In Memoriam/ Pano Taçi, “Rilindësi” i fundit i letërsisë shqiptare

In Memoriam/ Pano Taçi, “Rilindësi” i fundit i letërsisë shqiptare

Këngëtari bohemian që u çapit mjeshtërishtnë një botë të pafund poetike, nga epikat dhe elegjitë e burgut në romancat e kaltra dashurore

 

Zylyftar Hoxha

 

Qenka vështirë të shkruash për Pano Taçin, njësoj si për të vërtetën, ka thënë një kolegu im, kur ka nisur të shkruajë diçka për të. Por akoma më e vështirë qenka kur me të ke kaluar një kohë të gjatë bashkë, siç na ka ndodhur kur mblidheshim çdo ditë një grup shokësh me në krye të tavolinës Xhevahir Spahiun te kafe “Europa”.

 

Tani, pas 10 vjetësh nga vdekja e tij, vërtet po e ndjej veten keq që brenda kësaj kornize që më mundëson gazeta, të jap portretin e një bohemi të çuditshëm, siç ishte Pano Taçi, jetën e tij, siç thoshte vetë, të mbushur  plot me poezi, burg dhe dashnore, të cilat i ka dashur si ujët e pakët.

 

Ndaj më poshtë, në pamundësi për më tepër, do të paraqes një shkrimin tim për librin “prit e prit…”, një mozaik gjërash, përshtypje të miqve dhe të kolegëve të tij krijues, dhe, së fundi, disa poezi, thjesht sa për kolorit dhe ndjeshmëri poetike.

 

 

Prit, o Pano Taçi, prit?!…

 

“Prit e prit…”, kështu e kishte titulluar një nga vëllimet e fundit poetik Pano Taçi, poeti interesant, çapkëni plak, bohem e burgaxhi, që nuk e kemi më midis nesh. Pano Taçi pas 24 vitesh burgu dhe internimesh, ndërroi jetë në qershorin e vitit 2012, ndërroi jetë me shpresën se një ditë do të merrte paratë e burgut. Shumë para se shokët e tij të burgut të hynin në grevën e urisë për paratë e burgut, ai nxori vëllimin “Prit e prit…” dhe në të në mënyrë artistike, poetike dhe sarkastike, tha atë që edhe sot po thonë dhe po kërkojnë shokët e tij.

 

 

Një gaxho i mirë mes arixhinjve të Paskuqanit

 

Pjesën më të madhe të librave të fundit ai i ka shkruar në tavolinat e kafe “Europës”, ku dhe prej vitesh pinte falas kafet e ditës, falë bujarisë njerëzore të administratorëve të këtij lokali, Pandi Carapuli dhe Gazmir Selami. Ishin po ata që organizuan edhe veprimtarinë e promovimit të një nga librat e tij më të fundit “prit e prit…”. Në fakt kjo ishte shtëpia e dytë e Panos, këtij “poeti endacak me ndjeshmëri serembiane”, pas asaj barakës së anës së lumit ku ai jetonte prej vitesh.

 

Pani Plak

 

Poeti 80 e ca vjeçar, Pano Taçi, ose siç e quante ai veten, Pani Plak, ishte i përzgjedhur në Bibliotekën Tragjike Botërore në Irlandë midis 400 poetëve të gjallë të këtij shekulli, që më shumë se tituj librash kishte vite burgu.

 

 

Ai ishte i vetmi poet shqiptar që i këndonte djallit, pasi u zhgënjye nga Zoti; ishte i vetmi që thoshte: “Hapu burg, më mirë brenda se sa jashtë”! Megjithëse kishte bërë 24 vjet burgime e internime!

 

 

E nisi poezinë që herët, madje poezitë e para ia ka botuar Lasgush Poradeci. Por shpirtin poetik ia vranë, ia futën në burg. Me shpirt të vrarë e të brengosur ai nuk ndali, përsëri këndoi mes hekurash. Mjerisht këto këngë janë varrosur atje në shpat të malit të Spaçit, jo figurativisht, por vërtet. Nga punimet u këput mali dhe i  mbuloi vite e vite krijimtari.

 

 

Por Panua s’ndali, pas viteve ’90 ai shpërtheu përsëri, duke botuar mbi 13 libra me poezi, dhe duke mbetur, siç e quajnë kritikët, një poet me përmasa klasike, vijues i ligjërimit kombëtar dhe prurës i risive në motive dhe teknikë në poezinë e tij shumëplanëshe, tejet të ndjeshme, sidomos për rininë.

 

 

Në botën poetike të Panos gjen dhimbjen njerëzore, trishtimin për rininë e humbur, zjarrin e dashurisë, shokët e mundimeve, gjen filozofinë e moshës së thyer, atdheun e sfilitur. Se gjërat i çmon kur s’i ke. Po ajo që të mbërthen, është shpirti kryengritës, përballja burrërore me të keqen, gënjeshtrën, demagogjinë…

 

 

Më qartë dhe më drejtpërdrejt ai shprehet në librin me titullin “Prit e prit…”. Se gjithë jetën ka pritur ky njeri dhe përsëri po pret, po çfarë pret e nga kush pret. Pret t’i kthejnë atë që i kanë marrë, dinjitetin, lirinë, rininë, pret t’i heqin gurin e nga shpina; por në mos ato, ”të paktën paratë e burgut”, thoshte i shkreti.

