Rubrika e Ylli Polovinës, “Muzakajt dhe zotërimet e tyre në trevat rreth Tomorrit”: Tomonista dhe Tomorniza…(Pjesa e parë)

Rubrika e Ylli Polovinës, “Muzakajt dhe zotërimet e tyre në trevat rreth Tomorrit”: Tomonista dhe Tomorniza…(Pjesa e parë)

Tomonista (Tomori i Vogël) dhe Tomorniza (Tomori i Madh), dy hapësira gjeografiko-administrative të Muzakajve në të dy anët e Tomorrit

 

Ylli Polovina

 

Për fat të keq botimi i Emanuele Politos (“I Musachi di Berat” (“Muzakët e Beratit”), Lecce 1960), deri tani jo vetëm publikimi më i fundit i përkujtesës së shkurtër trashëgimore të Gjon Muzakës, por edhe më i përhapuri dhe për pasojë, pse jo deri tani edhe më ndikuesi, ka pasaktësi të shumta për termat Tomonista dhe Tomorniza (shqip Tomonishtë dhe Tomoricë). Ato, madje, ndërrohen dhe ngatërrohen disa herë me njëra-tjetrën.

 

E para ka të bëjë me shprehjen gjeografike të asaj që princi i Beratit e quan Myzeqeja e Vogël. Nëpër kohë jo vetëm emërtimi Tomonishta ka humbur pa lënë gjëkund, në ndonjë emër fshati, lugine, kodre apo lëndine, gjurmën e saj, por edhe e barasvlershmja me të. As Myzeqe e Vogël nuk ekziston më, edhe pse nga rrëfimet e Gjon Muzakës kuptohet se më shumë nga një cilësim popullor i territorit qe një emërtim pothuaj administrativ, i qarkulluar mes familjes dhe nëpunësve të saj.

 

E dyta, Tomorniza (Tomorica), siç dihet jo vetëm ka mbijetuar, por edhe përdoret sot masivisht.

 

Sipas Emanuele Politos dhe një sqarimi të tij të kryer në faqen 74 të librit, “Tomonista” (“Tomori i vogël”)”, është “zona në juglindje të Beratit të sotëm”. Në faqen 76 shpjegon “Tomorniza” (“Tomori i Madh”), zonë në lindje të Beratit që shtrihet gjer në Çorovodë”. Gjeografikisht, gjithnjë sipas konceptit të tij, ai i ka të qarta vendosjet në terren të dy hapësirave. Në të dy rastet ai i sheh Tomonista dhe Tomorniza përreth malit të Tomorit dhe të lidhur me të.

Mirëpo për shkak të një tingëllimi fonetik si edhe një formimi drejtshkrimor mjaft të ngjashëm, në “I Musachi di Berat” ato ngatërrohen. Një pjesë të këtij gabimi e shkakton përkthyesi, një tjetër teksti në italishten e sotme. Ndonjëherë nuk mbetet pas edhe autori.

 

Po nuk e shkoqitëm këtë pështjellim, i cili duhet thënë se nuk është bërë aspak  posaçërisht apo me ndonjë prapamendim, nuk mund të dalim dot tek sipërmarrja për të vërtetuar me emërtimin “Myzeqe e Vogël” se fusha e ka marrë emrin prej familjes Muzaka dhe jo nga fisi ilir i Mollosëve.

 

Për herë të parë fjala Tomonista përdoret prej Gjonit, kur duke u rrëfyer tre bijve për kufijtë e pronave të themeluesit të dinastisë, Andreas së Parë, e vendos atë në këtë shtrat përmbajtjeje: “Kur mbreti Federiku i Aragonës, në atë kohë princ trashëgimtar, shkoi me ushtrinë e mbretit Ferrante…unë që ndodhesha në territoret tona, në Myzeqenë e Vogël, të quajtur Tomonista, qesh thirrur …”. Për herë të dytë, sërish duke shpjeguar pronat e Adreas së Parë: “Ka zotëruar e qeverisur pjesën tjetër të Muzakisë, karshi Beratit, Tomonista, që është Muzakia e Vogël”. Në tekstin italian kjo fjalë është në formën e pasaktë Tomornista, kurse në origjinal Tomonista. Në rastin e tretë kjo fjalë ndodhet e futur gabimisht, si Tomorniza, në shprehjen e mëposhtëme: “Pas vdekjes së tim ati, Skënderbeu e përvetësoi edhe Tomonishtën, domethënë Myzeqenë e Vogël”.

 

Ndërkohë për herë të parë termi gjeografik tjetër, Tomorniza, shfaqet vetëm dy-tri radhë më poshtë: “Ishin në zotërimin e tij krahina e Tomoricës dhe gjithë fshatrat që ndodhen në luginë, në rrethinat e shpatet e malit të Tomorit, nja gjashtëdhjetë fshatra, duke filluar nga ai i Dardhasit e deri tek Tresteniku”. Ndërsa në origjinal, italishten e vjetër, fjala është Tomorniza, në atë të re shkruhet Tomonista. Përkthyesi i ka shpëtuar pasaktësisë në fije të perit.

