Nga orakujt mitikë, te “Orakujt e Tomorrit”

Nga orakujt mitikë, te “Orakujt e Tomorrit”

Disa miq, lexues dhe ndjekës  të gazetës tonë “Orakujt e Tomorrit” na kanë pyetur pse gazeta jonë mban këtë emër (logo).

 

Duhet të sqarojmë se që në fillim të herës, ky emër (apo kjo logo) është diskutuar gjatë mes organizatorëve, ideatorëve dhe krijuesve të redaksisë si dhe me specialistë të fushës, të cilët më pas e kanë miratuar.

 

Po, ç’janë orakut dhe ç’lidhje kanë ata me gazetën tonë?

 

Sipas Fjalorit të Gjuhës së Sotme Shqipe”: Oráku/ll,-lli emër i gjinisë mashkullore; numri shumës; -j(t)

  1. term në histori; tempull i lashtësisë, ku priftërinjtë paganë parathonin diçka në emër të hyjnive ose parashikonin të ardhmen; hyjnia që paralajmëronte diçka ose parashikonte të ardhmen: orakulli i Dodonës, i Delfit.
  2. kuptim i figurshëm; i ligjërimit libror; ai që i paraqit mendimet e parashikimet e veta si të vërteta të pakundërshtueshme. Në rolin e orakullit.

 

Në botën antike disa nga njerëzit më të rëndësishëm qenë orakujt – të dytët, pas sunduesit më të madh dhe vetë Zotave. Ata këshillonin njerëzit për të gjitha çështjet me rëndësi; nga martesa, deri te lufta dhe punët e përditshme.   

Orakujt më të rëndësishëm ishin: Orakujt e Dodonës, Orakujt e Delfit etje., por ishin e dhe Zërat e Perëndive, ku të sëmurët do të flinin nëpër faltore për t’u treguar mjekëve për sëmundjet e tyre; ishin Nekromanteionët ose orakujt enigmatikë të të vdekurve, që mund të kontaktonin me të vdekurit, të cilët jepnin këshilla dhe bisedonin në një farë mase me botën e përtejshme.

 

Për trojet tona të lashta kanë qenë Orakujt e Dodonës Mëmë të Tomorrit, që flisnin me gjuhën e gjetheve të lisit kur i tund era ose me shtegtimin e pëllumbave.

 

 

Miti i Orakujve ka shumë variante, por në thelb mbetet i njëjtë: ata ishin parashikues të fateve njerëzore.

 

Siç dihet roli i shtypit, i medias, i gazetave është që ata të kthehen në misionarë të edukimit të njerëzve, në ndriçues të rrugës së tyre nëpërmjet të të vërtetave.

 

A nuk bënin afërsisht të njëjtat gjëra orakujt e lashtë në kohën e tyre?

 

…Se përputhej me këto parime të larta morale, ndaj dhe ne ia vumë emrin (logon) Orakujt e Tomorrit.