte të “rëndësisë së veçantë”, siç quheshin atëhere. Kishte filluar Uzina Mekanike e Armëve dhe Municioneve në Poliçan; në lagjen e “Lamçeve” të Mollasit në Çorovodë ishin bërë depot e Thesarit të Shtetit, Arkivi i Qëndror Shtetëror, vilat Shetërore për akomodimin e udhëheqjes në rast lufte si dhe ishte ngritur një shtypshkronjë e fuqishme për kohën, që, në rast nevoje, do të nxirrte gazetën “Zëri i Popullit”.

 

 

 

Me sa kam marr vesh më vonë, makinat e shtypit që erdhën në Skrapar, kanë qenë pjesë e shtypshkronjës së patriotit Kristo Luarasi, e sekuestruar pas Çlirimit.

 

 

 

Në bisedë e sipër, sekretari i Parë i Komitetit të Partisë të rrethit të Skraparit, Teki Malindi, merr guximin dhe i thotë Enver Hoxhës: “Shoku Enver, meqenëse kemi shtypshkronjën, sikur të na jepnit mundësinë të nxjerrim një gazetë”!…

 

 

 

Enver Hoxha iu përgjigj: “Mirë e ke ti, Teki, por gazetë nuk kanë akoma rrethet e kategorisë së parë, ka vetëm Shkodra, Korça, Vlora dhe Gjirokastra dhe s’kanë të tjerët, si t’ua japim ju”?! Dhe, pasi u mendua pak, tha: “A e di që nuk e keq, ti Teki, deri sa e keni aty shtypshkronjën, shfrytëzojeni”!

 

 

 

Me të ikur Enveri, u caktuan dy instruktorë të Komitetit të Pastisë, Muhamet Basho dhe Bekatash Shahu të merreshin me gazetën, që në fakt ishte një buletin në një format A4. Ky buletin doli dy ose tri herë, nga nëntori deri më 1 shkurt 1972.

 

 

 

Më 1 shkurt të vitit 1972 doli numri i parë i rregullt i gazetës “Jehona e Skraparit”. U aprovua edhe kuadri i nevojshëm. Kryredaktor u vendos Muhamet Basho, redaktor Sefedin Çela dhe daktilografiste Shqiponja Sollaku. Natyrisht që gazeta dilte dhe e kishte të shkruar edhe në logo si organ i Komitetit të Partisë të Rrethit të Skraparit.

 

 

 

Duhet të sqaroj diçka në lidhje me Sefedin Çelën, si redaktor i “Jehonës…”. Sefedini në atë kohë ishte redaktor në gazetën “Zëri i Rinisë” në Tiranë. Në një moment tjetër, Teki Malindi i thotë Enver Hoxhës se i duheshin njerëz të kualifikuar për gazetën që kishin çelur. “Gjej, dhe merri”, i kishte thënë ai. Dhe Tekiu vrapon në Zyrën e Kuadrit të Komitetit Qendror. I tregon shefit atje për urdhrin e Enver Hoxhës, njëkohësisht jep edhe versionin e tij: “Kemi një djalin tonë këtu, në “Zërin e Rinisë”, na e jepni, të paktën një vit, të komanduar, sa të përgatitim tanët”, kishte thënë Tekiu.

 

 

 

Kaq u desh dhe Sefedini erdhi në Skrapar, si redaktor i gazetës. Punoi shumë dhe la gjurmë jashtëzakonisht të mira profesionale. I lumtur, për atë që e mbajtën fjalën, dhe i kënaqur me atë që kishte lënë pas, ai pas një viti iku përsëri në Tiranë.

 

 

 

Në vend të tij, erdha unë. Filloj punë si redaktor në gazetën lokale “Jehona e Skraparit” në korrik të vitit 1973. Një vit më vonë fillova edhe si telekronist i Televizionit Shqiptar për rrethin e Skraparit, punë që e bëja vullnetarisht, krahas punës në gazetë.

 

 

 

Duhet të them se këto kanë qenë vitet e mia më të mira të punës. Ndjeja kënaqësi nga një punë e frymëzuar. Punoja shumë, mënjanë puna në gazetë, përgatitja e materialeve, shtypshkronja që ishte me plumb dhe na hante kot një pjesë të mirë të kohës; nga ana tjetër shërbimet nëpër fshatra, ku grumbulloja material për gazetën tonë dhe shtypin qendror, por bëja dhe kronika televizive. Ku nuk kam shkuar, në brigada kooperativiste, në shkolla, shtëpi kulture, në pyje, në male, kush e di se sa herë jam gdhirë me barinjtë.

