Ku njeriu ndihet Zot, Dii, Perëndi, të paktën njëherë në vit, njëherë në jetë
Ilir Cenollari ka lindur në vitin 1966 në fshatin Teman, pranë Ujit të Zi, aty ku ndahet Berati me Skraparin. Krahas punës në një institucion të rëndëishëm të shtetit shqiptar, merret më studime historike të lashtësisë.
Ka botuar libra dhe artikuj të shumtë me këtë temë.
Po japim më poshtë një esse (përjetim çasti) të tij për malin e Tomorrit:
Ilir Cenollari
Historia më e lashtë e Shqipërisë grumbullohet, përmblidhet, vërtitet, rrotullohet rreth Tomorit hyjnor, rreth malit-Zot dhe aty gjen kulmet e saj, shkëlqimin e lavdisë, shenjtërinë dhe madhshtinë.
Nga ky kulm, nga kreshta e Tomorit hijerëndë, mund të shohësh larg dhe thellë, të çash mjegullën e kohës dhe tisin e hapësirës, të fluturosh me shpejtësi të rrufeshme si shqiponjë zeusiane, të thithësh ajër të kristaltë dhe aromë mesdheu, të kapësh qiejt, të soditësh fusha dhe male, pllaja dhe dete, ta kesh Shqipërinë si në pëllëmbë të dorës.
Vështrimi i tij i perëndishëm endet tej e përtej, anembanë, poshtë e sipër, larg dhe afër, në qiell dhe në tokë.
Ai zotëron kudo, herë i qetë, i kthjellët, herë i vrenjtur, i mënxyrshëm, herë luan i zemëruar, herë elefant i përgjumur, herë i zhytur mes reve të nxira, herë i pahitur me borë, herë i veshur me kostum dhëndërrie e herë me vello të bardhë nusërie.
Gjithmonë i befasishëm, përherë i ndryshëm e gjithnjë po ai, i ngulur thellë në tokë, stoik, sfidues, frymëzues. Palëvizshmëria e tij është iluzive, e gënjështërt; herë-herë trupi i tij merr valëzime të fuqishme, këput zinxhirët e shkëmbtë, shkëputet nga vendi, lundron në detin e kohës dhe të hapësirës, të shfaqet përpara si një mrekulli.
Për të mbërritur në Tomorin tonë unë jam nisur nga larg, nga tepër larg, si një pelegrin i veshur me fustanellën e gjatë e të bardhë, si një “leleg” pellasg. Pas shumë vitesh udhëtimi mbërrita bash aty ku kisha lindur, në Tomor. Habia ime qe e madhe. Paskam qenë kaq afër dhe s’e paskam ditur?!
Kur isha fëmijë rrija përballë malit me orë të tëra, sikur doja të lexoja madhështinë e tij, të zbuloja misterin që ai mbante në gji derisa humbja në ëndërrime.
Nga vendasit dëgjoja thënie të çuditshme, si për shembull në gërxhet e malit rrojnë xhindet e tmerrshme, unë bëhesha më tepër kureshtar, hapja sytë fort por s’dalloja gjë. Im atë, në muajin gusht merrte dashin krahaqafë dhe e bënte fli në Kulmak në kthim sillte mish për ne të shtëpisë dhe për bamirësi.
Mbyllja e kishave dhe e xhamive nuk i pengonte njerëzit të shkonin dhe faleshin në Tomor. Madje as shteti nuk guxonte t’i ndalonte.
Zoti i Tomorit kish lindur para Budës, Krishtit dhe Muhametit. Zoti i Tomorit kish lindur me krijimin e vetë tokës, me ngjizjen e vetë malit.
Tani që mbërrita, pas këtij rrugëtimi të gjatë e rraskapitës, hedh sytë mbi Tomor si ta shihja për herë të parë, sikur të mos e njihja.
Mijëra pelegrinë ngjiten drejt Çukës së Lartë, nëpër të përpjetën e thiktë mbi Bargullas. Udha dallohet qartë, një vazhdë e trefishtë gjarpëruese. Kushedi sa e vjetër!
Pelegrinë nga mbarë viset e dheut ngarkuar me fli e dhurata, me deshë e cjepë mbi shpinë, çapiten për në faltore. Të lodhur plandosen përdhe, luten, ndezin zjarre, hedhin valle, skuqin hejet, pjekin mishrat e therur, falen, hanë, sodisin ditën e dritësuar, natën e yjëzuar.
Faqja e malit është e veshur me bar të butë, me pirrën karaktersitike aq të dashur për tufat e dhënëve që verojnë përvit shpateve të tij.
Dhitë e egra kërcejnë shkrepave të thepisura, luani i Tomorit zgjohet me kërshëri, kreshpërohet dhe struket shkurreve të dendura, lisat falltarë fëshfërijnë profecinë e shenjtë, profetët profetizojnë.
Dhe njeriu ndihet Zot, Dii, Perëndi, të paktën njëherë në vit, njëherë në jetë.
