Laskarina Bubulina: tigër lufte, kotele shtrati!…

Laskarina Bubulina: tigër lufte, kotele shtrati!…

 

Lexoni më poshtë historitë dhe aventurat e bukura të arvanitases së shquar, heroinës së famshme greko- arbërore, Laskarina Bubulina

 

 

Laskarina Bubulina, heroina greko-shqiptare në Revolucionin Grek dhe në luftën për çlirimin e Greqisë nga pushtimi shumë shekullor otoman, është një figurë e njohur për këdo, në Greqi po e po, por edhe në Shqipëri. Herë-herë, për shkak të origjinës së saj arbërore, shumë studiues e renditin atë në heroinat e kombit tonë dhe nuk bëjnë gabim, pasi ajo jo vetëm nuk e ka mohuar origjinën e saj arbërore, por, përkundrazi, e ka quajtur atë si një veti të lindur që i ka dhënë shtysë të bëhej ajo që në fakt u bë, një heroinë e vërtetë, e paharruar dhe frymëzuese i mijëra grave në shekuj.

 

 

Në këtë shkrim ne, veç prezantimit me këtë figurë interesante, do të bëjmë fjalë për anën tjetër të kësaj gruaje të fortë dhe heroike, anën e saj të ndjeshme dhe sensuale, që e donte aq shumë jetën, dashurinë, miqtë dhe që kërkonte në çdo çast ta përjetonte plotësisht ekzistencën e saj, me hiret, ekstazën dhe forcën e një gruaje.

 

 

Me qenë se këto ditë, për shkak të pronocimit të kryeministrit shqiptar, Edi Rama, figura e saj është diskutuar gjatë, po botojmë edhe ne diçka të gjetur dhe grumbulluar nga historia dhe letërsia frënge, sidomos nga shkrimtari Michel de Grece.  

 

 

Kush ishte Laskarina Bulina

 

 

Bubulina u lind në një burg të Stambollit, në atë burg që banorët e quanin “Kështjella e shtatë kullave”. Ishte mëngjesi i 11 majit të vitit 1771. Nëna e saj, Shqevo, kishte shkuar të takonte burrin e saj, kapedanin Pinotis, që mbahej i burgosur nga otomanët. Ishte një luftëtar i rezistencës greke, që ato vite luftonte për çlirimin e Greqisë.

 

 

Çuditërisht, atë mëngjes, kur mbërriti në “Kështjellën e shtatë kullave”, burrin e saj e gjeti të vdekur në qeli. Kishte ditë që kishte vdekur. Nga dhimbja e madhe, gruaja shtatzënë lindi para kohe. Burzino, shoku i armëve të Pinois, i burgosur bashkë me të, e ndihmoi gjatë lindjes dhe kërkoi t’i vërë emrin Laskarina, në kujtim të nënës së tij.

 

 

 

“Ne jemi shqiptarë, jemi ilirianë”!…

 

 

Disa javë më vonë, me Laskarinën kërthi, Shqevo zbarkoi në shtëpinë e saj në Hidra, por shumë shpejt largohet në Specaj, ku dhe martohet për së dyti. Edhe atje banorët ishin arvanitas, por më të butë e më të thjeshtë se ata të Hidrës, rivales së tyre.

 

 

Në Specaj flisnin arvanitika, pra shqip,- “Në fakt, nëna, ati im dhe unë, ishim grekë pa qenë të tillë. Ishim grekë me shpirt e me zemër, me fe dhe me ideale dhe sigurisht, grekë të sakrificës, sepse ne jepnim dhe jetën tonë për Greqinë, por jo grekë nga gjaku, sipas historianëve puristë. Unë jam një arvanitase, me një fjalë, shqiptare. Që prej kohërash tepër të largëta, raca jonë ka patur emra të ndryshëm. Vallë jemi pellazgë, ilirianë? Mos vallë gjuha jonë vjen drejtpërdrejt nga sanskrishtja, siç e pohojnë ekspertët? Di vetëm se ne kemi ardhur në Ballkan që prej mijëra vjetësh dhe jemi shpërndarë nëpër koloni, pothuaj ngado nëpër Greqi.

 

 

Hidra është shqiptare, Specaj po ashtu…”, mendohet të ketë thënë Bubulina, ose shkrimtarë të shumtë që kanë shkruar për të, kanë vënë në gojën e saj fjalët e mësipërme…

 

 

Laskarina u rrit në një ambient arvanitas, me këngët dhe zakonet e tyre, të njëjta me ato të Shqipërisë së Jugut. Të njëjtat këngë, mite e rite.

