In memoriam / Kujtim Kadiu, vërtet amator, por i lindur për aktor

In memoriam / Kujtim Kadiu, vërtet amator, por i lindur për aktor

Tomorr Shasho

Kujtim Kadiun e kam njohur në vitet 1970, kur unë nga Lushnja u transferova në Çorovodë. Ajo që na e forcoi më shumë shoqërinë dhe, po thuaj u bëmë një familje, ishte se unë banova në një hyrje me Kujtimin për  7 vjet, sepse më dhanë për banim kuzhinën përballë, që banonte im vëlla.

 

Njoha një person shumë korrekt në punë, në shoqëri,  njoha një familjar për t’u marr shëmbull,i cili gëzonte respekt jo vetëm në NSHN ku punonte, por mbarë qytetin e Çorovodës.

 

Ishte një person i papërsëritshëm në të gjitha pikëpamjet.

Ai mendimi  që krijova kur e pashë përherë të parë,se nuk i qeshte kurrë fytyra, dështoi. Kujtimi jo vetëm që qeshte, por kishte një humor të thellë dhe pikant si speci djegës.

 

E veçanta, që do t’më bënte më shumë përshtypje, të cilën e pash te ky person, ishte talenti i tij në arktrim. Ishte një aktor i madh pa diplomën e Institutit të Arteve, megjithëse e kishte patur një nga ëndrrat e tij, por nuk e realizoi dot për arsye ekonomike të familjes.

 

“ Endërroja të shkoja në këtë shkollë”, – do të përsëriste shpesh here Kujtimi, –  por vdekja e nënës  më solli shumë trishtim, jo vetëm se u largua nga kjo jetë, duke na lënë të vegjël, por u detyrova të filloj punë në moshë të re që të ndihmoja tim atë për të na rritur.

 

Edhe pse banonte në Çorovodë, kujdesin për babanë, vëllëzërit e motrat nuk e harroi  kurrë.  Pata patur rastin të dëgjoj shumë herë këshillat që u jepte Kujtimi në drejtim të shkollës dhe sjelljes midis njerëzve. Dhe ata ia dëgjonin fjalën, sepse shikonin te ai ngrohtësinë e përkëdhelinë, jo të një vëllai, por si të nënës, që u kishte munguar prej shumë kohësh.

 

Ishte një talent si në fushën e humorit ,por edhe në atë të dramës. Për talentin e tij si aktor mund të falsin më shumë dhe me plot kompetëncë dy regjizorët, Edmond Agolli dhe Hasan Bregu, të cilët s’patën  numër estrade apo drame që vunë në skenë dhe nuk mori pjesë Kujtimi, ky aktor i lindur, por  që mbeti gjithë jetën amator.

 

Në kujtesën time qendron roli i përsosur i tij në dramën “ Baca i Gjetajve’’ në të cilën luajti rolin e Kapedanit.

 

Në fushën e humorit ka shumë role, por më i spikaturi për mua ka qenë interpertimi i disa tipave tek numri i estradës “ Ekrani Ynë” me regjizor Edmond Agollin e drejtues muzike  Durim Shishmanin.

 

Për periudhën 25 -vjeçare që jëtova në Çorovodë, Kujtimi ishte aktori amator më i vlerësuar nga e gjithë trupa amatore që aktivizohej pranë Shtëpisë së Kulturës. Për mendimin tim është i vetmi person që e meriton titullin “Nderi qytetit të Çorovodës”, pasi ka dhënë shumë për atë qytet.

 

Për fat të keq, është ndarë nga jeta. Me titull apo pa titull ai ngelet një nga njerëzit që i kanë bërë nder atij dhe do të ngelet i përherë i paharruar.