Kënga qytetare fierake/Vështrim dhe meditim

Kënga qytetare fierake/Vështrim dhe meditim

Nga Agron Bego*

 

Në fund shekullin e XIX, Voskopoja e ndritur u dogj tre herë rresht, dhe si pasojë, voskpojarët dhe grabovarët aty pranë, u shpërngulen në drejtim të Shqipërisë Perëndimore, nga Tirana në

 

Gjirokastër, por në numër më të madh në Fier, kryesisht pronë e bejlerëve vrionas, si dhe në disa fshatra përreth. Në këto fshatra u vendosën sigurisht bujqit e blektorët, ndërsa në qytetin e Fierit u vendosen tregëtarët dhe zanaçinjtë. Në këtë mënyrë qyteti filloi të formohej dhe plotësohej me gjithë elementët bazë jetësor dhe shpirtëror. Vrionasit sollën arkitektë të huaj, të cilët i dhanë qytetit strukturë dhe pamje europiane të kohës, ku si pasojë sollën zhvillim dhe fuqi ekonomike për këtë qendër, e cila filloi të bëhej ndër kontribueset kryesore në arkën e shtetit shqiptar.

 

Është fakt se voskopojarët erdhën nga juglindja me ritet, traditat, gjuhën, këngët e vallet vllahe dhe fenë e tyre ortodokse, të cilat afroheshin me traditat popullore dhe fetare të Myzeqesë. Marrëdhëniet dhe lidhjet ekonomike e shpirtërore me myzeqarët dhe qytetet fqinjë të Beratit dhe Vlorës e bënë integrimin të natyrshëm por edhe gradual në të gjitha aspektet e jetës të këtij komunteti. Në festa e gëzime familjare bashkë me këngët e vallet e tyre, arumunët (vllehët), futën dhe ato myzeqare, të cilat natyrshëm u bënë pjesë e jetës së tyre.

 

Kënga myzeqare është kryesisht lirike. Te burrat ajo është me iso e shtrirë dhe pa ritëm të përcaktuar, pra isopolifoni, ndërsa te gratë është lirike e me ritëm dhe hera herës e hareshme, madje kënga shoqëron edhe vallet, pra valle të kënduara ose valle me këngë. Duhet theksuar se kënga myzeqare është e ndërtuar mbi Pentaton, element ky që e dallon nga kënga fqinje vlonjate.

 

Në qytetin e Fierit, në gëzime e dasma filloi të këndoheshin këngët myzeqare, si të burave ashtu dhe të grave. Tregëtarët dhe familjet e pasura binin në qytet këngëtarë me orkestrat e sazet më të mira të jugut e juglindjes, si ato të Korcës, Leskovikut, Beratit, Përmetit, Vlorës. Me këto zhvillime Fieri po bëhej një qëndër e rëndësishme artistike për rajonin sigurisht për nivelin artistik të asaj kohe. Këngëtarët vendas si Llazi Spiro Shënpjetra, Kiu Poro, Sil Paloli, vëllezërit Dano etj, (për këta të fundit është e dokumentuar se këngët dhe zërat e tyre janë të regjistruara në Radio Londra në kohën e mbretit Zog), etj, me mjeshtërinë e tyre për folkun myzeqar u bënë të njohur edhe përtej krahinës së Myzeqesë.

 

Kështu nisi të marrë formë dhe zhvilim kënga qytetare fierake, duke ruajtur ngjyrat, karakterin, lirikën dhe elementët e këngës myzeqare, gjithmonë të mbështetura mbi Pentaton. Por të tjera kushte për zhvillimin e saj u krijuan pas Çlirimit, ku artistët amatorë të këngëve, valleve, instrumentave muzikorë dhe humorit, nisën të aktivizohen pranë Shtëpisë së Kulturës, në të cilën organizoheshin koncerte si në qytet ashtu dhe në fshatra të Myzeqesë.

 

Me krijimin pranë Shtëpisë së Kulturës të trupës amatore të humorit nisën të aktivizohen edhe këngëtarët e parë si Timo Lule, Lefteri Sillo, Sofika Hodo, madje dhe humoristët amatorë Fuat Boçi apo Leonidha Prifti. Ata shoqëroheshin nga instrumentistët pasionantë dhe të talentuar si Isuf Maloku në fizarmonikë dhe Llazar Doko në klarinetë. Regjizori i kësaj trupe ishte i mirënjohuri Llazar Verria, i cili veprimtarinë artistike e kishte nisur që në rreshtat e luftës partizane. Më vonë të rinj e të reja do të evidentohen pranë grupeve artistike të ndërmarrjeve prodhuese të qytetit të Fierit, ku shumë nga këta do të bënin karrierë të suksesshme pranë Estradës Profesioniste dhe Ansamblit Artistik “Myzeqeja”. Të tillë ishin këngëtarët Petraq Shyti, Vilson Shaho, Llazar Pove, Albert Çupa, Anesti Çuko, Luljeta Gjerazi, Violeta Mashani, Vasilika Stamo, Valentina Nushi, Rainita Pupi, Rajmonda Aliaj, etj, që u bënë të njohur dhe të dashur për interpretimin e bukur të këngës myzeqare dhe asaj fierake.

 

Merita të veçanta do të kishte kompozitori i njohur Nikollaq Bulo. Ai jo vetëm u përkujdes për këngën dhe artistët e rinj por krijoi edhe këngë të reja me motive myzeqare, madje disa nga këto këngë do t’I përshtaste edhe për orketrën frymore të qytetit (bandën muzikore). Por edhe autorë të tjerë të rinj me në krye letrarin dhe aktivistin e palodhur Fran Ukcama, përshtatën dhe krijuan tekste për këngë të reja.

