Kohë heroike, me njerëz heroikë: Nga libri “Neki Sula – dy libra në një: Monografi dhe Zaloshnja – histori”

Kohë heroike, me njerëz heroikë: Nga libri “Neki Sula – dy libra në një: Monografi dhe Zaloshnja – histori”

Dje doli nga shtypi libri “Neki Sula – dy libra në një: Monografi dhe Zaloshnja – histori”.

 

Neki Sula (Zaloshnja) ka qenë efektiv i formacioneve partizane të rrethit të Skraparit që nga fillimi e deri në fund të LANÇ.

 

Pas çlirimit ai u ngarkua me detyra të rëndësishme të drejtimit në rrethin e Skraparit. Ai që nga viti 1954 dhe deri në vitin 1963, me një ndërprerje dyvjeçare për shkollimin e tij në Bashkimin Sovjetik, ka qenë sekretar i Parë i rrethit të Skraparit.

 

Varianti i parë i librit

 

Periudha kur ka qenë në drejtim Nekiu, ka qenë një nga periudhat më të vështira si për gjithë vendin, por sidomos për Skraparin e dalë nga lufta me plagë të shumta dhe një mjerim shumë të thellë.

 

Ndaj jeta e tij personale është e lidhur me jetën dhe fatin edhe të një rrethi të tërë. Kushdo që do ta lexojë këtë libër, do të mësojë shumë si ka qenë ajo kohë, se çfarë vështirësish dhe sakrificash kanë kaluar prindërit tanë.

 

Varianti përfundimtar

 

Më posht do të paraqes një fragment të librit që bën fjalë për vitet ’60 të shekullit të kaluar, të kohës që ne sapo ishim prishur me Bashkimin Sovjetik dhe vështirësitë ekonomike ishin dyfishuar:

 

 

Kohë heroike, me njerëz heroikë

 

Pas kthimit nga Moska, në vitin 1959, Neki Sula emërohet përsëri sekretar i Parë i Komitetit të Partisë të Rrethit të Skraparit, detyrë që e kreu me përkushtim të madh dhe me besnikëri ndaj vijës politike që ishte atëherë deri në vitin 1963.

 

Kur u kthye, shumë shokë e kolegë të tij, nuk i gjeti më, kishin shkuar me detyra të reja më të larta në rrethe të tjerë si Izet Dyrmishi, Hetem Bakiasi, Reshat Pëllumbi, Tahmaz Beqari, Gjysh Tafili, Ilmi Zaçe, Naun Baka, Cane Zaloshnja, Ramadan Reovica, Nuri Veleshnja etj.

Për tre vjet që ishte larguar, ai gjeti shumë ndryshime, ishte bërë një punë kolosale në të gjitha drejtimet, ekonomike, sociale dhe kulturore. Kishte përfunduar me një punë vullnetare të jashtëzakonshme nga e gjithë fshatarësia e Skraparit rruga Berat-Çorovodë; ishin ndërtuar zyra dhe objekte të tjera social-kulturore në fshatra; ishin ndërtuar ura mbi lumin Osum si dhe dy pasarela në Therepel dhe Dervishije, që lidhte fshatra e Potomit me ato të Përmetit.

 

Përmirësime ishin bërë në fushën e arsimit, ku veç shkollave fillore në çdo fshat, ishin ngritur edhe shkolla 7- vjeçare nq Backë, Gjerbës, Çepan, Therepel etj. Në Çorovodë ishte ngritur gjimnazi etj.

 

Kur erdhi Nekiu nga Bashkimi Sovjetik shumë të rinj nga Skrapari kishin shkuar në aksione të mëdha kombëtare si, Rruga Kukës – Peshkopi, Hekurudha Durrës – Tiranë, në ndërtimin e kanaleve vaditës dhe kullues në Myzeqe etj.

Ndryshime të mëdha ishin bërë në fushën e shëndetësisë dhe higjienës. Veç se kishin ardhur mjekë dhe infermierë nga rrethet e tjerë, kishin filluar të ngriheshin spitalet si ai i Çorovodës dhe i Potomit.

 

Në fshat ishte përmirësuar higjiena e banesës, ishin lyer shtëpitë me gëlqere dhe ishin bërë banjat jashtë banesave. Çdo vit bëhej dizinfektimi i oborreve dhe hajateve të bagëtive etj.

 

Por kishte edhe shumë për të bërë në të gjithë sektorët. Nekiu kishte ardhur për të rimarrë detyrën e sekretarit të Parë në një moment delikat për ekonominë dhe gjithë fshatarësinë shqiptare, kur sapo kishte përfunduar kolektivizimi i bujqësisë, dmth, ishin ngritur kooperativët bujqësore.

 

Në Skrapar ato ishin në hapat e para dhe pak të suksesshme. Akoma fshatarët nuk siguronin bukën, por furnizoheshin nga shteti. Depot e drithit në Çorovodë rrinin tërë kohën plot me njerëz dhe kafshë në radhë për të marrë “racionin”, siç i thoshin atëhere sasisë për frymë të drithit, kryesisht misërit.

 

Duke parë këtë gjendje, një nga detyrat më prioritare, Nekiu i vuri vetes forcimin e kooperativave bujqësore, përmirësimin e tyre, në mënyrë që të prodhonin bukën në vend. Aq më e mprehtë kjo detyrë u bë dy vjet më vonë pasi ai ishtëe kthyer nga Bashkimi Sovjetik, në vitin 1961.