 

 

 

“Kapetanica” trime që tmerroi turqit

 

 

Bashkë me një nga bijtë e saj, Bubulina ishte anëtare e organizatës së fshehtë “Filiqi Eteria” (Shoqata e fshehtë), e cila u bë shpirti i revolucionit. Jeta e saj kaloi nëpër beteja detare, gjëmimet e topave dhe stuhisë.

 

 

Në shtëpinë muze të bën përshtypje një tablo e anijes së “Agamemnonit”. Më 13 mars 1821, në direkun e tij, ajo kishte ngritur flamurin dhe kishte nisur rrugën e madhe të luftës. Marinarët e saj, të gjithë arvanitas speciotë, ajo i thërriste “djemtë e mi”.

 

 

Pikërisht në 3 prill të atij viti, në majën e këmbanores së kishës së Shën Nikollës ajo kishte ngritur të parin flamur të luftës për pavarësi, me mbishkrimin “Ja vdekje, ja liri!”, shkruar me germa të mëdha në një sfond të kuq.

 

 

Shpejt, emri i Bubulinës do të shpërndahej nëpër gjithë ishujt, e më pas në tërë Greqinë e Ballkanin. Duke përshkruar betejën e famshme të Nafplios, kronisti dhe historiani grek Argiru, shkruan:

“Më kujtohet kur më 4 dhjetor 1821, ajo qëndronte në këmbë mbi kuvertën e anijes, duke urdhëruar sulmin mbi kështjellën e Nafplios. Por 300 topat e kështjellës e sprapsën sulmin e marinarëve të saj.

 

 

Si një amazonë në zemëratë, Bubulina u thirri: “Jini gra apo jini burra të vërtetë?… Përpara!”.

 

 

Një amazonë në portet më të mëdha të botës

 

 

Laskarina 26-vjeçare mbeti e ve me tri fëmijë, por shpejt Bubulis, miku më i ngushtë i të shoqit, kërkon të martohet me të. Dhe përsëri, duke ndjekur Bubulis, Laskarina do të vazhdonte aventurën e saj me detin, luftën dhe jetën boheme.

 

 

Edhe Bubulis ishte trim e njeri i aventurës. Me të, ajo do rrahë Atlantikun, do të shkojë gjer në Veracruz e Buenos-Aires, në Lisbonë, Kartagjenë dhe Detin e Zi. Emri i saj, tashmë ishte kthyer në legjendë.

 

 

Por pas vrasjes së Bubulis dhe të djalit të saj në betejat detare, emri i saj do të bëhej simbol i luftës për liri. Gjithçka ajo e vuri në shërbim të revolucionit.

 

 

 

Në dete, mes detarësh dhe piratësh

 

 

Shumë e re ajo dashurohet me një grek nga Specaj, të quajtur Jonuzas, që atë kohë, si gjithë burrat e këtyre ishujve, rrihte detet e Greqisë dhe të Mesdheut. Në historinë e atyre ishujve, Bubulina do të ishte e para grua që do të thyente zakonin e vjetër. Duke ia lënë fëmijët nënës së saj, ajo ishte e para që e ndoqi të shoqin në det. Ai e mori atë në portet e Italisë dhe të Dalmacisë, e çoi tutje në Smirnë (Izmir) dhe në portet e Spanjës, ku blinin armë prusiane dhe angleze.

 

 

Në Marsejë të Francës shisnin grurë dhe blinin mëndafshet e famshme të Lionit apo verën “Bordo”. Në Kartagjenë shisnin kaviar dhe blinin verën “Malaga”. Tregtia u shkonte mbarë, edhe pse u duhej shpesh të luftonin me piratët “korserë” apo doganierët turq.

 

 

I frymëzuar nga Katerina e II e Rusisë, Jonuzaj nisi luftën në det kundër otomanëve dhe Laskarina trime e shoqëroi në momentet më të vështira e tragjike. Marinarët e thërrisnin “kapetanica”, sepse ajo ishte e fortë si një burrë dhe armët i mbante ngjeshur në brez.

 

Një ditë, në Specaj, mbërriti trupi pa jetë i Junozas, vrarë në betejë me otomanët në ngushticën e Siqilisë.

 

 

 

Grua e ndjenjave të holla dhe e aventurave të çmendura

 

 

Pa dyshim, lexuesit të sotëm i duket ndoshta e çuditshme që një grua si ajo, e kalitur në zjarrin e luftës, të ishte njëkohësisht dhe një grua e ndjenjave të holla, e dëshirës për të bërë dashuri, e këngës dhe e valleve, e pijeve gjer në ag të mëngjesit.

