KëndVështrim: Mulliri i Babait (Ura e Zabërzanit)

KëndVështrim: Mulliri i Babait (Ura e Zabërzanit)

Ndodhet mes Pigazit dhe Hambullit, në fund të fshatit Zabërzan. Mulliri është ndërtuar në këtë vend në fillim të shekullit të 20-të nga Teqeja e Prishtës, kur ajo ishte në lulëzimin e saj më të madh dhe kishte zgjeruar pronat, veç në Prishtë, edhe në Sukë të Përmetit e gjetkë me tufa bagëtish, vreshta e pemëtore.

Mulliri, megjithëse jashtë territorit të Prishtës, ka qenë pronë e teqesë. Kanali 150 metra i gjatë është çarë mespërmes një shkëmbi gëlqeror të thepisur me thellësi 4-5 metra.

 

Duket nga gjurmët që është një vepër interesante dhe e vështirë inxhinierike, për të cilën është dashur shumë mund dhe punë, natyrisht, punë e papaguar, bazuar në vullnetarizmin e besimtarëve bektashinj.  Sot ky kanal duket si një pasarelë mode natyrore, i denjë dhe i përshtatshëm për dekor filmash artistikë.

Mbi kanal ndodhen rrënojat e një kishe shumë të vjetër eremite, një ndërtim shumë i veçantë në llojin e vet, e cila u shkatërrua nga injoranca, duke u marrë si shenjë gjuajtjesh me pushkë. Pas 1997 u shkatërrua nga kërkuesit e arit.

Mbi kanal ndodhet një urë e vogël këmbësore që shërben për t’u lidhur me fshatin Zabërzan nëpërmjet një rrugë gjarpërushe, shumë panoramike dhe spektakulare që tërheq vizitorë të shumët, të cilët nuk mund të largohen që aty pa bërë një foto si kujtim. (Z.H)