Mane Alikaj/ Hej Skrapar, sa të kam mall!…

Mane Alikaj/ Hej Skrapar, sa të kam mall!…

 Mane Alikaj

Mane Alikaj, inxhinier elektrik, ka punuar për disa vjet në Kombinatin Mekanik të Poliçanit. Si të gjithë ata që kanë qenë në Skrapar dhe janë bërë miq me skraparllinjtë, këtë pjesë të jetës ai e quan më të veçantën e tij.

 

“Aq sa edhe ëndrrat i shikoj me Poliçan e Skrapar, pavarësisht se më pas kam qenë në vende dhe në punë më të mira se atje” – thotë ai duke qeshur.

 

Mane Alikaj ka lindur në Çorraj, bashkia Himarë. Shkollën fillore dhe 7-vjeçare e ka mbaruar në Çorraj. Shkollën e mesme e ka mbaruar në Politeknikumin “7 Nëntori” në Tiranë, ku diplomua Teknik i Mesëm  Elektrik.

 

Studimet e larta i ka kryer në Universitetin Shtetëror të Tiranës, Fakulteti i Inxhinierisë, dega Elektrike dhe u gradua Inxhinier i Përgjithshem Elektrik.

 

Pasi mbaroi studimet ne vitin 1967 u emrua inxhinier  elektrik në Uzinen Mekanike të Poliçanit, Berat Skrapar.  Gjate kesaj kohe u mor dhe me elektrifikimin e fshatrave malore të Beratit dhe rrethit të Skraparit. Në vitin 1975 transferohet në Ministrinë e Mbrojtjes si kryespecialist për elektrifikimin e ushtrisë. Në vitin 1979 kalon inxhinier projektues në Institutin e  Studimeve dhe Projektimeve Ushtarake.

 

Për punet e kryera gjatë viteve është dekoruar me Urdhrin e Punes të Klasit te III,  me Urdhrin e Punës së Klasit II, me Urdhrin Për Shërbime të Shquara në Fushën e Mbrojtjes.

 

Është laureant i Çmimit të Republikës të Shkalles së  Parë.

 

Në vitin 1993  del në pension të parakohshëm invaliditeti. Jeton në SH B A. Gjatë këtyre viteve ka botuar disa libra: “Mall për vendlindjen”, poezi, viti 2004; “Këngët e Mërgimtarit, poezi dhe prozë,   viti 2007; “Pus” , novelë në vargje, 2013; “Nata e gjatë e 4 Marsit”, tregime, 2013; “Longari i Labërisë, kolazh, 2015 dhe Nëpër udhët e jetës, kujtime”, 2015.

 

Më poshtë po botojmë disa poezi për Skraparin të shkëputura nga libri i tij, “Këngët e Mërgimtarit”:

 

 

Hej Skrapar, sa të kam mall

 

Hej Skrapar, sa të kam mall,

Për ata burrat e rrallë,

Për ata djem si petrita,

Për ato vajza si vita,

Për malet ku gëlon blerimi,

Për ujëte ftohtë të çdo burimi,

Për pyjet ku këndon bilbili,

Për Bogovë e për Guhak,

Për Dëvri e për Kulmak,

Për ato rripa e maja,

Për ato kodra e pllaja,

Për Osumin gjarpërues,

Për lisat që ka gjithkush,

Plot me pjergulla me rrush,

Për uzinën ku punova,

Që vite jete dhurova.

 

 

Nostalgji për ato vënde

 

Në Skrapar lash rininë,

Ndaj për të kam nostalgji,

Atje shpura elektrikun,

Hoqën kandil e qiri.

 

Unë isha në Poliçan,

Inxhinier në Kombinat,

Aksion: “elektrifikimi,

Duhet çuar në çdo fshat”

 

Gjithë Skrapari e përshkova

Me projekte nëpër duar,

Hip e zbrit male dhe kodra,

“Linja nga duhet kaluar”?

 

Vullnetar pa asnjë lek,

Bashkë me skraparllinjtë punova,

Ngrita shtylla dhe shtriva tela,

Dhe plot kabina ndërtova.

 

Pastërmanë me fasule,

Dimrit kush e ka provuar?

Po byrekët aq të shijshëm,

Me borë të bardhë mbuluar?

 

Gratë dhe nuset e Skraparit,

I gatuajnë mrekulli,

Servirur sipas traditës,

Në të bukurën sini.

 

Rakia e rrushit me famë,

Që prodhon ajo krahinë,

Ësht’ ilaç që të shëron,

Kur e pi me qepë e gjizë.

 

Atyre njerëzve të mirë,

Unë u fala dashurinë,

Ata më falën respektin,

Duke më pirë dollinë.

 

Më kumbon ende në vesh,

Kënga perlë e Skraparit,

“Mbeçë, more shokë, mbeçë”

Dhe lot më rrjedhin prej mallit.

 

 

Rrufetë në Kulmak

 

Pa arritur në mesditë

Tufë-tufë gëlojnë retë,

Ulen zënë majën emalit,

Çasti-çastin nuk e pret,

Mali buçet e kërcet!

 

Moti prishet, qielli nxihet,

Era e zhurmat egërsohen,

Vija zjarri nëpër ajër,

Çahen, ndahen, degëzohen,

Ç’ndodhen rrugës përvëlohen.

 

Vetëtin e bubullin,

Prepë gjëmon e shkrepëtin,

Retë qëllojnë njëra-tjetrën,

Pemë godasin me tërbim,

Re e Tokë në në dyluftim.

 

 

Tomorr, mal i uruar

 

Majë e malit të Tomorrit,

Shkova me dëshirë një ditë,

Të parët tanë na thoshin,

“Aty rrinë Perënditë”!

 

Atje ka engjëj me krahë,

Atje ka dhe shtojzavalle,

Atje është Abas’ Aliu,

Mali qan derte dhe halle

 

Atje shkojnë hallemëdhenjtë,

Luten që t’u japë uratë,

Që nuset fëmijë të lindin,

Dhe mos mbeten djepet thatë.

Luten për të gjithë shqiptarët,

Që Zoti t’u jap  durim,

Që t’u shkojnë punët mbarrë,

T’u jap mendje për bashkim.

 

 

Kurorë fshatrash nën Tomorr

 

Tomorr mal’ i uruar

Me gjerdan fshatrash  rrethuar,

Dardhë, Tomorr, Kapinovë,

Bargullas, Novaj Nishovë,

Në anën tjetër Ujanik,

Gradec, Tërrovë e Kërpicë…

 

Kush ka qenë në ato anë,

Kush ka bukt te ata fshatarë,

Kush i njeh se ç’njerëz janë,

Kush ua njeh zemrën që kanë,

Si të presin, si të mbajnë,

Thonë: “Hallall, buka që hanë”!

 

 

Horizonti rrëmba- rrëmba

 

Majë malit të Tomorrit,

Takova me mrekullinë,

Yjet, Hënë në qiell,

Diellin kur del e hyn,

Perëndimin e përflaktë,

Horizontin rrëmba- rrëmba,

Ku det e qiell bëhen bashkë,

Diellin skuqur, bërë gjak

Mrekulli që m’i ka ënda.