Loni Kristo Llupo nga Fier-Veizbej i Lushnjes, mësues në Qafë të Skraparit më 1940
Nga arkivt e arsimit në Lushnjë
Shkolla fillore Qafë, e ngritur në kujdesin dhe drejtimin e Dervish Rexhep Veizajt dhe me kontributin e fashtrave Qafë, Visockë, Polenë, Osojë dhe Koprënckë në vitin 1936 për dy vjet, me gjithë kërkesat e fshatit me letra dhe telegrame qeverisë, mbeti pa mësues. Mësuesi i parë ka ardhur në vitin 1938.
Për fat të keq, deri në vitin 1940, nuk ka të dhëna ose nuk janë kërkuar dhe gjetur të dhëna, se kush ka qenë mësues në ato vite.
I pari emër del se në vitin 1940 në Qafë ka qenë mësues Loni Llupo nga Lushnja.
Në librin “Arsimi dhe kultura në Myzeqe, 1912 – 1990”, në faqen 160, shkruhet “Në vitin 1940 kishte mbaruar studimet në shkollën Normale të Elbasanit edhe mësuesi i parë i zonës së Krutjes, Loni Kristo Llupo, nga Fier-Veizbej (sot Fieri i Ri), por ky u emërua dhe punoi si mësues në fshatin Qafë të rrethit të Skraparit dhe, prej andej, në vitin 1941, bashkë me 200 mësues shqiptarë shkoi e shërbeu si mësues në Kosovë, në kuadrin e ndihmës për “Shqipërinë etnike”, ku kaloi edhe periudhën e Luftës II Botërore.
Pasi u kthye prej andej, ai u emërua mësues në Divjakë.