 

Lugina e Osumit, para se të shkosh në Çorovodë

 

Për herë të dytë në testament e gjen ndërsa Gjon Muzaka u ndan pronat tre djemve të tij. Aty termi Tomorniza rri mes këtyre fjalëve “Ndërsa juve, Don Adrian, po të lë Tomoricën me të gjitha vilat dhe fshatrat e saj…” Saktësisht kështu është edhe në të dy variantet e gjuhës italiane. Për herë të tretë dhe të katërt, për fat pa u ngatërruar, Tomorniza përdoret në këto tekste “Duhet pasur parasysh se në Tomoricë, pronë e jona, me sa di unë, ishin katër baronë…” dhe “Siç ju kam thënë Tomorica ishte pronë e familjes sonë dhe këta baronë ishin shtetasit tanë”. Për herë të pestë Tomorniza gjendet kur të bijve Gjon Muzaka u dëshmon “Dëgjoni, fëmijët e mi, në territorin e Tomoricës është një fshat i quajtur Horkova…”

 

Tomonista dhe Tomorniza, këtë herë ngatërruar, gjenden edhe në një shtojcë testamenti të cilën, bashkëngjitur me të të atit, e hartoi më 1445  dhe e plotësoi më 1550, i biri i tij i tretë, më i vogli i djemve, Kostandini: “Por siç ju kam thënë, në Shqipëri, mbetën disa zotërinj midis të cilëve Dukagjini në një pjesë të territoreve të tij; Gjon Muzaka, i biri i Gjin Muzakës, në atë pjesë të Tomoricës, pra tek Myzeqeja e Vogël…”. Në të dy variantet e tekstit italisht fjala është në formën korrekte Tomonista.

 

Nga një analizë e këtyre të dhënave të sapo cituara dhe me një përpjekje jo të lehtë për të nxjerrë nga mjegullimi çfarë nënkupton princi i Beratit me këto dy emërtime gjeografike, mbetet më pak e ngjarë që Myzeqeja e Vogël të ketë qenë vendosur në fushën dhe luginën e Osumit, e cila sot përmban edhe qytetin e Kuçovës. Vërtet Gjon Muzaka shkruan se ajo është karshi kështjellës, por kjo nuk të jep siguri të mjaftueshme se e ka fjalën për pamjen e saj dhe të Beratit prej hyrjes së sotme, nga rruga që vjen prej Durrësit. Edhe atëherë ajo ishte e rëndësishme, korridor i gjallë lëvizjeje, me emrin “Rruga e Kripës”, por ndërkohë zhvillimi më i madh i zonës nuk gjendej nga ky krah, por në të anasjellin, në atë të Tomorit. Qe ky rajoni nëpër të cilin kalonte një korridor shumë më i madh komunikimi, rruga kontinentale iliro-romake, për të cilën do të flasim posaçërisht në një kapitull të veçantë në libër. “Karshi” Gjon Muzaka me siguri e ka përfytyrimin prej kësaj kahe, jo thjesht se në atë hapësirë ata kishin vendlindjen e tyre, Zerecin dhe shtetin e parë, Oparin, por edhe sepse vitet e fundit para se të ikte si refugjat politik ai i kaloi aty.

 

Tomorrica me Tomorrin në krah

 

Tomonishta duhet të jetë pikërisht ajo që mendon edhe Emanuele Polito, veç duke mos ja pranuar shpjegimin e tij se kjo do të thotë Tomori i Vogël dhe Tomorniza është Tomori i Madh. Është krejt e kundërta.

 

Duke qenë se edhe Gjon Muzaka kur thotë Myzeqeja e Vogël e ka fjalën për luginën dhe zonën kodrinore, e cila në juglindje të Beratit i ngjitet malit të Tomorit deri në lartësinë e tetëqind metrave mbi nivelin e detit, atëherë emërtimi i saj nuk vjen prej logjikës se është vazhdim gjeografik i fushës së Myzeqesë, por sepse thjesht përbën pjesë të pronave të Muzakajve.

 

Me një fjalë fusha e madhe, dikur me emrin e Savrës, qe bërë e Muzakajve (Muzakie, Myzeqe). Muzakie, Myzeqe, pra pronë e tyre, ishte edhe territori kodrinor i afro  gjashtëdhjetë fshatrave pranë malit të Tomorit. Ndryshimi mes tyre nuk qe në llojin e relievit, por thjesht në përmasa: e para qe e madhe dhe tjetra e vogël.

 

Ky emërtim i dytë, Myzeqeja e Vogël, duhet të ketë qenë më i vonshëm dhe për rrjedhojë jo i ngulitur dot përfundimisht. Në hapësirën ku pretendoi të fiksohej në dokumente dhe harta ishte i gjithëfuqishëm,për shkak të famës mijëvjeçare si vend i shenjtë perëndish, mali i Tomorit. Emri i tij qe i paheqshëm, i padënueshëm, i pazëvendësueshëm. Po ashtu edhe fjalëza bijë e tij, Tomoricë. Pse jo edhe Tomonishta, e cila sot nuk ka mbijetuar, të mos ketë ardhur prej ndonjë forme shumë më antike të emrit të malit, përderisa në lashtësi, sipas historianit romak Straboni, ai thirrej Tomaros dhe Tamari sipas Plin Secundit. Në rastin e mbijetimit të fjalës Myzeqe si territor gjeografik logjika bën udhë më shpejt: një emër katundi apo edhe qyteze të vjetër, si Savra që për një kohë i pati dhënë tingëllimin e vet fushës së madhe, nuk mund të barazohej dot me peshën e dinastisë, krerët e të cilës nuk qenë thjesht pronarë të vjetër e të vazhduar të saj, por edhe qeverisësit e të gjithë territoreve shqiptare të kohës. Ata qenë mëkëmbës të vetë perandorit të Bizantit.

 

Më kot Gjon Muzaka mendonte se përkatësia nga Mollosët i kishte dhënë nënshtetasve të tyre të Myzeqesë, vetë territorit dhe po ashtu edhe dinastisë së tyre, mbiemrin. E kishin vetë aq të shquar sa të mos kishin nevojë të mbartnin, patjetër sipas stilit të kohës, një legjendë.