 

 

Duke shkruar për librin “Bubulina” të Michel de Grece, botuesi francez ka shënuar se “Laskarina Bubulina, kjo femër joshëse dhe heroinë moderne për kohën e vet, bëri që njerëzit ta adhurojnë secili në mënyrën e vet. Pasurinë e saj ajo e vuri në shërbim të luftës.

 

 

Por dashuritë e saj të stuhishme s’do ta bëjnë asnjëherë të harrojë pasionin e vërtetë të saj: çlirimin e Greqisë”. Bubulina i deshi me tërë afshin e saj femëror të dy burrat që pati, si Jonzasin ashtu edhe Bubulin, me të cilët ajo jetoi nëpër anije, ku kishte edhe meshkuj të tjerë. Po kështu ajo dashuroi së thelli heroin tjetër të revolucionit grek, Kollokotronin.

 

 

 

Në fund të jetës, kur e vetmuar, e zhgënjyer nga qeveritarët e rinj, e harruar në dhimbjen e plagëve të saj, ajo i kalonte netët nëpër kabaretë e ishullit. Në mesnatë, e përhumbur në avujt e alkoolit, ndodhte që ndonjërit t’i vinte koburen dhe ta merrte në shtëpi të saj që të kalonte natën me të.

 

 

Vështirë të japësh dimensionin e saj, megjithatë,  pasioni i një gruaje, ku ngjizet dhimbja dhe dashuria, revolucioni dhe ekstaza, poezia e detit dhe dëshpërimi e vdekja e bëjnë figurën e saj më komplekse, njëkohësisht  më njerëzore.

 

 

Bubulina ishte nga ato gra të kësaj bote, ku bashkohen në një kulm të madh dhe në një ngjizje të nxehtë vlerat e një jete sa të thjeshtë aq dhe heroike, sa romantike e në ekstazë, aq dhe tragjike, sa paradoksale aq dhe të pabesueshme, jeta në një tjetër dimension siç donim ta përjetonim.

 

 

Në shtator, në Specaj, marinarët lëshojnë në det një anije të vjetër, të cilën e djegin duke hedhur fishekzjarrë. Është festa e Bubulinës, festa më e bukur e Specajt. Gjer në mbrëmje vonë shquhen flakët që mbërthejnë atë anije që digjet ngadalë, sikur t’u kujtojë një kohë tjetër. Të ngjan kështu sikur ende digjet një shpirt… dhe shndrit një mit, sepse në Specaj, gjithçka duket legjendare, përrallore, e pabesueshme, e mrekullueshme, e megjithatë e vërtetë. Gjithçka fillon këtu dhe mbaron po këtu…

 

 

Ana intime e Bubulinës në një libër

 

 

Ishte dëgjuar dhe shkruar, por ai që e zbuloi gjerësisht jetën intime të Bubulinës ishte Michel de Grece, i cili zbriste në Specaj, qytetthin ku ajo jetoi, një shekull e gjysmë më vonë, në vitet ‘70-‘80 të shekullit XX. Pas kthimit nga Specaj ai shkroi biografinë e saj të romanizuar, ku harmonizohet bukur heroikja historike, por që edhe erotikja i jep sharmin e oldster personazhit, ngjarjeve, vetë historisë.

 

 

Ja një pasazh nga libri i tij, i sjell bukur në shqip nga Luan M. Rama:

 

“Duke qenë se e kisha humbur dashurinë e vërtetë, – shkruan Michel de Grèce në librin e tij La Bouboulina, e rrëfyer në vetën e parë, – fillova ta keqtrajtoj dashnorin tim. E shaja që në mëngjes, madje i qepesha prapa gjer në spital për ta penguar nga puna e për ta qortuar. Bridhja me bashkëluftëtarët e mij dhe sa më shumë ai donte të rrinte me mua, aq më shumë e bëja të priste.

 

 

Një ditë, një grek më dha nja dy shpulla, të cilat sigurisht ia ktheva. Isha fatkeqe dhe doja ta bëja dhe atë fatkeq… Aq sa një mbrëmje, ai u hodh përpjetë nga inati. Gjendeshim në një tavernë të Nafplios me ca batakçinj që s’dija ku i kisha gjetur. Duhej të kisha pirë shumë, sepse kur u ngrita, më merreshin këmbët e gati sa s’bija.

