K U R V A

K U R V A

Mihal Gjergji

 

Mendimet më grishin paprerë

Rëndesa me dhimbje godet

Po shkoj të trokas në një derë

S’i dihet, dikush mund të jetë

 

 

Në tregun e madh ku gëlojnë

Xhambazë e hajdutë e mjeranë

Po futem, se ndoshta kërkojnë

Një ndihmës për punët që kanë

 

 

Zyrtarët me fronet e ngritur

Së largu i shoh e kam frikë

(Ç’të shes, që të dukem i ditur!)

Se shteti paguan, or mik

 

 

U mblodhën në sallën plot drita

Të bardhë e mulatë  e verdhanë

Më kot u trishtova e prita

Fitoren një ‘mjelme’ ja dhanë

 

 

Ministrin me sy e gremisi

Xhanania me shtatin selvi

Një pjergull që varet te lisi

Dhe Zotin e deh me dolli

 

 

Në ikje, vështrimin nga pragu

Tek roja që rrinte menduar

-Paç fatin e kurvës, tha plaku

Dhe heshti, me llullën ndër duar!

 

Tiranë, janar 2016