“Neki Sula, Zaloshnja – histori”, një libër që shuan çdo polemikë dhe dyshim mbi historinë e Zaloshnjes

“Neki Sula, Zaloshnja – histori”, një libër që shuan çdo polemikë dhe dyshim mbi historinë e Zaloshnjes

Zylyftar Hoxha

 

Siç thuhet edhe në titull, libri “Neki Sula – dy libra në një: Monografi dhe Zaloshnja – histori” ka dy pjesë.

 

Veç monografisë, të shkruajtur nga unë në bazë të dokumenteve arkivore dhe kujtimeve të atyre njerëzve që e kanë njohur Neki Sulën; pjesa e dytë e librit titullohet “Historiku i Zaloshnjes”, i shkruar nga vetë Neki Sula dhe i miratuar nga populli i këtij fshati me firmat e një komisioni të ngritur posaçërisht për këtë qëllim.

 

Kopertina e librit të dytë brenda librit voluminoz

 

Në arkivin personal të Neki Sulës, të ruajtur me fanatizëm nga i biri i tij, Fatos Sula, në një dosje të veçantë gjejmë katër kopje të historikut të fshatit, që janë kopje pune. Kopja më e hershme është shkruar me shkrim dore në dy fletore shkolle, nr. 1 dhe nr. 2, të quajtura në atë kohë fletore “katërlekëshe”. Ndërsa kopjet e tjera janë me makinë shkrimi dhe janë variante evoluimi dhe përmirësimi të vazhdueshëm, gjë që duket nga krahasimi, por edhe ndërhyrjet me laps ose stilolaps përsipër.

 

Duket se Nekiu e ka patur shumë merak përgjegjësinë që ka marrë përsipër për të shkruar historinë e fshatit, pasi në kopjet e mëvonëshme dhe sidomos në atë përfunimtare, ka bërë ndryshime esenciale. Veçanërisht ndryshime janë bërë në kopjen e parafundit, ku janë pasqyruar vërejtjet që kanë bërë individë të ndryshëm pas kopjeve të shpërndara për vërejtje dhe sugjerime apo edhe pas leximit kolektiv që i është bërë historikut në fshat, një praktikë që zhvillohej në atë atë kohë.

 

Si një njeri shumë i rregullt dhe skruploz me dokumentin, në mes të kopjes së parafundit, ai ka lënë një zarf me shënimin “Vërejtje dhe sugjerime nga populli”. Në këto dokumente është një format i zakonshëm letre ku janë shënuar mendime të njerëzve të ndryshëm, janë shënuar vërejtje për harresa ngjarjesh dhe emrash me kontribute etj.

Ndonjë pasazh mund të mos jetë përshkruar mirë literalisht; diku mund të jetë përdorur frazeologji e ideologjizuar (në atë kohë ajo ishte një normë e detyrueshme shkrimi që përdorej nga strukturat shtetërore dhe partiake). Nga ana tjetër, ndonjë pjesë mund të mos tingëllojë dhe aq e besueshmë, për faktin se ka kaluar më parë “në linjë partie”. Por këto mangësi nuk ia ulin vlerën Historikut. Ngjarjet dhe faktet historike janë aty, ndaj dhe, një autor kaq i apasionuar si Neki Sula, i cili, siç thuhet nga antët tona,”i ka pasur “duart në brumët”, duhet falenderuar e nderuar për kontributin e tij.

Mos harrojmë se “Historiku…” i tij është shkruar që në vitin 1975 dhe ka ngelur aty. Ndaj bash për këtë fakt ai përbën një thesar të rrallë për studiuesit e vërtetë.

 

Arkivat personale të Nekiut

 

Siç u tha më sipër, Historiku është nxjerrë nga dorëshkrimet origjinale të Neki Sulës me fare pak ndryshime të karakterit gjuhësor redaktorial.

 

Do të veçoja këtu punën e kujdesshme dhe ndihmën e dhënë në këtë drejtim nga ana e zonjës Jerina Zaloshnja, të cilën gjej rastin për ta falenderuar.

 

Në ditët e sotme ka shumë njerëz që vazhdojnë të merren me kujtime e histori. Ka syresh që mund të mos bien dakord me materialet e paraardhësve, përfshi këtu edhe “Historikun e Zaloshnjes…”. Ndoshta, në këto materiale mund të ketë edhe subjektivizëm, por, nuk duhet harruar konteksti historik, koha kur janë shkruar ato. Nga ana tjetër, është e vështirë, të mos u besosh dokumenteve të këtij lloji.

 

Vendimet e miratimit të historikut nga fshati

 

Besoj dhe shpresoj se botimi i “Historikut” të Nekiut do të shuajë polemika, hamendësime dhe dyshime që diskutohen ende sot nga disa “studiues” dhe “historianë” të këtij fshati, pasi ky është dokument autentik, i shkruar nga njerëz që “i kanë “prodhuar” këto ngjarje, që e kanë jetuar atë kohë, nga dëshmitarë okularë, që kanë qënë edhe aktorë, por edhe autorë të ngarjeve, siç është edhe vetë Nekiu.

 

Si përfundim mund të themi se “Historiku i fshatit Zaloshnje” i përpiluar nga Neki Sula dhe i miratuar nga i gjithë fshati, sido i pjesshëm, pasi ai u ndërpre për arsye të ndarjes nga jeta të tij që në vitin 1978, është një vlerë e çmuar historike, një pasuri memoristike që nuk i përket vetëm këtij njeriu, por gjithë fshatit. Ai është një monument që nderon dhe respekton gjakun dhe djersën e brezave të tërë zaloshnjallinjsh, njëkohësisht edhe mundin dhe sakrificat e vetë autorit të tij, të të nderuarit dhe respektuarit Neki Sula!

Si “Historiku i fshatit”, ashtu edhe jetëshkrimi, monografia e e Neki Sulës janë dy testamente historikë, dy pasuri memoristike për Zaloshnjen, sepse edhe jeta dhe veprimtaria e Nikut nuk është ndarë nga ajo e bashkëfshatarëve të tij.

 

I përjetshëm kujtimi i këtij njeriu të veçantë, krenari e atij fshati me histori të madhe, por edhe me plot figura historike të tjera të mëdha!