 

 

Duke vazhduar të fliste pas 25 vitesh burgjesh, persekutimesh, internimesh e punë të detyrueshme, Pano Taçi kishte gjetur një mënyrë këndonjëse, ai u këndon në të gjithë librat e tij, jo vetëm trishtimit, vuajtjes dhe harresës, por edhe jetës, mbijetës dhe të vërtetës, duke gjetur atje atë që humbi në rini, ëndrrat, dashurinë e çiltër dhe gjithë udhën e jetës. Ndaj dhe kur lexon këta libra ndonjë herë harron se ata e ka shkruar një 80-vjeçar, por kujton një djalosh që endet në romanca të kaltra dashurie.

 

 

24 vjetët e kalvarit të heqjes së lirisë vazhduan deri në ditën fundit të tij, pasi atij i kishte rënë për pjesë të jetonte i vetëm në një barakë në anë të lumit të Paskuqanit.

 

Fqinjë të këtij gaxhoi çapkën ishin ciganë, gabelë, arinj cirku me zinxhirë në hundë, qenë rrugaç e të zgjebosur, të cilët vinë bukur në një libër tjetër të Panos me titull “Kitara cigane”, me të cilët atë e ka bashkuar fati i njëjtë, por edhe shpirti i tij bohem.

 

 

Me shpirtin e tij sokratik, metaforik deri në thonj, ai thotë se gjithë jeta i shkoi me gurin e Sizifit mbi shpinë…”me plagë dje, me plagë sot, ka as ka Zot”!…

 

 

Kanë thënë për Poetin

 

Dritëro Agolli

Një pemë kopshti e veçantë

Pano Taçi është poet origjinal, poet që vetëm ai mund të jetë i tillë. Në pemët e kopshtit të poezisë, Pano Taçi ka pemën e tij të veçantë, që nuk ngatërrohet me pemët e tjera. A ka gjë më të mirë se kjo? Duke vështruar nga të gjitha anët metaforën vuajtjes dhe të qëndresës, mund të zbulosh një element të çuditshëm të Pano Taçit, që është karakteristikë e poetëve të mëdhenj. Ky element është përqeshja e vuajtjes, humori mbi këtë vuajtje: Koka ime e kositur,/ Si aerodrom me tre viza,/ Mbi tri kodra bërë nga shkopi,/ Ulen si avionë tri miza…

 

Xhevahir Spahiu

 

 

Fjalë njeriu për njeriun, mbi e nën dhê

Gjendje dhe gjetje të mirëfillta poetike; shumë pikëllim dhe pak shpresë; hove të fundme dashurore në pleqëri të thelle, – ja ç’na kumton me një thjeshtësi prekëse poeti endacak Pano Taçi, të cilit si burgu, si pasburgu, ia mpakën por s’ia mplakën dot shpirtin rebel dhe ndjeshmërinë thuaj serembiane. Humbellat e dhembjeve dhe ritmi i valëve të një jete të trazuar të pikin në zemër dhe të bëjnë të mendosh se njeriu nuk është një ishull i vetmuar: fati i tij është pjesë e fatit të të gjithëve. Fjale drithëruese, pagëzim gazavaji . Fjalë njeriu për njeriun. Mbi e nën dhê.

 

 

 

Isuf Luzaj

 

Të paskëshe lindur i huaj!…

 

Pak herë në jetë më ka bezdisur loti, si për fëmijën tim, miq shokë, dashamirë, atdhe dhe popullin tim, siç më dogji faqet e rrudhura dhe më kripi buzët memece, duke lexuar librin poetik “Blerimi” të Pano Taçit. Të paskëshe lindur italian, emri yt do të udhëtonte nëpër shekuj me Silvio Pelliçon dhe Giacomo Leopardin; austriak me Rilken; anglez me Miltonin; spanjoll me Calderonin; argjentinas me Borges; kilian me Neruden; francez me Hygo, La Martin, Musset; amerikan me Frostin. Jam i sigurt se figura jote do të udhëtonte kohët nëpër enciklopeditë euro-amerikane.

 

Luljeta Lleshanaku

 

 

Një libër i përthyer në të gjitha faqet!…

 

Mik dhe vazhdues i Lasgush Poradecit, përpiqet të ruajë timbrin e ëmbël, ritmin e qartë si pikat e shiut në çatitë e orëve të vona në shkurt. Megjithatë, poezia e tij s’është kurrë krejt e qetë, ajo është fërkim dy gjendjesh, dy rrymash, të cilat shkojnë në drejtime të kundërta të një barke të madhe, me dallgët që shkojnë në drejtim tjetër, dy resh me ngarkesa të kundërta, një rrufe e thatë që shpon qiellin si nepërka e etur në gusht.

