Masakra e Panaritit / Eshtra që s’treten nga një heshtje e gjatë e historisë

Masakra e Panaritit / Eshtra që s’treten nga një heshtje e gjatë e historisë

Petrit Zeneli, historian

 

Masakra greke e kryer një shekull më parë, më 10 korrik 1914, në Panarit të Korçës, përbën ngjarjen më të dhimbshme, më makabre e më të turpshme, realizuar mizorisht nga andartët grekë, kundrejt një popullsie të pafajshme, të pambrojtur e të mashtruar si ajo e Panaritit.

Bëhet fjalë për 374 vetë të therur (e theksojmë, të therur) me thika, hanxharë e sëpata, jo të vrarë me pushkë në vijën e frontit a pas shpine, dhe kuptohen lehtë përmasat e kësaj tragjedie kanibaleske, rrënqethëse, për të cilën lexuesi, para shifrës, ndal frymën e s’do të dëgjojë më asnjë koment tjetër.

 

Kur mëson se ata u therën, vetëm e vetëm pse ishin shqiptarë myslimanë, autoktonë në trojet e tyre, që me gjithë dhunën e egër nuk pranuan të quheshin grekë, atëhere është i qartë primitivizmi i një akti të tillë barbar, tejet të ulët, i kryer me paramendim, në fillimet e shekullit modern të XX-të.

 

E quajta që në fillim një akt të turpshëm, pasi:

Së pari, sepse u realizua nga komshinjtë tanë mijravjeçarë me të cilët kemi ndarë bashkërisht fatet e historisë, në të mirë e në të keq.

Së dyti, si ushtri pushtuese e një shteti agresor që paradoksalisht kishte pretendime territoriale në Shqipërinë Juglindore, nuk zbatoi as normën më minimale (e njohur botërisht) ajo e ndeshjes me forcat e armatosura vendase dhe jo me popullsinë civile të pa armatosur, të pafajshme e të pambrojtur.

Së treti, u krye në pabesinë më të madhe ndaj njerëzve të larguar fillimisht nga fshati, por që u kthyen me premtimin se “s’do t’ju prekim”; për më tepër u vu dorë mbi çdo moshë, duke mos kursyer edhe fëmijët në barkun e nënës, që ua nxirrnin me sfurqe e i flakërinin tej. Panariti u mbyt në gjak; toka, përrenj e rripa u mbushën me kufoma trupash të copëtuar e të mbetur pa kokë. Tymi nga djegia e grave, vajzave e fëmijëve të therur e të hedhur në zjarr, në disa shtëpi të lagjeve Nakollarë, Ramollarë, mbi Rrezhdakë apo Hoxhallarë, qëndronte lart si re e zezë mbi Panarit, kurse shpezët e egra në qiell krakurisnin të trullosura nga ajri tejet i ngarkuar dhe e pabesueshmja që shihnin poshtë në tokë. Çfarë tmerri!!

Si i mbajti vendi të krishterët panaritas dhe fshatrat fqinjë që s’klithën deri në kupë të qiellit për të dhënë alarmin e kësaj mënxyre?! Po çetave të famshme të bijve të saj si luanë, Qamil, Qazim e Xake Panariti, si u doli situata nga duart dhe nuk e parandaluan dot një kasaphanë të tillë?! Plaku i Butkës shkuli flokët e vajtoi me lot, kur dëgjoi gjëmën që kishte ndodhur në Panarit, por sa para bënte! Me siguri që gjithçka ishte përgatitur në fshehtësi dhe u shfrytëzuan momentet e mungesës së forcave mbrojtëse në krahinë, por mbi të gjitha funksionoi (si gjithmonë) “kolona e pestë”, mashtrimi dhe pabesia greke.

 

U skuqën përrenjtë, rripat dhe krojet nga gjaku që derdhej lumë, po si s’u skuqën ata që heshtën dhe i vunë kapak kësaj gjëme, që për nga përmasat është e pashembullt jo vetëm në krahinat e Korçës, Kolonjës, Përmetit e Skraparit, por dhe në gjithë vendin, rajonin e Ballkanit e më gjerë.

Janë të njohura e të dhimbshme sa s’bëhet masakrat greke të Tuholit, Zagarit (përtej Gramozit), Hormovës, Kosinës, masakrat ndaj popullsisë Çame, masakrat serbe në Dibër e Kosovë, masakra e Tivarit, e Srebrenicës, Reçakut etj, por në asnjërën prej tyre nuk janë therur me thikë një numër kaq i madh njerëzish, në të njëjtin fshat dhe brenda disa ditësh, pa asnjë shkak.

 

Masakra u krye në dritë të diellit dhe në sytë e ndërkombëtarëve (KNK) që ishin nëpër këmbë asokohe në Shqipëri, të cilët nga njëra anë trumbetonin vendimet e njëpasnjëshme të Konferencës së Ambasadorëve në Londër (1912-1913), nga ana tjetër miklonin (sipas interesave të tyre dhe erërave që frynin në rajon) dëshirat e fqinjëve tanë për të ashtuquajturin “Vorio-epir”, duke bërë një sy qorr e një vesh shurdh.

