Luan Mema: Nëpër Tomorricë, drejt malit të Koshnicës

Luan Mema: Nëpër Tomorricë, drejt malit të Koshnicës

 

Luan Mema

 

 

Për të udhëtuar drejtë malit të Koshnicës, lë pas qytetin Gramshit e merr rrugën për në Nartë, Skenderbegas (Shemberdhenj) që të çon për në Qafën e Vidhanit.

Që këtej para syve të shpaloset si në ekran mali i Tomorrit dhe të gjithë fshatrat, që janë vendosur si në dy krahë pëllumbi, ku në mes tyre i ndan lumi i Tomorricë, i cili derdhet në Devoll nën këmbët e fshatit Nartë.

 

 

Natyra i ka dhënë bukurinë hyjnore kësaj treve piktoreske, saqë mikun apo vizitorin e magjepsin dhe i thonë ‘’mirëseerdhe’’ në vatrat tona.

 

 

Porta e vetme hyrëse që lidh me rrugë automobilistike me zonën e Skenderbegasit, pastaj për të vazhduar me tej, drejt Vidhanit, është ura e Nartës. Pëllëmbë e histori gjen në këtë trevë-perlë në kërthizë të Shqipërisë së Jugut, e cila përbëhet nga fshatrat Nartë, Shërmbëdhenji, Bletëza, Kullollas, Ermenji, Lemnusha, Vidhani, Kotka dhe Simani, që njihet si Tomorrica e Zezë. E ka marrë këtë emër për shkak të të pishës së zezë e gurit të zi që pergjithësisht e shoqëron përgjat relievit.

 

 

Ndërsa përballë të shfaqet Tomorrica e Bardhë: Mëlova, Zaloshnja, Davidhi, Gjerbësi, Ujaniku, Gradeci, Luadhi, Shpatanji, Trebla, Duncka, Rromasi, Tërrova, Kërpica e Bregasi.

 

 

Gjeografikisht kjo njihet si Tomorrica qe ndodhet në Shqipërinë e Jugut dhe ndahet mes Skraparit dhe Gramshit.  Kufizohet me rrethin e Korçës duke formuar një luginë të gjerë që përshkrohet nga e majta, lumi Devollit dhe nga e djadhta, lumi i Tomorricës . Përbëhet tërësishtë  nga  shkëmbenjë flishorë  të butë të bardhë  e në gri, të cilët janë të gërryeshëm në punim.

 

Relievi i kesaj zone është kodrinoro – malor i  thyer, me një numër përrenjësh e përroskash  me  brazda gërryerjesh në  vazhdim .

 

 

Zona e Tomorricës ka qënë e populluar qysh në lashtësi . Toka e bukës është e pakët;, por  prodhuese. Bimësia është natyrale, por edhe e kultivuar nga vetë dora e njerëzve punëdashës. Zona eTomorricës në Gramsh njihet qysh në lashtësi për zhvillimin  e jetës. Në zonën e Tomorricës janë vërtetuar  disa pika arkeologjike. Nëpërmjet ekspeditave të kryera nga studiues si, Petrit Basha, Selim Marishta , Meçan Hoxha, për luginën e Tomorricës, që kanë realizuar shkrime dhe studime të mirëfillta. Studime të tilla janë kryer në zonn e Vidhanit.

 

 

Nga ana tjetër, Tomoricën e Skraparit, studime ka kryer arkeologu  Lutfim Yll. Dëshmitë më të hershme arkologjike i takojnë periudhës së  hershme të hekurit në shekujt  XII – V p.e.r.  Në këtë  zonë  vihen re edhe kultura e qytetrimit Ilir, cilat i përkasin  shekullit V – I p.e.r. Për këtë dëshmon  gjetjet në kalanë e Vidhani. Në teknikën e ndërtimit dhe materialin arkeologjik që gjendet në të, përbën një ndërtim të realizuar në periudhën e antikitetit të vonë. Prania e saj dëshmon edhe për një arter  tregtar në treven e Tomorricës, e cila vazhdonte lart, në Gurin e Prerë, Protopapë e deri në Voskopojë.

 

 

Një bukuri të rrallë i jep kesaj zone dhe Lumi i Tomoricës, që është degë e Devollit, rrjedh në jug të rrethit të Gramshit. Ka gjatësi  41.7 km, sipërfaqe pellgu 376 km2 dhe lartësi mesatare 878 m.

 

 

Në perëndimTomorrica  kufizohet nga vargu malor Tomor-Kulmakë dhe në lindje nga Koshnica dhe Çipa. Shpati i djathtë është më i gjerë dhe më i shtruar, ka shtrirje gjatësore të rregullt me drejtim të rrjedhjes nga veriperëndimi, me luginë të gjerë e me rrjet të dendur përrenjsh. Lumi i Tomoricës ushqehet nga mjaft burime nëntokësore karstike. Pranë derdhjes në Devoll, në afërsi të Gramshit formohet një deltë e thjeshtë, e cila e ka bërë Devollin te zhvendoset djadhtas.

 

 

Ndër objekte e kultit, por që mund ta quash edhe objek historic dhe kulturor, më të rëndësishëm në këtë zonë, është teqeja e Shëmbërdhenjit në njësinë administrative Skëndërbegas, Bashkia Gramsh,e ndërtuar mbi një kodër që ndan tre fshatra, Shemberdhenjin, Bletëzën dhe Ermenjin, sipër saj është mali i Koshnicës.

 

Në bregun e djathtë të Tomoricës, në shpatin të malit të Koshnicës ngrihet fshati Vidhan që dikur ka qenë qendër e fshatit të bashkuar, ku përfshiheshin fshatrat Ermenj, Kotkë, Lemnushë dhe  Siman. Krakteristikë e veçantë këtu, veç kalasë mesjetare, janë banesat 150 vjeçare në formën e kullave, si kulla e Zaimajve në Ermenj, kulla e Braçajave në Vidhan.

 

 

Pasuria me e madhe e asaj treve është mikpritja me rakinë e rrushit debinë dhe pulëz, dy varietete autoktone të zonës, janë janë pyjet uniformë të pishës e me burime të shpeshta ku nuk ke nevojë të marrësh ujë me vete.

 

Nëpërmjet këti shkrimi modest ftoj intelektualë, arkelogë, historianë, studiues, muzikologë, korografë, inxhinierë mjedisi nga rrethi i Gramshit, i Skraparit dhe nga mbarë vendi që të kontribuojnë për këtë zonë, pasi brenda saj fshihen thesare natyrore dhe historike, tradita kulturore dhe artistike ende të virgjëra dhe të pa cënuara.

 

 

Gjithashtu ftoj çdo qytear të këtij vendi, por dhe turistë të huaj, që të eksplorojnë këtë zonë, pasi është një zonë që ofron gjithçka të mirë, të këndshme, të bukur, intereante dhe mbresëlënëse në shumë aspekte njohëse dhe argëtuese