Duke lexuar poezinë e Pano Taçit kemi shfletuar dramën e njeriut të ndershëm, ku te gjitha fletët janë të përthyera në skaj, si cepa të kujtesës, ku të gjitha fletët janë dëshmitare, janë të domosdoshme si brinjë të kafazit ku u përmbyll për aq kohë ai.

 

Vath Koreshi

Pas heshtjes së tij olimpike

 

Një libër i Pano Taçit është një bashkëbisedim i shkujdesur me të, një rrëfim me zemër në dorë për shtegtimet e shpirtit të tij. Është vështirë ta ndash Pano Taçin njeri nga Pano Taçi poet. Domethënë gjithë ndërtimin e tij fiziko-shpirtëror, heshtjen e tij, ngrysjen e vetullave si për të fshehur xixëllimën e syve, një brengë të tijën, të kushediseçfarët e të përhershme që gjendet prapa heshtjes olimpike, por edhe para romuzit, shakasë së beftë dhe natyrës së tij prej bohemi.

 

 

Sadik Bejko

Ai ishte një mrekulli, hokatar dhe tragjik njëherësh

 

Pano Taçi është një mrekulli si poezi dhe si fenomen. Ai, mbas sa e sa vitesh te burgut dhe te internimit, ruan vitalitetin e shijes së jetës, ruan të gjallë një vijimësi nga poezia e Lasgushit dhe e Ali Asllanit. Hokatar dhe tragjik njëherësh, ai nën pamjen e një plaku ashik e qejfli, mik i tavolinave e i rrugëve, përherë buzagaz, sjell një përvojë të madhe e të thellë të njeriut që u ka kaluar vuajtjeve mespërmes.

 

 

Nehat Sopaj

Klasiku i fundit

 

Vazhdues i drejtpërdrejt i poezisë së Lazgush Poradecit, Pano Taçi është mjeshtër i gjuhës shqipe. Në gjithë poezinë e tij, ai është klasiku i vetëm i gjallë.

 

 

Visar Zhiti

 

Pano Taçi e pranon me zemër të hapur humorin miqve, bën vetë humor, me një buzëqeshje njerëzore, të padhëmbë, sikur t’i ketë hequr asaj cinizmin, gjithë dritë të butë, por që në brendësi ka dhimbje dhe një dëshpërim të përmbajtur, vetëm të tijën.

 

 

Edmond Tupja

Shpirtbukur në Parajsë

 

Vdiq Pano Taçi, rrugaçi, i pabinduri, margjinali, outsider-i, vulëhumburi dhe vetvetegjeturi, i pafati e dhimbjelarti. Edhe sikur Parajsa të mos ekzistonte, do të ishte e nevojshme të shpikej vetëm për atë, poetin e mallkuar, e ndaluar, grushtshtrënguar, zemërmjaltë e shpirtbukur…

 

 Jeta

 

Lindi në Gjirokastër më 1929. Shkollën fillore e kreu në vendlindje, të mesmen në Tiranë. Ka botuar që në moshë të re në revistën “Bleta” me ndërmjetësinë e Lasgush Poradecit. Më 1944 inkuadrohet në Brigadën 24 të UNÇl.

 

Pas Luftës vazhdon shkollën, po më 1947 arrestohet dhe vuan afro çerek shekulli, burgime e internime nëpër burgje e kampe përqendrimi si kundërshtar i regjimit. Pano Taçi është i përzgjedhur në Bibliotekën Tragjike Botërore në Irlandë midis 400 poetëve të gjallë të këtij shekulli, që më shumë se tituj librash ka vite burgu.

 

Pas rrëzimit të diktaturës jetoi i vetmuar deri në fund të jetës së tij më 13 qershor 2012. Shkroi e botoi përmbledhje gati 20 vëllime poetike, drama e kujtime. Është vlerësuar nga kritika si një poet i veçantë, dhe ka marrë disa çmime letrare brenda dhe jashtë vendit.

 

Vepra

 

“Ura e ylberit”                poezi 1963

“Blerimi i thinjur”             poezi  1993

“Dhe vdekja do paguar”   poezi   1997

“Qirinjtë”                          dramë  1998

“Muzg”                            poemë  1996

“Hukama e Venusit”       poezi eros  1997

“Flakë në terr”                dramë   2000

“Shpirti i zbathur”           poezi    1999

“ “Hukamat e Venusit”   poezi eros 2000

“Lakuriq”                       poezi eros  2001         

“Kokoveja e kokoshit”   për fëmijë  2001

“Sa pak qiell”                 poezi  2002

“Poezi të zgjedhura”      poezi   2002

“Dell-ar”                        poezi eros 2004

“Pani plak”                     poezi    2005

”prit e prit…”                  poezi     2007

“Kitara cigane”               poezi    2008

“Muzgu vjen papritur”    poezi    2013