In Memoriam: Abdurrahman Çela, ja pse ky njeri të bën ta kujtosh çdo çast

In Memoriam: Abdurrahman Çela, ja pse ky njeri të bën ta kujtosh çdo çast

Me rastin e 2-vjetorit të ndarjes nga jeta

 

Ka njerëz të mëdhenj me vepra të mëdha, të cilët i kujtojnë veprat që kanë lënë, ka personalitete me vlera të mëdha, që i kujtojnë vlerat, por ka dhe njerëz të thjeshtë, të zakonshmëm që i kujton shembulli i tyre, përditshmëria e tyre, një përditshmëri rrezatuese që kthehet në model dhe shembull për të tjerët.

I tillë ishte edhe ushtaraku me një karrierë të gjatë profesionale, Abdurraman Çela nga Zaloshnja e Skraparit, i cili para dy vjetësh humbi jetën nga sëmundja e Covid19.

 

 

Abdurramani lindi 82 vjet më parë në fshatin Zaloshnjë. Pas shkollimit në vendlindje, vazhdon shkollat ushtarake “Skënderbej, Shkollën e Bashkuar dhe me pas edhe Akademinë Ushtarake.

 

Me një karrierë të gjatë si oficer ka shërbyer në disa reparte ushtarake të Patosit dhe të Beratit. Është shquar për korrektësi dhe disiplinë të lartë në pune, por edhe si një njeri me zemër të madhe, shumë shoqëror dhe shumë i dashur me njerëzit.

 

Për ata që nuk e njohin shumë, pasi ai ka qenë një jetë të tërë larg vendlindjes, Abdurramani ka qenë i martuar me Safeten, vajzën e Neki Sulës, më të cilin kanë dy fëmijë, Turin, artist, pronari i lokalit në formë kështjelle, “Iluminatum”, pranë Urës së Peshkatarit, dhe Kelën.

 

Në librin “Neki Sula, dy libra në një – monografi dhe Zaloshnja histori” të autorit Zylyftar Hoxha, Nekiu shkruan kështu në kujtimet për dhëndrrin e tij, Abdurramanin.

 

“Sot më erdhi me rastin e ditëlindjes sime Abdurramani, Safetja, Turi dhe Kela. Është e premte dhe do të rrinë disa ditë. U gëzuam shumë, edhe unë edhe Gjyrxhia. Safetja është çupa jonë e madhe. Është martuar me Abdurraman Çela, nga Zaloshnja, pleqtë tanë, miq të vjetër, jo gjaku, por vërtet miq të mirë. Kjo miqësi u forcua me lidhjen e martesës së fëmijëve tanë. Abdurramani është oficer në Patos.

 

Mua perëndia më ka dhënë një djalë, Fatosin, e paça me jetë, por i ka supet ende të njoma dhe kam frikë se tani për tani nuk m’i bën dot ca gjëra. Ndaj unë shikoj në sytë Abdurramanin në këto raste. Ai ta heq litarin nga gryka. U gëzova kur e pash në derë. E kam mendjen të fjetur këto ditë që është ai këtu, se edhe shumë punë do të kemi me pritjen dhe përcielljen e njerëzve. Atij i vjen ndoresh për çdo gjë”.

 

 

Më tej, në libër shprehet edhe djali i Abdurramanit, Turi. Ja ç’shkruan ai nder të tjera:

 

Babi im ishte më i jashtëzakonshmi, më i përkryeri nga gjithçka njihja nga njerëzimi. I ngrohtë, gojëëmbël, këshillues i përhershëm e i palodhur për të thënë fjalët qetësuese dhe ekuilibruese.

 

Tashmë ka kaluar mbi një vit nga ndarja nga jeta e Tij, sëmundja e pabesë e Covidit të keq e mposhti më në fund të Pamposhturin, të Palodhurin që nuk u dorëzua kurrë e të thoshte qoftë edhe një herë të vetme “u lodha” apo të ankohej ndonjë herë ashtu siç bëjnë çdo ditë njerëzit e zakonshëm. Jo, ai jetonte për t’u dhënë dhe kurajo të tjerëve. Të gjithë atyre që i kishte pranë apo i takonte rastësisht.

 

I tillë kishte qenë gjithë jetën e Tij. Kështu tregonte i vëllai i Tij aq shumë i lidhur me Të, Fatmiri. Përherë i qeshur, i dashur me të gjithë e me një vrull të madh për jetën.

 

Dita më e lumtur e jetës së Tij ishte ajo e fillimit të shkollës “Skënderbej” me një dëshirë aq të madhe për dijen dhe ndryshimin, për të dalë nga ai mjedis i izoluar mes malesh. Kthesa e madhe ndodhi e, që nga ajo ditë, përkushtimi dhe sakrifica për të arritur të pamundurën në karrierën profesionale ishte shndërruar në ideal, por me mirënjohjen dhe respektin që gëzonte në shoqëri, gjithëçka e bënte më të lehtë.

 

Saranda ishte qyteti i parë ku u përball me punë ushtarake, pastaj Gjirokastra, ku mësoi aq shumë nga kultura e qytetit të gurtë dhe, menjëherë pas kësaj, pranimi në Akademinë Ushtarake e bëri atë të ndihej më i ndërgjegjshëm për sfidat që e prisnin.

Më 1968 erdhi martesa dhe ngritjet në grada, në fillim në Patos, ku familja Çela krijoi një respekt dhe mirënjohje të paimagjinueshme në të gjithë lagjen dhe qytetin. E paharruar mbeti fqinjësia dhe shoqëria e madhe e krijuar me njerëzit aq të mirë të asaj kohe, e që nuk mund të përsëritet kurrë në ditët e sotme.

Për shkak të pranisë së madhe të gazit në ajër e që mamin e bënte të mos ndihej mirë, Babi u transferua në Berat si komandant i Forcave Vullnetare të Qarkut.

 

Ditët e lumtura për familjen ishin aq të shumta, pasi vëllezërit, motrat e kushërinjtë e shumtë nga Poliçani, Çorovoda e fshatra e tjerë vinin, iknin e ishin të pranishëm çdo ditë në shtëpi, duke u fjalosur dhe ndihmuar me ç’të mundnin në atë kohë, duke e bërë çdo ditë të bukur dhe aq shumë të dashur për ta jetuar dhe të pakrahasueshme me ditët e ftohura të njerëzve të sotëm.

 

Tranzicioni i egër i viteve ’90 që bëri të mundur prishjen e çdo lloj raporti njerëzor, solli dhe reformën në ushtri dhe lirimin nga detyra të Babit. Të papunë të dy, të zhgënjyer, të pezmatuar, të mbetur pa të ardhura bashkë me mamin, u munduam të shisnim vogëlsira në një kioskë të vendosur pranë pallatit dhe të fitonim lekët e parë të kohës së Re të demokracisë…

 

Më në fund u hap “Classiku” i famshëm në Tiranë, ku u desh aq shumë energji dhe sakrificë për të arritur të pamundurë në përballjen me ralitetin aq shumë të vështirë në Tiranën e viteve ’90.

 

Pas “Classikut” u ndërtua Kështjella e madhe, ku prania e Avdurramanit ishte në çdo gur e centimetër toke me prezencën, këshillat dhe ruajtjen e krahëve të ngrohta si siguri për vazhdimësinë”.

 

 

Qetësi, paqe e përjetësi Parajse për Abdurramanin!