KëndVështrim: VLUSHA

KëndVështrim: VLUSHA

Për vet pozicionin gjeografik dhe strategjik, rrëzë të malit të Vlushes, në kryqëzim rrugësh të vjetra karvanesh, me ekspozicion panoramik dhe të hapur nga Jugu, në një lartësi 700-850 m mbi nivelin e detit, Vlusha është një nga fshatrat më të njohur dhe më të rrahur të Skraparit. Si rrjedhojë edhe me ngjarje të shumta në të gjitha periudhat historike.  

Në Vlushë, në vendet e quajtur Armeninë, Vidhas dhe Sydenec është bërë një nga zbulimet më të mëdha e të pangjajshme arkeologjike në Shqipëri të vendbanimeve prehistorike të mezolitit të periudhës së gurit.

 

Vlusha ka qenë një qendër e njohur e asaj zone gjatë qeverisjes turke. Ka pasur dyqan, xhami (mejtep) që është përdorur edhe si shkollë turke dhe, fshehurazi, mësohej edhe gjuha shqipe.

 

Fshati Vlushë ka histori me ngjarje dhe beteja që janë zhvilluar si gjatë Luftës së Parë, midis dy luftrave dhe gjatë Luftës së Dytë Botërore. Gjatë Luftës së Parë Botërore është sumuar disa herë nga andartët grekë. Këtu është vrarë komandanti famëkeq grek, Kostë Piçorri.

Vlusha ka qenë “placdarmë” midis tri fuqive të huaja ushtarake në Luftën e Parë Botërore, i Austo-Hungarisë, Italisë dhe  Greqisë.  Rrethinat e fshatit Vlushë u bënë fushë beteje  mes forcave austro-hungareze dhe atyre italiane në këtë luftë.

Forcat austro-hungareze komandoheshin nga gjeneral Gjilardi, i cili ishte vendosur në lagjen Sanxhak.

Edhe gjatë Luftës së Dytë Botërore historia e fshatit Vlushë është e mbushur me shumë ngjarje:

 

Më 14 janar të vitit 1944 një detashment ndëshkimi gjerman, kanë bërë një nga masakrat më të mëdha në Skrapar, duke vrare 23 burra dhe djem të pafajshëm të fshatit.

 

Në Vlushë më 17 Mars 1944 u formua Brigada e 7-të Sulmuese e Ushtrisë Nacionalçlirimtare.

 

Në Vlushë nga muaji prill deri në qershor 1944 ka funksionuar spitali partizan në shtëpinë e Hysen Mançes.

Në vitet e socializmit Vlusha bashkë me Gostënckën  ishte pjesë e kooperativës bujqësore Leshnje.

 

Në fund të viteve ’70 të shekullit të kaluar erdhën në këtë fshat banorë nga Faqekuqi, të cilët u shpërngulën këtu pas rrëshqitjes së fshatit të tyre.

 

Si dhe të gjithë fshatrat e tjerë të Skraparit, sot, fatkeqësisht, Vlusha është braktisur. Kanë ngelur shumë pak banorë. (Z.H.)