 

 

I bëra shenjë të më ndiqte pas, por ai refuzoi të ngrihej. Atëherë u talla me të dhe e akuzova se ishte impotent. Ai u zverdh në fytyrë dhe doli. Atyre që më rrethonin iu desh të më mbartnin gjer në shtëpi. Të nesërmen ai u nis për në Amerikë. Në account më falenderoi ngrohtësisht për mikpritjen dhe gjithçka që kisha bërë për të. Më puthi lehtë në ballë dhe u zhduk kështu nga jeta ime. Ai e preu këtë lidhje në mënyrë të qartë, të pastër dhe të prerë, si me një thikë kirurgu.

 

 

… Atëherë vetminë time e mbysja me alkool. Ditën flija, ç’ka më bënte ta humbja mëndjen, ndërsa natën bridhja nga një mejhane në tjetrën. Batakçinjtë, të cilëve ju pagoja gotat që pinin, më brohorisnin dhe më rrethonin, duke më treguar dashurinë e tyre.

 

 

“Bu-bu-li-na”! – thërrisnin ata, kur bëja garë me gota rakie me ndonjërin prej tyre. “Bu-bu-li-na!” – thërrisnin, kur çohesha dhe hyja në një valle të fortë, para se të përmbysesha e të bija në tokë.

 

 

Mbrëmjen nuk e përfundoja kurrë vetëm. Ndonjërit prej burrave, kujt t’i binte rradha, i drejtoja një nga pistoletat, duke e detyruar të më ndiqte pas. Tjetri bënte sikur kishte frikë dhe në delirin mes thirrjeve dhe të qeshurave, ne dilnim jashtë. Tundesha andej-këndej, ndërsa tjetri mburrej e fryhej, ndërkohë që shakarat e shokëve të tij na shoqëronin pas. Edhe ata me të cilët s’kisha bërë ndonjë gjë, mburreshin se kishin kaluar një natë me mua…”.

 

 

Fundi tragjik dhe njëkohësisht banal i Bubulinës

 

 

Ajo nuk ishte vrarë në luftë, por thjesht në gjaknxehtësi e sipër nga njerëzit e të dashurës së birit të saj. Një plumb në ballë kishte shuar jetën e kësaj trimeje, që kishte përballuar aq e aq herë vdekjen në det.

 

 

Ishte 22 maji i vitit 1825. Revolucioni grek kishte triumfuar. Atë vit, edhe pse lufta kishte mbaruar, ajo vazhdonte të qëndronte e veshur me fustanellën e saj dhe armët e ngjeshura në brez.

 

 

Bubulina ishte tërhequr nga skena politike dhe mendonte për fëmijët e saj, kur dyndja sërish e otomanëve drejt Greqisë së lirë e bëri t’i përgjigjet përsëri kushtrimit të luftës. Si mund ta linte vetëm të dashurin dhe idhullin e saj, Kolokotronin “plakun e Moresë”, këtë kleft trim të një gjaku që i kishte dalë zot Greqisë?…

 

 

E çuditshme që vrasja e një heroine kishte përfunduar në një vrasje zemërate. Djali i saj kishte rrëmbyer një vajzë të Specajt dhe ditën që do të largoheshin nga ishulli, burrat e familjes së vajzës rrethuan shtëpinë dhe qëlluan mbi Bubulinën.

 

 

Një javë më pas, në Specaj do të vinte dekreti i perandorit rus, i cili për merita të veçanta, e shpallte Bubulinën admirale të flotës ruse të Egjeut.

 

 

Që nga ajo kohë, emri i Bubulinës, i kësaj zonje të madhe apo “megali qiria”, siç i thonin bashkëpatriotët e saj, hyri në legjendë, në këngët popullore që nisën të këndoheshin nga njëri fshat në tjetrin, nga njëri brez në tjetrin.

 

 

Shumë libra u shkruan për të. Flamuri i saj me shqiponjën mbi një fushë të kuqe, të shndërruar më pas në blu, rrethuar nga një shirit i kuq, valëvitej tashmë majë çatisë së shtëpisë.

 

 

Vite me radhë ai flamur ishte ngritur mbi anijen e saj, nga një betejë në tjetrën, nga Argosi, në brigjet e Patras, Prevezës, Akarnisë e brigjeve të Peleponezit. Ai flamur e kishte çuar në Tripolica, ku do të takonte trimin tjetër arvanitas, legjendarin Kolokotroni, të cilin do ta dashuronte që ditën e parë që do ta takonte.

 

Mblodhi, përpunoi dhe pëgatiti për “Orakujt e Tomorrit”: Z. Hoxha