Pjesë nga parathënia e vëllimit të parë të “Kalendarit Kombiar”
Zylyftar Hoxha
Në vitet 1975 – 80, duke shkruar një monografi për patriotin rilindës, Meleq Staravecka, mik dhe bashkë punëtor i Kristo Luarasit, isha ndeshur me mjaft dokumente që bënin fjalë për veprimtarinë e spikatur të këtij rilindësi të shquar, por vetëm kaq,nuk kisha gjetur për të një vepër të të plotë dhe të sistemuar.

Në këtë kohë kisha mundur të prekja një pjesë të të makinerive të tij “Mbrothtësia”, shtetëzuar në Tiranë që në vitin 1946 dhe sjellë në vitin 1971 në Skrapar, si rezervë që në rast lufte, aty do të shtypej “Zëri i Popullit”, por kisha gjetur edhe një mik të Kristos, një specialist të vjetër të poligrafisë, Jak Banda, që kishte ardhur për të montuar makineritë në Skrapar.
Ky shkodran i urtë dhe i mençur rritur dhe plakur mes atyre makinerive, nuk linte rast pa folur për Kriston, këtij “Gutenbergu” të pakonkurrueshëm shqiptar, por edhe aftësitë e zotësitë e së shoës, Poliksenit dhe djalit Theodhorit, që, pas vdekjes mbanin në këmbë gjithë atë industri me një ritëm, madje më të lartë se në kohën e Kristos.

Tani pas kaq vjetësh, pasi kam njohur disi veprën e Kristos, se ne ende nuk dime dhe nuk marrim dot me mend se cili do të kishte qenë fati i rilindësve të medhenj, sidomos të Vëllezërve Frashëri dhe gjithë asaj pune për zgjimin kombëtar, pa përkushtimin aq të zellshëm atdhetar të një prej apostujve të të shqiptarizmës gjatë Rilidjes sonë Kombëtare, Kristo Luarasit.
Ndoshta shumë prej veprave të tyre nuk do të kishin parë kurrë dritën e botimit e do t;i gjenim sot si dorëshkrime nëpër arkiva ose do të ishin botuar me vonesë, jo me atë vrull, me atë numër dhe me atë shpejtësi që i botoi Kristo Luarasi, që djalë i ri, adoleshent 17-vjeçar, shkoi në Stamboll te Naim Frashëri dhe mori prej tij “izën”, autorizimin e botimit të veprave të tij dhe të të gjithë patriotëve të “Shoqërsë së Stambollit”.
E gjithë veprimtaria 40-vjeçare e Kristos, si një mision atdhetar dhe politik, është mishëruar në shtypshkronjën “Mbrothtësia”, fillimisht në Sofje, kur ai ishte fare i ri, në Selanik, Bukuresht e më pas në Tiranë, me shtëpitë botuese “Kristo Luarasi”, “Luarasi” etj. Me një gamë të madhe botimesh prej 600 e ca titujsh librash politikë, juridikë, artistkë fetarë, shkollorë, disa të ribotuara me dhjetra herë me tirazhe të ndryshme, duke plotësuar për herë e më mirë nevojat e një populli të etur për arsim, kulturë e dije.
Pas vdekjes së Kristos, veprimtarinë botuese e vazhdoi i biri, Theodhori, deri në vitin 1946, ku shtëpia botuese dhe shtypshkronja “luarasi”, pavarësisht back-graundit historik, u shtetëzuan thjesht si një pronë e thjesht private, e jo si vepra me vlera të paçmuara historike për zhvillimin politik, kulturor, letrar dhe gjuhësor të shqiptarëve pas Rilindjes Kombëtare.
Në fushën e shtypshkrimeve Kristo Luarasi mund të cilësohet si “Gutenbergu Shqiptar”, por ai shkëlqen edhe si krijues, si gazetar editoruilësh, shkrimesh redaksionalë e problemorë, si drejtues dhe organizator i disa gazetave të rëndësishme të kohës.
Profili i kristos është i gjerë dhe i jashtëzakonshëm, si atdhetar, si dijetar, si shkrimtar, si gazetar, si poet, si si poliglot që dinte 7-8 gjuhë, si enciklopedist. Ai bashkoi në një të vetme, jo vetëm vetëm atdhetarin, por edhe drejtuesin dhe organizatorin e zot, njeriun e ditur, por edhe biznesmenin e sukseshëm, si ndoshta askush në Rilindje.
Ai ishte një botues që diti të aktivizojë patriotët më të shquar nga kolonitë shqiptare të mërgimit, si Bukureshti, Misiri, Italia, Amerika dhe nga vetë shqipëria rreth vetes së tij në gazetat që botoi dhe drejtoi vetë.

Sakrifica që bëri ky burrë i Shqipërisë është e madhërishme dhe e pakrahasueshme, ai ishte dhe mbete një rilindës vizionar iluminist i një kalibri të rëndë.
Shahin Kolonja, me të cilin bashkëpunoi për tetë vjet me radhë për nxjerrjen e gazetës kombëtare “Drita” (1901 – 1908) shkruan se “kontributi i Kristo Luarasit për çështjen shqiptare, është më i vlefshënm se i të gjithë emigrantëve së bashku”.
Noli i madh nga përtej oqeanit, do ta përcaktonte Kristo Luarasin si një prej 28 personaliteteve shqiptare që vunë themelet e shtetit shqiptar” dhe si një “gud biznesmen” që vuri gjithçka, jetën e tij, familjen, kamjen dhe gjënë e vetë në shërbim të Shqipërisë.

Ndërsa Mit’hat Frashëri, miku i tij i ngushtë, një miqësi që u quajt mëkat dhe u pagua shtrenjtë, me haraçin e harresës gjatë regjimit komunist, por edhe më pas, do të shprehej, Kristo Luarasi do të shikohej si një mirëbërës fort i madh, mirëbërës për mijëra e mijëra lëçitës të librave dhe të gazetave që dilnin nga duart e Kristos, dhe një mirëbërës më i vlefshëm akoma për bashkëpunëtorët e tij.
Me gjithë këto merita si kolos i shqiptarizmës, fatkeqësisht, përveç ndonjë botimi sporadik, disa dekoratave e titujve të dorës së dytë, shteti dhe institucionet tona shkencore i kanë shumë borxhe Kristos për të vënë atje ku i takon.
Jam i bindur se ribotimi i “Kalendarit Kombiar” do të hedhë dritë të re, të munguar, mbi veprimtarinë e këtij atdhetari të shquar dhe figura e tij do të ridimensionohet në ato përmasa që ka patur në të vërtetë.
