Mali i Miçanit, një peizazh mbresëlënës, i egër dhe i panjohur mes Skraparit dhe Dangëllisë

Mali i Miçanit, një peizazh mbresëlënës, i egër dhe i panjohur mes Skraparit dhe Dangëllisë

 

 

Ka male që të tërheqin me lartësinë, ka të tjerë që të mbeten në kujtesë për bukurinë, ndërsa ka edhe nga ata që kanë diçka më shumë se kaq: mbajnë brenda tyre historinë, gjeografinë, legjendat, shtigjet e njerëzve dhe gjurmët e një natyre që ka punuar për mijëra vjet.

 

Mali i Miçanit është një prej tyre.

 

 

Nga pikëpamja gjeologjike, Miçani përbëhet kryesisht nga gëlqerorë dhe flish. Kjo veçori shpjegon edhe një pjesë të karakterit të ashpër të malit: çarjet, zgavrat dhe format karstike i japin relievit një pamje të thyer dhe dramatike.

Si një masiv shkëmbi, bimësia nuk është e dendur në të gjitha pjesët e malit, në shpatet jugore dhe jugperëndimore gjenden dushku dhe lajthia.

Në zona të tjera hasen më rrallë ilqja, shkoza, frashëri e mëllezja. Mali ka gjithashtu kullota të pasura verore, ndërsa në të rritet çaji i malit dhe bimë të tjera mjekësore.

Prandaj Miçani nuk duhet parë vetëm si një majë konike, por si një masiv malor që ndërthur malin, kanionet, ujërat, fshatrat dhe rrugët e vjetra të komunikimit.

Lartësia nuk është ajo që e bën Miçanin të veçantë.

 

 

Është mënyra se si ai ngrihet mbi territorin përreth, në formë koni, me shpate jo të njëjta: shpati perëndimor është më i butë, ndërsa ai lindor është shumë më i pjerrët. Në fund ky kon është çarë nga uji, i lumit Osum, që e ndan me Nikollarën, me Miçanin e Përmetit.

 

 

Nëpër këmbët e tij kalojnë gjurmë të vjetra të jetës njerëzore, ndërsa kanionet që e çajnë masivin dëshmojnë forcën e Osumit dhe të ujërave që kanë punuar për mijëra e mijëra vjet mbi shkëmbin.

 

 

Nga njëra anë Skrapari, nga ana tjetër Dangëllia; poshtë fshatrat, luginat dhe rrjedhat e ujit; lart, kreshta e Qeshibeshit, ndërsa Miçani qëndron si një urë e gurtë mes dy krahinave, një mal ku gjeografia është kthyer në histori dhe natyra në kujtesë.

Nga pikpamja turistike, kjo zonë është si një ekuacion me shumë të panjohura.

Ndoshta ka ardhur koha që Qeshibesi, Miçani dhe Kanionet e Nikollarës të mos jenë më një cep i harruar i hartës turistike të Skraparit, por një destinacion i njohur për ata që kërkojnë Shqipërinë e vërtetë – atë të maleve, ujit, gurit dhe historisë.

 

#Blog#Z.Hoxha#