Nga burimet e malit te burimet e kujtesës së bijve të tij

Nga burimet e malit te burimet e kujtesës së bijve të tij

 

Emrin “Gjerbës”, gjuhëtari i shquar shqiptar Eqrem Çabej e lidh me fjalën shqipe “gjerbë”, e cila shpreh kuptimin e ujit që pikon, që rrjedh ngadalë, pikë-pikë. Sipas shpjegimit etimologjik të Çabejt, kjo fjalë i përket fondit të shqipes dhe përbën bazën gjuhësore të toponimit Gjerbës.

 

 

 

Ky shpjegim merr një kuptim të veçantë kur vendoset përballë natyrës së këtij vendi. Gjerbësi i Tomorricës shtrihet në rrëzë të malit, atje ku shkëmbi, toka dhe uji kanë bashkëjetuar prej shekujsh. Në territorin e tij gjenden burime ujore që dalin nga shpatet e shkëmbinjtë e malit. Uji që del ngadalë, që pikon e rrjedh pikë-pikë, duket sikur e shpjegon vetë emrin e vendit.

 

 

Ndoshta kështu, shumë kohë më parë, banorët e parë e kanë parë, e kanë dëgjuar dhe e kanë quajtur vendin e tyre. Dhe fjala ka mbetur. Ka kaluar nga goja në gojë, nga brezi në brez, derisa mbërriti deri te ne.

 

 

Emri Gjerbës është gjithashtu i dokumentuar herët në burimet historike. Ai shfaqet në regjistrin osman të vitit 1431, në të njëjtin kuadër dokumentar me vendbanime të tjera të Tomorricës. Kjo dëshmi na tregon se emri i këtij vendi është i vjetër, shumë më i hershëm se kujtesa jonë familjare dhe se rrëfimet që kemi dëgjuar nga të parët.

 

Por Gjerbësi nuk është vetëm një emër në një regjistër të vjetër.

 

Gjerbësi është kujtim.

 

Është ai vend ku çdo gur duket sikur ka një histori, ku çdo burim ka një zë dhe çdo shteg të çon te një shtëpi, një oborr, një prag, një njeri.

 

 

 

Dhe sot, kur Gjerbësi është boshatisur dhe shumë prej bijve të tij jetojnë larg, emri i vendit tingëllon edhe më fort. Ndoshta sepse, kur njerëzit largohen, mbeten pas tyre gjurmët e tyre: shtëpitë, muret, pemët e mbjella me duart e tyre, udhët ku kanë kaluar fëmijërinë, varret e të parëve dhe burimet ku kanë pirë ujë.

 

Mbetet vendi. Mbetet emri. Mbetet malli.

 

 

Për ata që janë larguar, Gjerbësi është vendi ku kanë lënë një pjesë të fëmijërisë së tyre. Është zëri i nënës që thërriste nga oborri, kënga e dasmave, zhurma e bagëtive në mëngjes, era e bukës së sapopjekur, hapat e njerëzve nëpër rrugicat e fshatit dhe ai ujë i ftohtë që pikonte nga shkëmbi.

 

 

Sa herë që njeriu kthehet me mendje te vendlindja, nuk i kujtohet vetëm ajo që sheh. I kujtohet ajo që nuk është më.

 

 

Dhe ndoshta kjo është dhimbja më e madhe e Gjerbësit të sotëm: jo se mali është larguar, jo se burimet kanë pushuar së rrjedhuri, por se zërat e njerëzve janë rralluar. Shtëpitë që dikur kishin dritë në mbrëmje, sot presin në heshtje. Oborret që dikur mbusheshin me fëmijë, janë mbuluar nga bari. Rrugët që dikur kishin hapa, sot kanë më shumë kujtime se njerëz.

 

Megjithatë, Gjerbësi nuk ka humbur. Aty jetohet dhe do të jetohet.

 

Mund të largohesh prej tij, të jetosh me vite larg, të ndërtosh një jetë tjetër, por një pjesë e jotja mbetet gjithmonë atje. Në Gjerbës. Te ai burimi që pikon pikë-pikë, siç pikon edhe malli në zemrën e atij që është larg. 

 

 

Sepse uji mund të rrjedhë larg, njerëzit mund të shpërndahen nëpër botë, por malli gjithmonë e gjen rrugën për t’u kthyer në Gjerbës.

 

Nesim Alushani