Në këtë vit u bë një tronditje e madhe politike, që preku vendin tonë. Pas shkarjes në revizionizëm të Partisë Komuniste të Bashkimit Sovjetik Partia e Punës së Shqipërisë me në krye udhëheqësin e saj, Enver Hoxhën, u shkëput jo vetëm nga Bashkimi Sovjetik, por edhe nga i gjithë kampi socialist, i cili shkoi me Bashkimin Sovjetik, dmth, në revizionizëm.

 

Shkëputja e menjëhershme nga sovjetikët pati pasoja të mëdha për Shqipërinë pasi u ndërprenë me një herë ndihmat, kontratat dhe marrëveshjet e konomike. Shumë vepra madhore ngelën në mes. U ndërpre edhe furizimi me drith me të cilën furnizohej fshatarësia.

 

U krijua një situatë e vështirë, por populli shqiptar, si në çdo kohë tjetër, edhe këtë radhë, tregoi trimëri dhe heroizëm për të përballuar vështirësitë. Ishte një kohë heroike që kërkonte heronj.

 

Ja, kjo barrë e rëndë i ra Neki Sulës në ato katër vite, 1959-1963, në detyrën e Numërit 1 të rrethit të Skraparit, detyrë që ai e kreu më së miri, por që në fund u shpërblye me mosmirënjohje, vetëm e vetëm pse tha të vërtetën…

 

Për “një qime”, armik – kapitullant

 

Kishte tre vjet që vendi ynë ishte shkëputur nga Bashkimi Sovjetik. Si rezultat i ndërprerejes së kontratave dhe ndihmave afatshkurtra dhe aftgjata, ekonomia shqiptare ishte në zgrip.

 

Partia e Punës dhe Enver Hoxha në këtë rast shfrytëzoi shpirtin patriotik të popullit shqiptar, i cili me aksione dhe me sakrifica të mëdha vazhdoi veprat e mëdha të lëna në mes. Në këtë kohë u mor vendimi i Komitetit Qendror të Partisë për ndërtimin e socializmit me forcate veta. Dmth, të mos lidhej asnjë marrëveshje dhe të mos merrej asnjë ndihmë nga jashtë. Kjo u sanksionua edhe me kushtetutë.

 

Në këtë kuadër u hodh parrulla “T’u qepemi kodrave dhe maleve, për t’i kthyer ato si dhe fushat” për prodhimin e bukës në vend.

 

Domosdo kjo direktivë ishte edhe për Skraparin. Në një mbledhje të Komitetit Qendror të Partisë të atyre kohëve, Nekiu u ngrit dhe si njeri i drejtë, jo se e kundërshtoi direktivën, por dha një mendim se Skrapari ishte më mirë të merrej me blegtori, se sa me bujqësi, pasi nuk kishte sipërfaqe të mjaftueshme toke dhe se edhe ajo tokë që ishte, ishte inproduktive dhe pa ujë.

 

Kaq u desh, dhe jo vetëm mga ata që ishin në presidium, por edhe nga salla u dëgjuan ulërima. Dmth sikur ai ishte kundër vijës dhe direktivës së Partisë. Përpjekjeve për të sqaruar dhe argumentuar me tej atë që tha dhe në ç’kuptim e tha, i pre rruga. Nuk e lejuan të fliste më.

 

Gjyrxhia, e shoqja e Nekiut tregon për atë rast: “Mbaj mend se kur erdhi atë ditë nga Tirana nxinte dhe sterronte. Nuk e kisha parë kurrë kështu.

 

-Çfarë ke? – e pyeta, pa pritur të xhvizhej.

– Keq puna, o Gjyrxhi, po ti mos u mërzit sido që të ndodhë, unë nuk hodha bombë një llaf thash, dhe atë ma morën për ters…

– U tmerrova! – vazhdon tregimin Gjyrxhia – kisha dëgjuar si e kishin pësuar disa njerëz atje lartë, bile edhe shokë të ngushtë të Nekiut, që i kishim patur miq në shtëpi.

– Mos e merr për ters, i thashë më tepër për ta ngushëlluar, ti ke shumë shokë dhe ata ta njohin zemrën. Pastaj ti ke atë të madhin, s’besoj të të shesë kollaj.

– Po po , po ndonjë herë kur merr puna ters, bëjnë sikur nuk të njohin – tha ai i shqetësuar.

 

E vazhduam këtë bisedë gjithë natën, duke i dhënë kurajo njëri-tjetrit se, sido që të jetë bashkë do t’ia dilnim. Por nga ana tjetër hidhnim sytë nga dera, mos trokiste njeri.

 

Nuk trokiti as atë natë, as të nesërmen e as të pasnesërmen. Ditën e katërt e kërkuan në Tiranë.

 

Iku i heshtur, pa thënë asnjë gjysmë fjale. As unë nuk i thashë gjë, por vetë e di se si u përmbajta pa derdhur lot në atë çast.

 

Mbasdreke më mori në telefon: – Rri e qetë më tha, më shkarkuan dhe kaq!

Kaq, kaq – thashë me vete – po “rrurëzat” vinë mbrapa!

 

Për fatin tonë, ai vërtet u shkarkua, por më pas u trajtua mirë. Them se nga ndërgjegja dhe ndershmëria që e karakterizonte dhe që këto cilësi ia njihte Partia. Nga ana tjetër më vjen për “osh” se edhe Enver Hoxha dhe Nexhmija do të kenë ndikuar, pasi e njihnin mirë karakterin e Nekiut”.