Komuniteti më i veçantë, më kompakt dhe më praktik në krahasim me të shpërngulurit e rajoneve të tjerë në qytetin më të madh bregdetar shqiptar
Skraparllinjtë e Durrësit
Zhvendosja e skraparllinjve pas viteve ’90 në Durrës, edhe pse e pa organizuar dhe spontane, në fund, ndoshta nga ndonjë forcë magnetike, tërheqëse shpirtërore, i bëri përsëri bashkë në Durrës.
Ata zunë kodrat mbi qytet dhe të Porto – Romanos, ku kanë krijuar një komunitet unik, tipik skraparlli tradicionalë. Është një zhvendosje si me dorë, ku vëndreshallijntë janë pranë njëri-tjetrit, tomorricarët, potomllinjtë, çepanllinjtë gjithashtu.
Kanë krijuar lagje, si ajo e mbi Spital, që në nder të lagjes “5 Shtatori” të Çorovodës, quhet “ 5 Shtatori” i Durrësit; ajo e Bakiajve të Vëndreshës, ato të “Plazhit” si “Aliajt e Vëndreshës”, “Koxhanjtë e Novajt”; ato të Arapajt, si “Zotot e Nikollarës” apo “Çetët e Grëmshit” etj.
Ja dhe për t’u çmallur Tomorri në sfond
Mjafton të shikosh shtëpitë që ata kanë bërë. Vilat e tyre dy e trekatëshe dallojnë. Shko tek Ullishtja dhe mahnitesh. Deri tek dera e shtëpisë shtruar me asfalt, mure të qëndisur, lule e gjelbërim.
Durrsakët i veçojnë skraparllinjtë si komuniteti më i veçantë, më civil, më praktik, më i aftë dhe i zoti për të përballuar jetën.
Nuk kemi mundësi tjetër për të ilustruar atë që thamë, veçse këto foto të mësuesit, krijuesit letrar dhe artizanit merakçi të nxjerrjes së rakisë, Tomorr Lazes, që e ndan 50% me 50% Durrësin me Buzuqin, vendlindjen e tij në Skrapar. (“Orakujt…”)