Jeta e jashtëzakonshme e një skraparlliu anglez me emrin Brahush

Jeta e jashtëzakonshme e një skraparlliu anglez me emrin Brahush

 

 

(Fragment nga libri qè po shkruaj “Në emër të familjes”)

 

Ylli Polvina

 

Në vitin 1913 një çift anglez burrë grua shkoi në Skrapar. Ishin të pasur. Udhëtonin me kuaj.

 

Qendruan në një shesh dhe u vunë në mes nga disa fëmijë, midis të cilëve ishte edhe një me emrin Brahush. Ky qe tre vjeç. Dukej fëmijë i shkathët dhe ardhësit pyetën se i kujt qe. U paraqit e jëma, sepse nuk kishte baba. Ishte jetim.

 

“Mund ta marrim ne këtë fëmijë e ta rritim”, tha çifti anglez.

 

Gruaja kishte edhe katër fëmijë të tjerë dhe ato kohë në Skrapar nga varfëria hante pula gur.

 

“Posi”, tha ajo.

I priti anglezët në shtëpi dhe i qerasi me nga një gotë dhallë.

 

 

Pastaj ata e morën të voglin në kal dhe ikën. Tre vjeçari quhej Brahush.  Kur u rikthyen në Angli, në një qytet që nuk ka mbetur në kujtesë të rrëfyesve, por jo Londër, e rritën skraparlliun dhe e shkolluan në një shkollë kriminale policore.

 

Brahushi dallohej për fizik të fortë dhe interpretim shumë analitik të fakteve.

 

 

I jati i Kamber Pelivanit, Aliu, të cilin Rexhep Qafa e kishte dajë, në Berat fqinjë të dy familjet, qe rritur në kurbet dhe dinte katër gjuhë të huaja: anglisht, gjermanisht, turqisht dhe serbo kroatisht. Një vëlla i tij mbante fëmijët bashkërisht në Përmet, plot dhjetë të tillë. Paratë për ushqim e veshje i vinin nga kurbetlliu Ali.

 

 

Ky tregonte siç kishte njohur Brahushin, të cilin në emigracion e takonte shpesh. Thoshte se ai e dinte shqipen më mirë se anglishten. Gjithashtu rrëfente se Brahushi vishte një kapardinë të padepërtueshme nga shiu dhe me të mbi supe kishte shumë prestigj. Respektohej nga të gjithë. Ja kishin frikën.

 

 

Xhelozitë dhe armiqësitë që kishte përreth, bënë që t’i ngrihej një kurth për ta zhdukur dhe rrëmbenin çantën, të cilën e mbante krahëqafë.

Aty mbante mijra dollarë.

Përse e mbante me vete nuk dihet, po falë fizikut të tij shumë dinamik Brahushi konsiderohej i pasulmueshëm nga të tjerët.

 

 

Një ditë nga ditët dy grekër që punonin në atë sektor e morën dhe e nxorrën jashtë qytetit, në një stacion treni. E pinë mirë e mirë dhe e goditën me një hekur të fortë në pjesën e djathtë temporale të ballit dhe vdekur e pavdekur e hodhën në shinat e trenit që ai ta shtypte. Por nuk arritën dot t’i marrin dot çantën sepse në këtë kohë erdhi treni. Për fat ky frenoi dhe punonjësit e stacionit e çuan urgjentisht në spital.

 

 

Këtu Brahushi qëndroi një javë, pastaj e nxorrën. Gjithçka u krye pa lajmëruar fare prindërit që e kishin birësuar. Mjekët e spitalit këtë e bënë qëllimisht, sepse edhe  vetë ky tha të mos lajmëronin.  Sipas tij, çdo gjë duhej të ishte tepër sekret.

 

 

Duke qenë i shtruar në spital, i mërzitur për atë që i ndodhi, vendosi të ikte nga Anglia. Dhe erdhi në Shqipëri. Dy prindërit britanikë nuk i vuri në dijeni. Ndërkohë këta të fundit nëpërmjet Kryqit të Kuq dhe organizmave të tjera të specializuara, po ashtu me anë të qendrës së punës, policisë kriminale, vazhdonin ta kërkonin, por nuk e gjetën dot.

