In Memoriam / Doktor Kiço Vangjeli, një njeri i dashur dhe i respektuar që, fatkeqësisht, iku shpejt

In Memoriam / Doktor Kiço Vangjeli, një njeri i dashur dhe i respektuar që, fatkeqësisht, iku shpejt

 

 

Ishte koha kur Skrapari në mungesë të kuadrove dhe specialistëve të lartë të tij, ishte mbushur me mësues, mjekë, inxhinierë, agronomë, mjeshtër prodhimi të rretheve të tjerë, kryesisht nga Berati, Korça, Vlora, Gjirokastra etj.

 

Dhe mjeku korçar Kiço Vangjeli, i ardhur në vitin 1968, ishte njëri nga ata.

 

Skrapari, sa e mbante kokën lart për historinë, heroizmin dhe patriotizmin e tij, aq dhe e ndjente në thellësi dhe brendësi varfërinë e madhe, jo vetëm materiale, por edhe atë kulturore. Vërtet ai rrezatonte një kulturë të trashëguar shumë të lartë dhe të respektuar, por, fatkeqësisht koha, luftërat, fukarallëku e kishin lënë ende larg civilizimit.

 

Ndaj këta kuadro që erdhën, veç punës në profesionet e tyre, suallën edhe qytetërimin, kulturën e jetesës dhe të sjelljes shoqërore andej nga vinin.

 

Mund të sjellim plot shembuj se si ata, pa thënë asnjë fjalë, ndikonin në kulturën dhe edukatën shoqërore dhe qytetare në ambjentin ku punonin dhe jetonin nga mënyra se si ata silleshin me njerëzit, se si visheshin, se si komunikon me komshinjtë se si ata ndihmonin për përmirësimin e mënyrës së ushqimit, të higjienës.

 

Një nga këta, kampion rrezatues ka qenë doktor Kiço Vangjeli:

 

 

I veshur thjesht dhe bukur, pse jo, i modës dhe me sqimë, i pastër, shumë i edukuar dhe i kulturuar, i shoqërueshëm dhe i  gjendur kurdoherë pranë njerëzve hallexhinj dhe në nevojë.

 

Shumë shpejt ai u bë miq me të gjithë bashkëqytetarët, aq më tepër kur lidhi jetën bashkëshortore me vajzën e një njeriu shumë të njohur në Skrapar, Sefe (Bregut) Radëshit, Karafilen, dhe në këtë bashkëjetesë harmonike selitën, rritën dhe edukuan katër vajza të mrekullueshme.

 

 

 

Po kush ishte Kiço Vangjeli…

 

Kiço Vangjeli kishte lindur në Korçë. Shkollën fillore, 7 – vjeçare dhe të mesmi i kishte bërë në vendlindje.

Në vitin 1968 mbaron fakultetin e Mjelësisë, në specialitetin mjek i përgjithshëm dhe emërohet në Skrapar.

 

 

 

Filimisht punoi në spitalin e Poliçanit dhe më pas në në atë të Potomit.

Në vitin 1971 emërohet në spitalin e Gjerbësit, ku punon deri në vitin 1974.

 

 

Në vitin 1974 u emërohet drejtor i Drejtorisë së Higjienës, Skrapar. Pas mëse 10 vjetësh në këtë detyrë, në vitin 1985 emërohet mjek në Grepckë .

 

 

Ne vitin 1998 transferohet në Tiranë ku punoi si mjek në pozicione të ndryshme, por, për arsye shëndetësore e ndërpreu punën.

 

 

Ndërroi jetë në vitin 2005, në një moshë ende të re, pa gëzuar deri në fund vajazat e tij, të cilat, edhe me kujdesin e Karafiles,  tashmë janë rritur dhe kanë krijuar familjet e tyre, ashtu siç ëndërronte Kiçoja!…

 

 

I përjetshëm kujtimi i këtij njeriu të dashur dhe të respektuar në të gjithë krahinën e Skraparit!  (Orakujt e Tomorrit)