In Memoriam / Ja pse nuk harrohen njerëzit si Faslli Nuhu (Leskova)

In Memoriam / Ja pse nuk harrohen njerëzit si Faslli Nuhu (Leskova)

Ai iku ashtu, pa bujë, pa zhurmë e pa zë, siç edhe kishte bërë gjithë jetën: kishte luftuar fort, kishte punuar fort, kishte bërë shumë gjëra të mira dhe të dallueshme në jetë, por anjëherë nuk i ra gjoksit, nuk doli përpara rrjeshtit, por ndenji atje ku atij iu duk më e arsyeshme të rrinte, pas të tjerëve dhe me të tjerët si në një siluetë gati të paidentifikueshme fotografie.

 

I tillë, i mirë, i urtë e fjalëpak ishte Faslli Nuhu nga Leskova e Tomorricës.

 

Kishte lindur më 15 mars të vitit 1928. Që kur ishte fare i vogël, bashkë me motrat, filloi të punonte në ara, ndërkohë që kishte filluar lufta dhe shumë njerëz, sidomos të rinjtë, e kishin mendjen andej. Natyrisht, edhe Faslliu.

 

Nën ndikimin e bashkëfshatarit të tij, mësuesit dhe agjitatorit Asllan Shatro, që sa kishte ardhur nga internimi në kampin famëkeq të Ventontenes të Italisë, një ditë hodhi pushkën në krah dhe si shumë bashkëmoshatarë u radhit në batalionin partizan “Ajet Xhindole” dhe më pas në Brigadën e 10 Sulmuese. Ishte vetëm 16 vjeç, kur u fut në rresht.

 

Nga fundi i inkursionit të luftimeve, më 13 nëntor 1944, 15 ditë para çlirimit, në një nga luftimet pranë Tiranës plagoset rëndë nga një cifël mortaje. Shtrohet në Spitalin Civil të Tiranës dhe më pas në qendrën e rehabilitimit në Durrës deri në maj të vitit 1945.

 

Edhe pse u bënë shumë përpjekje për t’ia hequr një copë predhe nga trupi, nuk u bë e mundur dhe ai atë copë hekur e mbajti me vete deri sa u largua nga kjo jetë.

 

Punoi në bujqësi. Për 18 vjet ka qenë brigadier, pak kohë në këshillin e bashkuar në Zhepë, pastaj roje tek depo e armatimit dhe në centralin e fshatit.

 

Shpesh herë, kur shkonte në mbledhje nëpër forume të ndryshme në Çorovodë, iu gëzohej takimeve  me shokët e armëve, Njazi Çepani, që kishte qenë komandant i tij në Brigadën e 10-të Sulmuese partizane; bashkëluftëtarëve, Skënder Bega, Et’hem Dosti e shumë të tjerëve.

 

Jetën më pas, edhe pse në fshat dhe  invalid, e bëri  të mbushur plot, se bashkë me bashkëshorten e tij, Hurmanë, lindën dhe rritën nëntë fëmijë, dy djem dhe shtatë vajza, që iu zbukuran jetën dhe i bënë të harronin të kaluarën.

 

Pjesë nga fjala e lamtumirës së Nënë Hurmasë, botuar në gazetën “Jehona e Skraparit”

 

Djali i madh, i Faslliut, Fadili, në vitet e lulëzimit të Kombinatit Metalurgjik të Elbasanit ishte një nga emrat më të njohur jo vetëm në tërë Elbasanin, por në tërë vendin si një si nga metalurgët Heronj të asaj kohe. Fatkeqësisht, iku shpejt nga kjo jetë nga spoku dhe ngarkesa që kishte marrë nga pluhurat toksikë në mushkri.

 

Fadili me nipër dhe mbesa

 

Djali i dytë i Faslliut është Hajri Nuhu, një figurë e njohur publike, në fillim në Skrapar, si një nga drejtuesit e Rinisë në këtë rreth, komandant i Aksioni Kombëtar në Bogovë dhe më pas si mësues dhe publicist; ndërsa më vonë në Durrës, si dretor i shkollës 9-vjeçare “Met Hasa”, kryetar i shoqatës “Tomorri”, dega Durrës dhe anëtar i bordit të gazetës on line “Orakujt e Tomorrit”.

 

Hajriu me nipin e tij, djalin e Fadilit, Nertilin 

 

Nën shembullin e devotshmërisë, urtësisë dhe mirësjelljes me njerëzit të prindërvërve të tyre ecën edhe vajzat, që sot, në moshë kanonike, iu gëzojnë fëmijëve, nipërve dhe mbesave, që kanë mbushur oborret dhe shtëpitë e tyre, pa harruar ata që i sollën në jetë, Faslliun dhe Hurmanë.