In Memoriam / Njerëz si Bato Çela, nuk harrohen kurrë
Baftjar Shefit Çela, Bato Çela, siç e njihnin të gjithë, lindi më 28 korrik të vitit 1937 në Vërzhezhë të Skraparit, në një familje me ato tradita të mira që karakterizon gjithë këtë krahinë.
Në vitin 1967 mbaron Teknikumin Bujqësor në Tiranë. Në vitin 1973 zgjidhet kryetar i kooperativës bujqësore të Vërzhezhës, detyrë që e mban për 15 vjet me radhë.
Gjatë kësaj kohe ai u dallua për aftësi organizative dhe marrëdhënie të ngrohta me njerëzit. Me përpjekjet e të gjithë fshatarëve, por edhe me aftësitë dhe talentin e tij krijues dhe organizues, brenda atyre mundësive që krijonte në atë kohë drejtimi ekonomik, ai mundi të bëjë një fshat model në Skrapar dhe më gjerë, për nga mirëqenia dhe kultura e jetesës.
Vërzhezha ishte një nga fshatrat më të mirë në rreth nga të gjitha pikëpamjet. Në kohën e tij në fshat mori një zhvillim të veçanë kultura dhe u përmirësua mënyra e jetesës së fshatarëve. U ngrit shëtpia e kulturës me të gjitha ambientet e duhura, bibliotekë, dhoma provash, zyra dhe një sallë shfaqjesh me 200 vende; u ngrit muzeu historik, që konkurronte edhe me ata të qyteteve; shkolla e mesme bujqësore; mensa, hoteli dhe objekte të tjera social-kulturore, ku bëhej një jetë e gjakëllë dhe aktive.
Vërzhezha, siç u tha edhe më lartë, ishte një nga fshatrat më të veçantë dhe nga më të bukurit në rreth, “oda e miqve” për Skraparin. Nuk kishte të huaj, miq apo zyrtarë të deleguar që vinin në Skrapar, të mos ktheheshin një copë herë në Vërzhezhë, ku do ta priste me atë buzëqëshjen karakteristike Batoja.
Batoja ka qenë i zgjedhur dy herë deputet i Kuvendit Popullor si dhe në forumet më të larta të pushtetit në rreth, gjashtë vjet nënkryetar i Këshillit Popullor të Rrethit, anëtar i Byrosë të Partisë të Rrethi etj. Është dekoruar me Urdhrin e Punës së Klasit të Parë.
Bato Çela ishte një nga kuadrot më të njohur në rreth, ai ishte i thjeshtë dhe punëtor dhe gëzonte respektin e të gjithëve. Fatkeqësisht në vitin 2006, 16 vjet më parë, u nda në mënyrë të parakohëshme nga jeta duke lënë kujtimin e një njeriu të mirë dhe të respektuar.