 

 

Në Shqipëri Brahushi erdhi me vapor dhe pasi zbriti në portin e Durrësit shkoi në Skrapar, pikërisht në fshatin ku e patën marrë anglezët. Këtu origjinën e tij nuk e mbanin mend, por gjithsesi aty gjeti dy nipër, djem motrash. Këta e morën në shtëpinë e tyre, sepse menduan se i veshur mirë dhe i kollarisur, me një valixhe të vogël në dorë, Brahushi qe plot me dollarë.

 

 

Kaluan dy ditë, një javë dhe u kuptua se kushëriri i ardhur nga Anglia nuk kishte para me vete, vetëm dy tre këmisha, pantallonat dhe këpucët që kishte veshur. Atëherë vendosën ta dëbojnë.

 

 

Goditja në temporalen e djathtë, paralel me veshin, e cila i kishte lënë një njollë të zezë, i pati dëmtuar qendrën e të folurit dhe të gjithë njerëzve u thoshte allbenian. Për tërë të tjerët përdorte fjalën vockva.

 

 

Saktë vetëm emrin Ali thoshte. Ky qe bir i Myrto Qafës për të cilin si edhe Rexhepin e Arifin përdorte vetëm emërtimin allbanian. Kështu u thoshte edhe grave, por ndryshe nga burrat, me gishtat e dorës bënte shenjën e takës.

 

 

Qumështit kur zjente Brahushi i thoshte vuvu, sidomos me një fjalë të përafërt shprehej kur dëgjonte si i bihej me dybek për të nxjerrë gjalpin.

 

 

Njëri prej dy nipërve një ditë thotë se në fundjavë do të shkonin në Berat për të blerë ushqim dhe kripë, po ashtu për të mbathur kuajt. Kur mbërritën në fshatin Vërtop dhe aty i zuri nata u strehuan në një han dhe para se të flinte Brahushi u la mirë e mirë në një përrua, pastaj në dhomë hoqi këpucët dhe veshi tutat për të fjetur.

 

Kur u zgjua pa se i kishin marrë të gjitha rrobat e trupit, përfshi edhe valixhen, njëkohësisht këpucët. Mbeti vetëm me tutën dhe një këmishë që kishte veshur.

 

Në Berat hyn zbathur, duke folur me gjysmë gjuhën e tij. Shkoi tek Arif Qafa, sepse kishte dëgjuar që mbathte kuajt.

 

 

Tek hani i këtij jetonte edhe një beratas me emrin Xhavit, i cili kishte një hotel. Ky pati qenë në Angli dhe fjaloste me Brahushin shumë mirë anglisht. Brahushi dinte edhe greqisht, edhe turqisht, por me Xhavitin merrej vesh vetëm anglisht.

Ky i thotë Arifit për ta strehuar e kujdesur për Brahushin.

 

 

Tek hani i Arifit kishte një kabinë të vogël, katër metra me katër, ku një i punësuar bënte patkonjtë dhe gozhdët për të mbathur kuajt. I prodhonin vetë me hekur. Tek kjo dhomë vunë një shtrat. Aty flinte Brahushi, ndërsa gjatë ditës jashtë hanit ruante kafshët, që ardhësit i linin bashkë me një trastë tagji.  Në aksham i merrnin dhe nisnin rrugën e rikthimit në malet e Skraparit, duke e bërë pushimin e parë në Vërtop.

 

 

Në hanin e Arifit kur afronte ora e drekës ky e thërriste të hanin bashkë edhe Brahushin. Me këtë rast, pasi hante mirë, ky pinte edhe një gotë raki. Atij i pëlqente edhe të pinte cigare. Blinte paqeta të lira “Dajti”, 12 lekëshe.

 

 

Kur ngrysej kafshët ende pa u marrë nga të zotërit ruheshin prej Brahushit. Ky mblidhte lekët dhe të nesërmen ia dorëzonte Arifit.