 

Megjithëse kanë kaluar 100 vjet, dhe në këto 100 vjet po përkujtohet Lufta e Parë Botërore, për Maskrën e Panaritit në të gjitha periudhat historike çuditërisht është heshtur, dhe çuditërisht edhe vetë historia ka heshtur. Historiografia shqiptare i përjashtoi nga tekstet e saj zyrtare, pa zbardhur ngjarjen dhe analizuar shkaqet e pasojat e saj?! Pikërisht, kjo e dyfishon dhimbjen dhe fyen rëndë gjakun e martirëve panaritas si dhe brezat pasardhës të atyre që mundën t’i shpëtojnë satërit, një shekull më parë.

 

Natyrisht që turpin dhe damkën e krimit e morën me vete ata që e bënë, po neve këtu çfarë bëmë dhe çfarë na mbeti?! Sigurisht që bëmë shumë pak, për të mos thënë fare, bile na mbeti në zemër për një kohë të gjatë brenga e heshtjes, brejtja e ndërgjegjes, edhe pse ngjarja e kobshme s’mundi të kalonte pa lënë pas gjurmët dhe jehonën e saj! Pikërisht atë që s’e bëri politika dhe historiografia shqiptare e bëri vetë populli i thjeshtë, që i cilësoi me të drejtë gjithë të masakruarit martirë, dëshmorë të kombit, sepse gjaku i tyre nxori bllof propagandën dhe fytyrën hipokrite greke para botës, duke e detyruar këtë të fundit që në Konferencën e Paqes, 1919, t’i thotë jo shkëputjes së asaj treve nga tokat shqiptare.

 

Duke u kthyer te zbardhja e ngjarjes, përveç politikës, faji bie po aq edhe mbi institucionet studimore shkencore shqiptare që, sikurse e kemi thënë gjetkë, neglizhuan pasqyrimin e saj në tekstet zyrtare. Edhe letërsia shqiptare ka gjynahet e veta në këtë drejtim, e cila asnjëherë s’mori guximin të përfshinte në tematikën e saj ngjarje kaq tronditëse e të dhimbshme, me të cilat mund të shkruheshin tregime, novela e romane pafund. E gjitha kjo i privoi nxënësit e shkollave tona, të të gjitha niveleve, që pavarësisht neglizhencës në tekstet e historisë, të paktën të njiheshin me masakrën panaritase nëpërmjet lëndës së letërsisë, leximeve jashtë klase, orëve letrare etj.

Le të supozojmë për një moment se e ka fajin politika në sistemet e kaluara (1920-1990) për gjithë këtë situatë boshllëku në shkrimin e historisë së masakrës, po në këto 24 vjet demokraci, kush e ka fajin?! Përse asnjë nga qeveritë apo kryepushtetarët e sotëm nuk është bërë i gjallë, qoftë dhe ta zërë në gojë ngjarjen, pa le më të ngrejë një simbol e të organizojë një ceremoni përshpirtje për ta. U desh vetëm këmbëngulja e fuqishme e Shoqatës Atdhetare e Kulturore të krahinës së Vakëfeve që të vihet në lëvizje shteti aktual për të përkujtuar 100-vjetorin e masakrës dhe ngritur një Obelisk në kujtim të martirëve.

 

Kuptohet, edhe këtë herë, me shpenzimet e anëtarëve të Shoqatës dhe jo të shtetit. Me një fjalë, që nga mbarimi i Luftës së Parë Botërore e deri sot, të gjitha qeveritë dhe sistemet që kanë kaluar në Shqipëri, të ndodhura përballë mungesës së dokumentimit dhe mospasqyrimit të saj në historinë e Shqipërisë, kanë bërë indiferentin, të bindur se nuk po bëjnë ndonjë gabim të madh, pasi siç do të shpreheshin me naivitet disa deputetë të sotëm, “atë nuk e njeh historia”, siç njeh Borovën fjala vjen.

 

Përflitet nën zë, gjithashtu, se shkak tjetër i mbulimit të ngjarjes është edhe pjesëmarrja, krah andartëve grekë, e disa elementëve të gënjyer, shqiptarë të besimit të krishter (grekomanë), për të cilën problemi s’duhej trazuar më pas, se prishte harmoninë fetare e shoqërore në krahinë. Mund të ketë diçka të vërtetë edhe këtu,  por kurrsesi ky s’mund të merret si shkak i mbulimit, për arsye se pavarësisht largimit nga frika e të gjitha familjeve të krishtere panaritase drejt qyteteve, pas masakrës, në fshatrat fqinjë pati shumë prej tyre që qëndruan, sidomos në Treskë, Katund, e Stratobërdhë. Edhe në Trebickë qëndruan disa të tilla. Por këto (sikurse dhe më parë) kanë kaluar në një harmoni të përsosur bashkëjetese me vëllezërit e tyre myslimanë.