Tomorr Shasho / Koha i ka ndryshuar fytyrën, por jo shpirtin

Tomorr Shasho / Koha i ka ndryshuar fytyrën, por jo shpirtin

Nga Dimitër Shtëmbari

Publicist

 

Njerëzit përballen me shumë sfida në jetë, ka thënë shkrimtari i madh amerikan, Mark Tuen, por më e vështira është se si të mbeten njerëz.

Kjo më erdhi ndërmend teksa nisa të hedh këto shënime për mikun tim Tomorr Shasho, lindur në Bubullimë të Lushnjes, por me prejardhje familjare nga Skrapari, aktualisht me banim në Tiranë.

 

Po cili është Tomorr Shasho?

 

 

Rasti e kish sjellë që prindërit e tij, shpërngulur viteve dyzetë nga rrethi i Skraparit, të vendoseshin me banim në Bubullimë të rrethit të Lushnjës. Pikërisht në këtë fshat do të lindte Tomorri më 4 qershor të vitit 1944. Dhe do të rritej mes vështirësive të shumta të kohës.

 

 

Kur ende nuk i kishte mësuar t’i shqiptonte mirë emrat “babë” e “nënë”, i ndahet nga jeta i ati, Brahimi. Tashmë së ëmës, Hasimes do t’i mbeteshin rreth vetes pesë fëmijë, më i madhi tetë vjeç dhe më i vogli, Tomorri, vetëm dy vjeç.

 

 

Në vitin 1946, dy vjet mbas çlirimit, Hasimes do t’i duhej të rropatej gjithandej për të rritur fëmijët. Fukarallëk i madh në fshat, ca më shumë në familjen Shasho! Edhe pse i qe dhënë ca tokë nga Reforma Agrare, po kush do ta punonte?! Hasimes do t’i duhej të merrej me të vegjlit. Edhe këshilli popullor i fshatit s’e kishte të lehtë të ndihmonte. Sos ishin pesë a dhjetë familje që duheshin ndihmuar! Ishte më shumë se gjysma e fshatit! Se vendi sapo pat dalë nga lufta.

 

 

– Edhe pse kanë kaluar aq shumë dekada nga ajo kohë, – tregon Tomorri, – kujtoj dhe nuk do të harroj kurrë humanizmin e familjeve myzeqare të Themi e të Mit Mihalit. Ç’kishin vet, me ne e ndanin. Bukë e dhallë ata, bukë e dhallë edhe ne.

 

 

Dhe Tomorri nis e tregon nga ç’i kish treguar e ëma: Gratë e familjeve Mihali nuk i ndanin fëmijët e tyre nga ne të vegjlit e mbetur jetim. U treguan mëshirëmëdhenj. Miku i mirë herën e parë të shikon lotët, herën e dytë t’i fshin, ndërsa herën e tretë nuk të le të qash.

 

 

Edhe pse pa të afërm në Bubullimë, njerëz pa njerëz, të gjithë fshatarët vendas e respektonin familjen Shasho. E respektonin, sepse Brahimi – babaj i Tomorrit, nuk kishte qenë njëri si dokudo. Kishte pas qenë me armën krahut në Luftën e Vlorës. Ca më vonë, pjesëmarrës në Kryengritjen e Fierit. Mbas dështimit të saj, si mjaft të tjerë u dënua me burgim të përjetshëm.

 

 

Gjatë Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare, teksa ishte punonjës i policisë së Bashkisë në Lushnjë, bashkëpunonte fshehurazi me militantë antifashistë. Le të vazhdojmë me jetën me Tomorrin, personazhin e shkrimit tonë:

Tomorr Shasho shkollën fillore dhe atë shtatëvjeçare e kreu në vendlindje, në Bubullimë. Pak më pas vazhdoi studimet pedagogjike në Tiranë për t’u përgatitur mësues.

 

 

Sakaq edhe vëllaj – Fejziu, nisi t’i bëhej krah familjes, duke u futur në punë. Edhe motrat – Hajria, Dituria e Fadilja u nisën ndershëm në rrugën e mbarë të jetës.

 

 

Ndërkohë që shpresonte të emërohej mësues në Bubullimë apo në ndonjë fshat aty pranë, ndodhi ndryshe: Tomorri emërohet mësues në Hysgjokaj, një fshat kodrinor, në skajin e kundërt të rrethit.

 

 

-Të shkosh atje ku të kanë caktuar, – i qe drejtuar e ëma. – Ti mësove shkollë jo thjesht t’i shërbesh vetes, por edhe shoqërisë.

 

 

Së ëmës i fliste zemra.