 

 

 

Pa le festat që Skrapari i kishte të shumta, duke filluar me Tendën e Qypit, Qafën e Liqedhit, Kulmakun, Qafën e Martës, Qafën e Gjarprit, Helmësin etj. Në to shkoja e i pasqyroja vit për vit, por jubilenjtë bëheshin madhështorë. Në ta, me që vinin të deleguar nga Qendra, vinin edhe grupe xhirimi të Televizionit, sidomos gazetari Alfons Gurashi dhe operatori Gazmir Shtino. Në këto raste reportazhin e festës e bënim bashkë. Por kishte raste që unë kisha marrë guximin dhe vetëm kisha bërë me atë copë aparat dokumentarë të gjatë televizivë, si një dokumentar për Radëshin dhe Gradecin, ku punova 15 ditë me radhë, një tjetër me marshues alpinistë në kulmin e dimrit në Ostrovicë dhe Çukën e Frëngut, veç kush e di sa telereportazheve 5 minutësh, që tani i quajnë speciale.

 

 

 

Kush e njeh këtë punë e vlerëson se ç’do të thotë të punosh pa skenarist, pa regjisor, pa operator zëri e drite. Ku të gjitha do t’i bëje vetë.

 

 

 

Në vitin 1979 për arsye të ndryshme u largova nga gazeta, për t’u kthyer te ajo vjet më 10 vjet më vonë, në vitin 1989, këtë radhë si kryeredaktor.

 

 

 

Fillova që në numrin e parë t’i jepja gazetës një frymë të re, më civile, duke shmangur shkrimet e rëndë në formë raportesh që bëheshin atëhere. Të shumtën e gazetës e zinin gjinitë e reportazhit, fejtonit, artikujt shkencorë.

 

 

 

Faqen e fundit e ktheva komplet në faqe kulturore. Në numrin e dytë botova një faqe të tërë për Petro Markon, me titull “Petro Marko dhe Skrapari”.

 

 

 

Nuk kaloi shumë dhe dhe gazeta u mbyll. Kishin filluar proceset demokratike. Dhe ajo pësoi marrëzisht të njëjtin fat, u përmbys dhe u harrua si shumë gjëra të tjera të ngritura me mund, djersë, pse jo, edhe gjak në atë kohë, që, pavarësisht ideologjisë, ishin vlera të vërteta, të paçmuara.

 

 

 

 

Stafi i gazetës “Jehona e Skraparit” në 18 vjet, nga krijimi deri në mbyllje të saj

 

 

 

Sefedin Çela – redaktor (I komanduar për një vit në rolin e kryeredaktorit)

Muhamet Basho – kryeredaktor

Bektash Shahu – redaktor (2 muaj)

Abdulla Braçe – redaktor

Zylyftar Hoxha – redaktor dhe më pas kryeredaktor

Enrieta  Sina – redaktore

Bashkim Koçi – redaktor

Riza Bregasi – redaktor

Ilir Manka – redaktor

Estref Shabani –redaktor

Baftjar Kalemi – redaktor

Islam Zaimi – korrektor

Zerdeli Qafoku – korrektore

Shqiponja Sollaku – daktilografiste

 

 

 

 

Bashkëpunëtorë (korrespondentë vullnetarë) të gazetës në vite

 

 

 

Mustafa Molla – Dobrenj

Jaçe Nuhu – Zhepë, Dobrebnj

Xhevahir Cirongu – Zhepë

Idari Carkanji – Gjerbës

Kujtim Hodo – Turbohovë

Hekuran Hysa – Zogas

Pëllumb Çuni – Mollas

Luman Caka – Potom

Enver Halili – Staraveckë

Kastriot Caka  – Poliçan

Asqeri Goxhaj – Bargullas

Bido Çongo – Buzuq

Muharrem Abazi – Çepan

Fiqiri Aliaj – Çorovodë

Vasil Qesari – Çorovodë

Xhemal Lamçe – Çorovodë

Neim Mustafaraj – Çorovodë

Bardhyl Ylli – Çorovodë

Enver Caka – Çorovodë

Iliaz Kapxhiu – Çorovodë

Asqeri Turhani – Çorovodë

Syrja Laze – Çorovodë

Sefedin Methoxha -Çorovodë

Rustem Bregu Çorovodë

Servet Sinani – Çorovodë

Pëllumb Çuni – Çorovodë

 

 

 

Në foto: Ky është aparati fotografik “Praktica” (Pentagon) i gazetës “Jehona…”, të cilin e kam edhe sot si kujtim në reliktet më të çmuara të mia.