 

 

Kur i biri i Rexhep Qafës, Engjelli, u regjistrua në Shtëpinë e Pionierit dhe hyri në rrethin e boksit, kur Brahushi e pa me doreza boksi veshur u kënaq pa masë. I mori dorezat e boksit dhe pasi i veshi ato vetë i tregonte format e goditjes. Shqiptonte fjalët “aperkut”, “direkt”, “jo kështu, jo kështu”.

Ishte tamam boksier. Ai e mbante dorën të ngritur, Engjelli bënte stërvitje duke e goditur atë.

 

 

Një ditë në shtëpi Engjëlli po i binte disa ushtrimeve në violinë, kur Brahushi dëgjoi muzikën dhe erdhi lart, në katin e dytë. “Bona, bona”, tha.

 

 

Këtë kohë mund të ishte 59 apo gjashtëdhjetë vjeç. Fizikun e kishte të hajthëm, të fortë, nuk sëmurej kollaj. Çdo pasdite shkonte dhe lahej në Zarizan, në lumin Osum, dimër behar.

 

 

Kur sëmurej gratë e shtëpisë i çonin në dhomën ku flinte çaj, qumësht të ngrohtë. Vetëm dhall nuk donte, si edhe ullirin kokërr nuk e pranonte. Thoshte se qe ushqim i rëndë për stomakun. Donte vetëm ullirin e bërë vaj.

 

 

Një ditë Brahushi u sëmur. Kaluan dy ditë, pastaj një javë.  Nënat dhe gratë e familjes së vëllazërisë Qafa filluan t’i gatuanin trahana, papare, gjellë të tjera të shijshme që i hanin vetë.

Brahushi i hante dhe pastaj kthehej nga Kulmaku. “Ja Abaz Ali!”, falej. Fërkonte me pëllëmbë kokën dhe faqet e shikonte drejt qiellit, nga Allahu. E uronte Zotin.

 

Rexhep Qafa

 

 

Më në fund në një nga ditët vendosi të shkonte tek doktori. E pyeti Rexhep Qafa se çfarë kishte dhe pasi nuk mori përgjigje të qartë e çoi Brahushin në spital.

Mjekët e vizituan dhe thanë se i qenë enjtur grykët, acaruar tiroidet. E pyetën Rexhepin se çfarë lidhje kishte me atë njeri dhe ky ia shpjegoi tërë historinë.

Në këtë rrethana, i premtuan doktorët, “do ta mbajmë ne këtu në spital, deri sa të shërohet mirë e bukur”.

 

 

E mbajtën një muaj. Në fillim të muajit tjetër i ra infrakt dhe Brahushi vdiq në spital.

 

Ishte viti 1961.

 

Nuk po e varrosnin. Thirrën në një takim Rexhep Qafën. Ishte një punonjës nga Dega e Punëve të Brendshme, një tjetër nga Komiteti i Partisë, një i tretë prej Komitetit Ekzekutiv, i katërti nga Kryqi i Kuq Shqiptar.

Nën drejtimin e sekretarit të parë të rrethit Staver Angjeliu, pjesëmarrësit bënë një mbledhje të shkurtër, ku u tha se Rexhep dhe Arif Qafa që ishin kujdesur për të ndjerin, qenë qytetarë të nderuar dhe për këtë gjest mirësie do t’ua shpërblente Zoti.

 

 

“Kemi menduar, u tha, që kufomën e tij tja dhurojmë spitalit ushtarak për praktikën e studentëve. Jeni dakord?”

 

“Dakord, u shpreh Rexhepi, jam me të njëjtën mendje jo vetëm për Brahushin, por edhe për veten time. Përderisa i nevojitet shkencës ta përdori edhe trupin tim”.

 

“Bravo Rexhep, theksoi Stavër Angjeliu, duhet t’i shërbejmë shkencës, për shkencën ndonjëherë njeriu duhet të bëhet kurban”.

 

 

Kështu Brahushi përfundoi në një vaskë me formalinë dhe në çdo dy-tre javë studentët vëzhgonin trupin e tij, i cili qe shumë i dallueshëm në të gjitha gjymtyrët.