 

Mbas viteve ’70 dhe sidomos mbas festivalit të 11 të këngës në RTSH, arti në përgjithësi dhe kënga në vëcanti, do të merrnin ‘’pamje’’ dhe zhvillim cilësor në gjithë elementët e tyre, qoftë kënga e muzikës së lehtë dhe ajo popullore. Në këtë nivel artistik të arritur me punë dhe përpjekje të mëdha për këngën fierake, lindi nevoja për një projekt me shije dhe këndvështrim ndryshe, në raport edhe me grupet e këtij zhanri në mbarë vëndin tonë, siç ishin  ‘’Karajfilat e Shkodrës’’, ‘’Pleqtë e Krujës’’, ‘’Grupi i Elbasanit’’, ‘’Grupi i Vlorës’’, ‘’Grupi i Beratit’’, ‘’Grupi i Përmetit’’, ‘’Grupi i Burrave të Kavajës, etj. Ideatori i këtij projekti ambicioz do të bëhej muzikanti i talentuar, pasionant e këmbëngulës me vizion shumë të qartë për rrugën e tij artistike, drejtuesi i orkestrës së Estradës Profesioniste pranë Teatrit “Bylis”, i riu Ferit Hoxha. Ai do të mbështetej fuqimisht dy bashkëpunëtorë që ishin këngëtarja e njohur e kësaj trupe Brunilda Hoxha (Sota) dhe këngëtari tjetër i njohur, Llazar Pove. Përgatitjet për këtë projekt filluan në vitin 1975 dhe një vit më pasë (1976) doli premiera e parë me këngë të njohura fierake dhe më pas edhe këngë të reja.

 

Artdashësit kujtojnë me nostalgji këngët: ‘’Lulja partizane’’, ‘’Marë moj marë’’ dhe disa krijime të tjera të Ferit Hoxhës, të kënduara bukur nga Brunilda Hoxha (Sota) dhe grupi, të cilët nisën tii jepnin atij emër në qytet e më gjërë. Ky do të ishte një shembull unik që së bashku me grupin e djemëve të Institutit të Latrë të Arteve “Na bashkoi kënga popullore”, i dhanë këngës popullore shqiptare një model dhe qasje të re, në të gjithë elementët strukturorë dhe harmonikë të saj. Por një tipar kryesor dhe i vecantë, në raport me grupet e lartpërmendura ishtë forma e tij e veçantë si grup vokal-instrumental, ku të gjithë pjestarët e grupit këndojnin dhe shoqëronin këngën me instrumentat e tyre përkatës. Harmonia në orkestrim dhe vijë melodike ishtë më moderne, me e freskët, më e zhdërvjellët dhe më dinamike. Kujdesi i veçantë bëhet për ruajtjen e elementëve më të spikatur të këngës myzeqare gjithmonë duke ruajtur Pentatonin që e dallon atë nga të gjitha këngët popullore shqiptare dhe ballkanike.

 

Ndërkohë që me ndryshimin e sistemit politik në vitet ’90 edhe në Fier arti do të pësonte një “zbehje” graduale, si pasojë edhe të emigrimit masiv të artistëve dhe publikut jashtë Shqipërisë. Në këtë periudhë muzikanti i njohur dhe me përvojë Jani Tase dhe këngëtari Llazar Pove do të kishin meritën që do të riorganizonin grupin e këngës popullore me anëtarë të rinj, si: Dhimitër (Miti) Nushi, vëllezërit Arjan dhe LLazar (Landi) Papa, Albert Aliaj, Robert Hoxha, duke përfshirë më vonë edhe instrumentistin Alfred Tase dhe këngëtaren Alma Gashi. Ata bashku do ti jepnin këtij formacioni artistik  identitetin dhe emërtimin zyrtar të njohur në gjithë Shqipërinë si “Grupi i këngës qytetare fierake”.

 

Në këtë mënyrë formacioneve artistike në Fier, si Orkestra Sinfonike, Orkestra Frymore (banda) dhe Ansamblit Artistik “Myzeqeja”, ju shtua edhe “Grupi i këngës qytetare fierake”, i cili gjallëroi ndjeshëm jetën artistike të qyteti duke u bërë prezent në çdo aktivitet artistik, festa lokale, apo në konkurime kombëtare, në të cilat do të merrte edhe çmime dhe vlerësime të larta. Shumë këngë të kënduara nga ky grup dëgjohen edhe sot në radiot e televizionet kombëtare dhe lokale, duke theksuar se ai është bërë një identitet artistik për qytetin e Fierit, në Shqipëri e më gjërë.

 

Gjithashtu një nga sfidat e këtij grupi ka qenë edhe mbijetesa. Ashtu si çdo element jetësor edhe arti dhe artistët nuk janë të përjetshëm. Këto probleme ka hasur vitet e fundit edhe “Grupi i këngës qytetare fierake”, por falë mbështetjes së pushtetit vendor dhe strukturave të tij të artit dhe kultures, ja ka dalë mbanë. Një gjë e tillë e pamë edhe në koncertin e fundit të Ansamblit Artistik ‘’Myzeqeja’’, që u shfaq në Teatrin Bylis disa kohë më parë. Në këtë shfaqje, grupi, nën drejtimin e këngëtarit të mirënjohur Llazar Pove u shfaq me element të rinj duke sjellë përsëri përballë publikut freskinë dhe bukurinë e këngëve popullore të Fierit dhe të Myzeqesë. Ky është ‘’Grupi i këngës qytetare fierake’’, që duke e thënë me ego dhe krenari, na bën krenar si fierakë në Shqipëri dhe në botë.

 

 

* Ish këngëtar dhe instrumentist i Orkestrës së Estradës Profesioniste dhe Ansamblit Myzeqeja Fier