“Majat i arrita, suksesin po e shijoj, po pastaj”?!… Ja përgjigja proverbiale e Ermonela Jahos   

 “Majat i arrita, suksesin po e shijoj, po pastaj”?!… Ja përgjigja proverbiale e Ermonela Jahos   

Ermonela Jaho për Dritare TV nga Gran Teatre del Liceu në Barcelonë flet për ëndrrën e saj.

 

Tashmë ka arritur majat dhe po e shijon suksesin e saj. Por deri këtu ka patur shumë sfida, zhgënjime, por mbi të gjitha këmbëngulje dhe punë, shumë punë.

 

Një mesazh që na vlen, pikërisht tani.

 

 

“Ëndrrën e realizova dhe tani jetoj për ta shijuar atë për të shkuar në një dimension tjetër. Një dimension që shkon mbi notat, mbi emrin, mbi të qenurit famoz.

Është një dimension human. E çoj veten në një dimension që harroj që jam Ermonela, është një lloj empatie që krijon në role.

 

Kur arrin në atë lloj ekstrem, çdo gjë tjetër të duket aq sipërfaqësore. Kur kthehesh pas, thua, ia arrita. Ja ajo vajza që askush nuk besonte. Se në vitin ’93, kush e besonte që do isha ajo këngëtarja…

 

Por ia dola, kjo është një gjë e mirë. Duhet të lesh modestinë mënjanë dhe të shijosh realizimin e ëndrrës tënde.

 

Është edhe një lloj detyrimi për brezin e ri, duke i thënë që si ja dola unë, mund t’ia dalin dhe ata. Me ato mundësi, duke ardhur nga Shqipëria.

 

Nuk duhet të bësh kompromis me ëndrrën tënde, me pasionin tënd, sepse asgjë nuk është e pamundur. Duhet të japim një shembull pozitiv, por me një dritare të hapur shprese.

 

Sepse suksesi im është sot, nuk do të thotë që do të jetë nesër. Çdo gjë mbaron një ditë. Por të paktën duhet të lesh një energji pozitive, që “ia doli dhe kjo vajza shqiptare nga hiçi, që arriti të bëhet dikush”.

 

Është e mundur që ëndrrat mund te realizohen. Ka një punë të madhe, një punë të jashtëzakonshme, sepse pa punë, edhe ëndrra më e bukur nuk mund të arrihet”…