Thuhej vazhdimisht se Brahushi dukej si i gjallë.

Simbolikisht ai vazhdonte jetën e vet shumë të jashtzakonshme.

 

 

Kaluan vitet dhe kur në Berat kryetar i Komitetit Ekzekutiv ishte Jani Pasku, të cilin që kur ky qe instruktor i Komitetit të Partisë, Rexhep Qafa e kishte mik dhe me të shkëmbente cigare dhe pinte kafe, funksionari i lartë i pushtetit lokal e thërriti në zyrë.

Me t’i ardhur lajmi Rexhepi u vesh me rrobat më të mira dhe shkoi në Komitet. Jani e priti dhe i dha një kafe, pastaj e njoftoi se pas pak pati lënë orar takimi me një të dërguar nga Tirana. Ky ishte punonjës i Ministrisë së Jashtme, i autorizuar njëkohësisht edhe nga Ministria e Brendshme. Me pak fjalë i ngarkuar nga qeveria.

 

“Do të të pyesë për disa gjëra për një njeri që keni mbajtur, Brahushi, spikati fjalët Pasku, tani e di ti si do t’i përgjigjesh”.

 

“Si është gjendja do t’i them”, u përgjigj Rexhep Qafa.

 

Pastaj theksoi:

”Çfarë do ai nuk e di”.

 

Shpjegoi Jani Pasku:

“I jati anglez i Brahushit ka lënë një pasuri të madhe përrallore. Me ato para në qytetin ku jetonin në Angli kishin projektuar të ngrihej një burg i madh, një pjesë tjetër e pasurisë do t’i jepej Kryqit të Kuq Anglez. Pjesa tjetër që ishte më e madhja, ishte lënë me testament t’i jepej djalit të tyre të birësuar Brahushit.

Ose në vend të tij, në rast se nuk qe gjallë, atij që pati lënë pas. Sepse mund të ishte martuar në Shqipëri e bërë fëmijë. Për t’i kryer të gjitha këto, pra cili ishte trashëgimtari i Brahushit, të dhënat duhej të vinin të dokumentuara nga qeveria shqiptare”.

 

 

I deleguari i Tiranës u paraqit në takim në orën e caktuar dhe e mësoi të tërë historinë e jetesës së birit të çiftit britanik tek Qafallinjtë. Trembëdhjetë vite Brahushi i pati kaluar tek hani i Arifit, dhe kur ky u prish bashkë me rrugën ku ndodhej, pothuaj pesë mote jetoi tek banesa private e Rexhep dhe Myrto Qafës.

 

 

Pas këtij saktësimi tha se pasuria e lënë për Brahushin i takonte Rexhepit.

 

“Nuk e dua këtë pasuri, pohoi ky dhe nguli këmbë: “Unë dua pasurinë e djersës time. Fëmijët dhe tërë familjen time e kam rritur me këtë djersë dhe jo me forma të tilla”.

 

“Të takon me ligj”, theksoi njeriu i Tiranës.

 

“Por edhe të më takojë nuk e dua unë”.

 

 

Biseda vazhdoi dy orë. Më në fund Rexhep Qafa tha:

 

“Kam një mendim. Sikur tja japim Kryqit të Kuq Shqiptar?”

 

“Çfarë shkolle ke mbaruar?”, pyeti i dërguari i posaçëm i qeverisë së Tiranës.

 

U përgjigj Jani Pasku: “Ky është inxhinier mekanik me studime të mbaruara në Milano të Italisë në vitin 1932”-

 

 

Pas kësaj u vendos të veprohej sipas propozimit të Qafalliut.

 

 

Ardhësi nga Tirana u rikthye në Mnistrinë e Jashme dhe pas dy ditësh tha se Rexhepi duhej ta firmoste deklaratën e tij për pasurinë e Brahushit, e cila me ndërmjetësinë e Kryqit të Kuq Anglez do t’i jepej Kryqit të Kuq Shqiptar.

 

 

Kështu edhe u bë.