In memoriam / Kujtim Mekollari, lamtumirë Mjeshtër!
Është ndarë para disa ditësh nga jeta, në mënyrë të parakohëshme, një njeri i njohur, i nderuar dhe respektuar nga i gjithë Poliçani dhe Skrapari, mjeshtëri duarart i derdhjeve fonderike, Kujtim Mekollari.
Kujtim Mekollari lindi në fshatin Qafë të Skraparit, në një familje të njohur mikpritëse dhe atdhetare. Ai ishte i biri i Sabri Qafës, një burrë që bëri emër kudo që i shkeli këmba, i zakonit, i ditur dhe i shetitur nëpër botë dhe në Shqipëri.
Pas mbarimit të shkollës 7-vjeçare, Kujtimi vazhdoi shkollën e Rezervave të Punës në Tiranë. Në atë kohë sa kishte filluar funksionimi i Kombinatit Mekanik të Poliçanit. Me të mbaruar shkollën, filloi punë në një nga repartet më të vështira të gjigandit ushtarak të prodhimeve të armëve, në repartin e Fonderisë.
Punoi aty mbi 40 vjet. U rrit në profesion dhe mori Titullin Mjeshtër, një titull i veçantë, që për kohën barazohej me atë të inxhinierit mekanik.
Në fonderi veç prodhimeve ushtarake derdheshin edhe vepra artistike, për të cilat Kujtimi ishte një mjeshtër i rrallë.
Por Kujtimi nuk ishte vetëm një punëtor i mirë, ai ishte edhe një aktivist i shquar shoqëror. Për vite me radhë qytetarët e Poliçanit e zgjodhën atë anëtar dhe më pas kryetar të Këshillit Popullor të Qytetit, një detyrë e vështirë për kohën, që kishte të bënte me strehimin, punësimin e njerëzve, hallet dhe problemet e përditshme të tyre, por që ai ia doli me sukses, duke justifikuar besimin dhe respektin e njerëzve.
Në vitet ’70 të shekullit të kaluar martohet me Margaritën, një grua zonjë, e ndruar dhe respektuar nga i gjithë qyteti. Frut i kësaj martese ishin dy djemtë e tyre, Tani dhe Landi, të cilët kanë ecur në gjurmët e prindërve dhe janë model për shoqërinë dhe punën që bëjnë.
Për merita të veçanta, Kujtimi është nderuar me medalje pune nga Kuvendi Popullor si dhe nga institucionet e larta të kohës.