 

Periudha që shërbeu mësues në fshatin Hysgjokaj i vlejti shumë. Për njohjen e jetës. Për njohjen e njerëzve. Për t’u bërë veprimtar shoqëror në shërbim të komunitetit. Nuk kishte shumë nevojë t’i bënin propagandë Tomorrit. Njeriu i zgjuar dëgjon një fjalë dhe kupton dy. Kupton dy dhe zbaton tre.

 

 

Teksa ishte përfshirë në magjinë e profesionit të mësimdhënësit e të edukatorit, thirret për të kryer shërbimin ushtarak. Dërgohet në një repart ushtarak diku në qytetin e Korçës.

 

 

Mbas dy vjetësh kthehet prej shërbimit ushtarak dhe emërohet mësues, por kësaj here në skajin tjetër të rrethit të Lushnjës: në Kryekuq. “Mos kërko të lëvizësh nga fshati ku të kanë caktuar”, – i pat thënë sërish e ëma. E dëgjoi dhe iu bind. Fjala e ngrohtë e nënës vlen më shumë se sa njëqind këshilla mësuesish.

 

 

Pesë vjet në shkollën tetëvjeçare të Kryekuqit. Rasti e solli të njihej e të dashurohej me Serijen, vajzë nga një fshat i Skraparit, dhe të martohej me të. Edhe kjo mësuese.

 

 

Në shtator të vitit 1971 Tomorr Shasho shkoi me banim në Çorovodë. I pajisur me përvojë të mjaftueshme pedagogjike, caktohet Udhëheqës i Pionierëve të rrethit. Fëmijët, por jo vetëm këta, nga kjo kohë e në vazhdim do ta thërrisnin “udhëheqës”. Kështu, në Shtëpinë e pionierit, po kështu edhe në shkolla e në rrugë. Madje, edhe sot e kësaj dite, kur vjen fjala për të folur për Tomorrin, menjëherë do të dëgjosh të të thonë: bëni fjalë për atë udhëheqësin? Dhe, e shqiptuar kështu, kjo fjalë ta orienton mendimin pikërisht te Tomorri.

 

 

Vitet do të shkonin dhe Tomorri do të shërbente mësues, përgjegjës shtëpie kulture e deri ekonomist në sektorin ekonomik të Arsimit të rrethit.

Teksa kryente kësi detyrash, do ta zinte viti 1991, kohë kur do të ndodhte ndryshimi rrënjësor ekonomiko – politik i vendit.

 

I ardhur në Tiranë, mbas mjaft përpjekjeve të dështuara për t’u sistemuar gjetiu si mësues, Tomorri detyrohet të merrej me një tregti të vogël.

 

Bashkëshortja, Serija, ish nëpunëse në Komitetin Ekzekutiv të KP të rrethit të Skraparit, tashmë do të ishte mësuese në një nga shkollat e kryeqytetit.

Kur i doli llotaria për të shkuar me banim në Amerikë, Tomorri ndihej i dyzuar. Donte ta vazhdonte jetën në atdheun e vet, por … nuk mund të mos merrte parasysh edhe dëshirën e fëmijëve të vet. Amerika mbetet një ëndërr e ndezur për çdo shqiptar.

 

 

– Banova rreth tetë vjet në Boston, – na thotë Tomorri, – por, përse të të mos jua them: qëndroja si mbi një urë që lidhte brigjet e Amerikës me ato të Shqipërisë. Në njërën anë të urës – pjesëtarët e familjes në Amerikë, në anën tjetër –  miqtë dhe shokët e mi në Skrapar e në Myzeqe.

 

 

Aty nga viti 2016 kthehet përgjithmonë në Tiranë.

 

Bashkëshortët Shasho kanë fëmijë të mbarë. Djali – Arbeni, mbas mbarimit të fakultetit të inxhinierisë mekanike në Tiranë, doktoraturën e siguroi në Japoni. Dhe tani ka një post të lartë në një kompani të fuqishme amerikano – australiane. Ndërsa vajza – Blerina, ka mbaruar për mjeke në Amerikë, atje e specializuar për sëmundjet e zemrës.

 

 

– Ç’bëj unë? Unë tërë ditën lexoj, shikoj televizorin dhe shkruaj, – na thotë Tomorri.

 

 

Dhe shton:

– Të na rrojnë gratë, sepse pa to nuk do ta kishim të lehtë.

Si jo shumë të tjerë, Tomorrin e Serijen i shikon kudo së bashku.

Veç se shume aktiv në rrjetet sociale, Tomorri është autor i dy librave me material interesant. Ndërkohë, ka për botim edhe dy libra të tjerë.

 

 

Më 4 qershor 2023 skraparliu nga Bubullima e Lushnjes mbush plot 79 vjet. Urime!

 

 

Koha i ka ndryshuar fytyrën Tomorrit, por kurrsesi shpirtin.