K U N G U LL I  

K U N G U LL I  

Ka plasur kungulli, kungulli i Qejfit, jo i Hallit, kungulli i Halluinit që ka mbushur tregjet, jo ai joni i dikurshmi.

 

Janë pak ata që e dinë historinë e kungullit dhe “rëndësinë” që ka patur ai për shqiptarët.

 

Ishte produkti bujqësor më i lehtë për t’u kultivuar. Nuk donte tokë bujqësore të veçantë, mbillej në ledhe arash, në gardhe, në fund të avllive, në gropat e plehrave të bagëtive dhe në derdhje të haleve.

Nuk donte shumë shërbime dhe bëhej shpejt. Aq sa kur ndonjë i ri, me veprimet e tij donte të dukej, të evidentohej, i thoshin: “Kur kungull, kur more gardhë…”!

 

 

Në të gjithë atë fukarallëk, kungulli ishte gjëja e parë për t’u ushqyer dhe gjëja e parë që të “hiqte litarin nga fyti” kur të vinte miku papandehur.

 

Nuk mund të bësh asnjë koment për kungullin para kësaj këngeje popullore!…

 

Kungull mos të plastë fara,

Ngado shkoj të gjej përpara,

Kungull ditë e kungull natë,

O kungull dreqi të marrtë

Ku vajç në Selenicë

Kungull gjeç në ponicë

Në Këlcyrë e në Përmet

Kungull mbushur plot hejbetë…

…dhe kur vajç në Janinë,

Me kungull barkun më frinë

 

Kungull që rritet me vesë,

Mun te sqolla e halesë…

Sikur edhe gjithë ditën dhe natën të rri, nuk ua mbush dot mendjen ju të rrinjve…

 

Ndaj, ju merruni me kungullin e Halluinit, unë po merrem me atë të halesë, që është ky i ziu, se me atë jam rritur, jo vetëm unë, por edhe prindërit dhe sojë e sorollopi juaj. (Z.H)