Kohë që nuk harrohet

Kohë që nuk harrohet

Ilmi S. Qazimi

Mendimi që gjatë pushimeve të verës të bëjmë ndonjë punë na ishte ngulitur që në vegjëli nga jeta e prindërve, nga edukata sistematike shkollore që na jepej krahas mësimeve dhe nga nevoja për të marrë ndonjë lekë që të përballonin sadopak kërkesa elementare të jetesës.

 

 

Ishin pushimet e beharit të vitit 1969. Dhe filluam punën me kazmë e lopatë, qysqi e vare në hapjen e kanalit vaditës nga Shullëri i Rogut drejt Zabërzanit nr.2 që atëhere i thuhej “Zabërzani i poshtëm”, nga që ishte edhe një qëndër me banorë të këtij fshati diku më sipër. Ishim rreth 15 vetë.

 

 

Tani, pas 53 vitesh kujtoj me respekt të veçantë disa nga pjesëmarrësit në hapjen e atij kanali ujitës. Islam Abazi, ishte student në fakultetin e inxhinierisë së ndërtimit, i cili edhe këtu bënte edhe punën si drejtues teknik.

 

 

Eslem Hasanaj, ishte nga Zabërzani, i cili më pas do të bëhej mjek ushtarak, me gradën kolonel, i shumënjohur në mbarë Shqipërinë me banim në Tiranë.Ai nuk hoqi dorë kurrë nga kujdesi për njerëzit.

 

 

Nasibi Bregu,  apo siç i thoshin deri vonë, Nasi, i cili  u kthye në një lloj monumenti për arsimin në komunën e Çepanit mbasi  shërbeu aty si mësues për më tepër se 40 vjet e tani banon në Durrës.

 

 

Haxhi Bashon, që mbetet në kujtesën e të gjithve si brigadieri më kërkues e më shembullor i kooperativës bujqësore të Çepanit; i vetmi që eksperimentoi edhe mbjelljen e ullinjve në fshatlindjen tonë.

 

 

Musa Alimeri, djali “arrakat i kryetarit”, i cili vendlindje të tij quan Çepanin dhe për të ka mall të pashuar dhe tani jeton në Tiranë. Kur i kujton Çepanin i lotojnë sytë dhe shpirti.

 

 

Shkëlqim Bregu, ndjesë pastë, që ishte simbol i qetësisë dhe i fjalës së ëmbël por u nda shumë shpejt nga jeta  në Tiranë.

 

 

Sadik Mersini, nga Prishta, dhëndërr në Çepan, që më pas do të bëhej një kuadër i rëndësishëm i bujqësisë në Skrapar, e që pas viteve 1990 u vendos në Tiranë, por nuk iu nda asnjë ditë punës,pavarësisht nga vështirësitë.

 

 

Brigadier, i thoshin, kishim mësuesin  e historisë, Guxim Meta me thinja që kur ishte i ri, i cili pasi u largua nga Çepani  u vendos në Durrës por nuk hoqi dorë ngë mësuesia.

 

 

Komisar të aksionit kishim Hasan Çunin nga Sevrani, ndjesë pastë, i cili merrte bukën me vete me një domate të madhe zemërbrymë që e ndante gjithnjë me tërë shokët…

 

Në atë kohë drejtor i ndërmarrjes së bonifikimit ishte kuadri energjik e plot humor Nexhip Dashi, ndjesë pastë, i cili bëri të pamundurën që uji të shkonte deri në fshatin e tij. Punonim si brigadë dhe punonim mirë. Na kërkohej norma dhe cilësia e punës. Dhe ne i arrinim ato, paçka se  lodheshim.

 

 

Në fund fare na dhanë edhe lekët, mbi bazën e ditëve të punës dhe rregullave të llogaritjes së shpërblimit në kooperativën bujqësore. Unë, Fuat Zyka,  isha student në Gjirokastër dhe pas ca kohësh atje im atë, Syriu, pastë ndjesë, më dërgoi pesë mijë lekë me të cilat bleva një kostum.

 

 

—————–

Le të shërbejë ky shkrim –kujtesë në shenjë repekti të të gjallëve, dhe si një një homazh nderimi për shokët që nuk janë më midis nesh e për punët e bukura e të mirëorganizuara që janë bërë për edukimin e brezit të  ri të asaj kohe dhe për lulëzimin e vendlindjes.