Marela Guga:  Kongresi i Kishës Autoqefale i 10 shtatorit 1922, në Berat, ndër ngjarjet më të mëdha të kohës  

Marela Guga:  Kongresi i Kishës Autoqefale i 10 shtatorit 1922, në Berat, ndër ngjarjet më të mëdha të kohës  

  

Me rastin e e 100 vjetorit

 

Marela Guga

 

Si sot, 100 vite më parë  nisi punimet  Kongresi  i Kishës Autoqefale.   Në sallën e shkollës  Qëndrore në “Mangalem”  33 delegatë  klerikë dhe laië nga 17 prefektura dhe nënprefektura,  erdhën me dëshirën e mirë,  të ndalnin përçarjen  dhe  të shpallnin autoqefalinë e kishës shqiptare.

 

 

Punimet u hapen më 10 shtator 1922 dhe u drejtuan nga Perikli Kona. Iniciator i kongresit ishte kryebashkiaku i Durrësit, Kostë Paftali.

 

Kongresin e  përshëndetën kryebashkiaku i Beratit, i Durrësit, Visarion Xhuvani, Vasil Marku dhe Papa Harallambi.

 

Në  Berat, u hap rruga e  njohjes së Autoqefalisë së Kishës Ortodokse Shqiptare, Tomosit,  përpjekje   që zgjati plot 15 vjet.

 

Delegatët që morën pjesë në Kongres janë:

 

Berati- Perikli Kona dhe Dhimitër Tutulani

Korca-Ikonom Papa Josifi dhe Dhori Havjari

Pogradeci-At Vasil Marko dhe Thanas P. Kërxhalli

Bilishti-At Josifi dhe Anastas Çekrezi

Kolonja- Oshënar Sofroni dhe Dhimitër P. Nini

Leskoviku-At Vangjel Çamçe dhe Thanas Prifti

Fier-Loni Xhoxha (Xoxa) dhe Dhimitër Qilica(Kilica)

Durrësi-Arkimandrit Visarion Xhuvani dhe Gjergji Manushi

Përmeti-Dr. Kondi dhe Vasil Kota

Vlora-Tol Arapi dhe Jani Serani

Lushnja-Tun Gjergji dhe Llazar Bozo

Kavaja.Pal Xhumari dhe Andrea Konomi

Tirana-Papa Simani dhe Mark Hobdari

Elbasani-Vasil Llapushi dhe Simon Shuteriqi

Shpati-Taq Buda dhe Dhimitër Paparisto

Dibra-Leonidha Nishku dhe Kostë Paftali

Libohova-Spiro Kati

 

 

Në kongres, morën pjesë dhe  dy  përfaqësues zyrtarë të qeverisë,  Llazër Puli nga Prefektura Beratit dhe prokurori  Harilla Theodhosi. Dy zyrtarët i frikësoheshin mos kongresi nuk shkonte sipas parashikimit të qeverisë, edhe pse ishin të bindur se askush nuk do të kundërshtonte autoqefalinë.

 

Ajo ç’ka brente qeverinë ishte prezenca e dy rrymave që ekzistonin brenda komunitetit  kishtar, fanolistët  dhe mbështetësit e Visarion Xhuvanit.

 

Bisedimet nisën zyrtarisht të nesërmen, më 11 shtator, por gjuha e përbashkët u gjet qysh në mbledhjen e dytë. Arkimandrit Visarion  Xhuvani shpalli autoqefalinë e kishës kombëtare shqiptare nën këtë kumtë:

 

“Të gjithë neve të autorizuemit Delegatët të Kongresit,

Klerik e Llaik, me nji za dhe entusiazëm në emnin e të

gjith klerit e të popullit orthodhokës të Shqipniës,

duke u bazuar që Shqipnia u njoft prej gjith shteteve

të botës si nji shtet independentë dhe sovran dhe mbi

këtë bazë, mbas kanonevet të shenjta të kishës

orthodhokse, në shtet indipendentë, kishë

indipendente e të tjera [shpallim] autoqefalin e kishës

orthodhokse Kombëtare të Shqipniës edhe de fakto,

se de jure, ka qenë që prej ditës së shpalljes

Independencës politike të shtetit shqiptar, duke

mbajtur lidhje spirituale dogmatike dhe apostolike

plotësisht me Mamën, Kishën e Patrikanës së Shenjtë

Ekumenike dhe me Patrikanat dhe kishat e tjera

orthodokse autoqefale të botës, por administrativisht

Indipendentë.  Rroftë Kisha Autoqefale Shqiptare.

 

Dhimitër Tutulani

 

 

Kongresi zgjodhi  Këshillin  e Lartë me katër përfaqësues  laikë dhe katër klerikë:

 

Korça: Ikonom P. Josif dhe Dh. Haviari

Pogradeci: At Vasil Marko dhe Thanas P. Kerxhalli

Bilishti: At. Jorgji dhe Anastas Çekrezi

Kolonja: At Sofron S. Borova dhe Dhimitri Petro Nini

Leskoviku: At Vangjel Çamçe dhe Thoma K. Prifti

Përmeti: Dr. Stathi Koni dhe V. Zoto

Berati: P. Kona dhe Dh. Tutulani…

 

 

Statuti  me 14 artikuj dhe rregullorja e dalë nga Kongresi,  pati fuqi ligjore dhe peshë kanonike deri në krijimin e Sinodit të parë të KOASh-it, në vitin 1929. Statuti  përcaktonte që gjuha e kishës të ishte shqipja dhe kryepeshkopi duhej të ishte tre breza shqiptar.

 

 

Në Kongres u diskutua edhe mbi qëndrën  e Kishës Autoqefale Shqiptare, e cila u shoqërua me debate e  kundërshti. Delegatë të ndryshëm sugjeruan Beratin, Tiranën, Gjirokastrën dhe Korçën, por u vendos Korça me kërkesë të Pal Xhumarit.

 

 

Në kishën e Shën Mitrit në Vakëf u mbajtë  një Te Deum  ku folën klerikë dhe delegatë  të kongresit. Aty u shkrep edhe një foto , që e sjell zonja Parashqevi Sahatçi në botimin e saj.  Organizime për indipendencën e   kishës shqiptare kemi edhe në Vlorë, Elbasan,  kishën e Shën Gjergjit në Korçë, Tiranë etj.

 

 

Në fund të shtatorit,  prokurori i Beratit Harilla Theodhosi  i dërgon një raport qeverisë  ku ndër të tjera i shkruante:

 

Kongresi përbëhej nga mjaft burra me seripozitet dhe  randësi midis të cilëve mundt të kujtoj at Vasil Markun delegatin e Pogradecit,  Koço Paftalin inisiatorin e kongresit delegatët e Beratit Taq Tutulani dhe Perikli Kona me urtësinë dhe delikatesën tyne  bënë që bisedimet të  bëhen me gjakftohtësi dhe rregull…(AQSH. fondi 152)

 

 

Në Berat u arrit një fitore e madhe nisur edhe nga  rrethanat ndërkombëtare.