Memo-histori: Mësuesi i talentuar, Flamur Spahiu nga Nishica, dhe miqësia e tij me shkrimtarin Petro Marko

Memo-histori: Mësuesi i talentuar, Flamur Spahiu nga Nishica, dhe miqësia e tij me shkrimtarin Petro Marko

Flamur Spahiu i përket brezit të vjetër të mësuesve në Skrapar, atij brezi që ka bërë një punë të jashtëzakonshme në shkollimin e fëmijëve, por edhe që ka ndikuar ndjeshëm në gjallërimin e jetës social-kulturore në fshat në vitet esocializmit.

Karriera e Flamurit, si karriera e gjithë mësuesve, nuk është  shumë interesante, sepse ajo është e lidhur thjesht me profesionin, si sot, si nesër mësuesesi mbetet mësues në dukje, por ai lartësohet nga brenda vetes, nga ajo çka bërë, çka “prodhuar”, që reflektohet dhe gjendet e materializuar te brezat e nxënësve që ai ka kaluar nëpër duar.

 

Jeta e Flamur Spahiut si mësuses zë fill që nga ëndrrat e tij, kur në vitet 1949-50 të shekullit të kaluar, udhëtonte dy orë larg vetëm, nga Nishica për në qytet për të bërë klasën e pestë, që atë vit ishte hapur edhe në Çorovodë.

 

Në vitin 1951 shkon në Durrës në një shkollë pedagogjike me bazë filloreje dhe më pas në Tiranë. Pasi mbaroi të mesmen ai punoi gjatë si mësues i shkollës fillore. Më pas ai mbaron studimet e larta me korrespondencë për Gjuhë – Letërsi në Universitetin e Tiranës. Mbahet mend puna e tij si aktivist shoqëror. Grupi artistik  dhe skuadra e futbollit të Veleshnjes që drejtoheshin nga Flamuri ishin më të mirat në rreth dhe nuk e ndërprenë veprimtarinë deri në fund, në vitet 1990.

Por Flamur Spahiu, veç si mësues dhe veprimtar shoqëror, ishte edhe një studiues i pasionuar i pasurisë gojore të popullit, një pjesë e punimeve të të tij ndodhen në arkivat e Institutit të Folklorit.

 

Megjithëse punoi deri sa doli në pension, ai është dekoruar vetëm një herë, që në vitin 1960, si mësuesi më i mirë i rrethit të Skraparit.

 

Pas viteve ’90 u transferua në Tiranë, ku edhe ndërroi jetë, ashtu qetë e qetë siç ishte karakteri i tij, duke lënë pas kujtimin e një njeriu të mirë, me vlera të rralla njerëzore.

 

Në shenjë homazhi dhe nderimi për Të, po sjell më posht një  një material që ndodhet në arkivin tim, një shkrim të tij të botuar në gazetën “Dielli i Tomorrit”, kur unë kam qenë kryeredaktor i kësaj gazete.

 

Shkrimi bën fjalë për miqësinë që ka patur Flamuri me shkrimtarin e mirënjohur, Petro Marko.

Z. Hoxha

 

 

 

 

 

Petro Marko në shënimet e mia

 

Flamur Spahiu

 

Shkrimtarin e shquar, Petro Markon e kam patur mësues në shkollën pedagogjike të Tiranës. Mua më donte shumë se mësoja, por të gjithëve ne nxënësve të Skraparit na  kishte, siç thoshte vetë, në “xhep të veçantë”. Si nipër të Riza Cerovës, Zylyftar Veleshnjes, Mane Nishovës, me të cilët kishte patur miqësi dhe i kishte patur në krahë në ditë shumë më të vështira.

Por kishte edhe një arsye tjetër që ai na donte dhe na mbante afër, shpirtit të tij të ndjeshëm i vinte keq për ne, se ishim më fukarenjtë e shkollës, por edhe më të mirët në mësime. Ai ngeli mik me të gjithë nxënësit e tij dhe sa herë vinte në Skrapar i takonte dhe rrinte gjatë me ta.

 

Tek unë kishte ardhur disa herë në shtëpi. Në vitin 1972 ai erdhi për të grumbulluar të dhëna për një film dokumentar për Heroin e Popullit Riza Cerova. Ishte me Donikën, të shoqen e Tomorr Cerovës, të birit të Heroit dhe rrugën nga Çorovoda në Nishicë e kishin bërë në këmbë.

 

Erdhën tek unë në orën e mësimit. Kisha histori. Në fund të orës së mësimit, Petroja u tha nxënësve: “E dini ju se unë mësuesin tuaj e kam patur nxënës si ju. Ka qenë nxënës i shkëlqyer, mësoni si ai”!

…Edhe Donikës, që ishte edhe vetë mësuese, i pëlqeu ora e mësimit.

 

Pasi dolëm jashtë para shkollës, u ulëm në ca stola nën hijen e mollëve. Ndërsa Donika do të ikte përsëri, Petroja do të rrinte tri ditë këtej.

 

Bëmë planin se si do ta organizonim punën. Në radhë të parë do të shkonim në Cerovë, ku shtëpitë e Rizait po bëheshin muzeum dhe ku punonte Bardhyl Ylli dhe një piktor nga Berati. Pastaj do të bënim takime me të moshaur për të mbledhur të dhëna,

 

Si mbaruam këto punë do të shkonim në shtëpi, ku kisha vetëm nënën me fëmijët, pasi gruaja ime ishte shtruar urgjent në spital.

 

Për të pritur mikun, për të gatuar dhe për të bërë muhabet, mora mësueset e shkollës, dy nga Vlora dhe dy nga Gjirokastra. Petrua ishte përgatitur që në qytet, u kishte marrë fëmijëve dhurata kokë më kokë, ai e dinte që unë kisha shumë fëmijë dhe kishte harxhuar goxha.

 

Darkën e kaluam disi mirë, me dolli e me muhabet. Them disi mirë, sepse mua më erdhi haberi nga qyteti se ime shoq nuk ishte mirë. Petroja u merakos shumë dhe rrinte e rrinte dhe atje e çonte mendjenatje.  

 

Të nesërmen në mëngjes, pasi na bëri një fotografi me gjthë fëmijët në avlli të shtëpisë, ku mungonin gruaja dhe çupa ime, se nuk gjente dot sandalet(!), u nisëm për poshtë, në qytet.

Ndaluam në një arë ku po lëronin fshatarët, Petrua u ul me ta dhe u dha të gjithëve nga një cigare, për vete drodhi duhan kutije që ia dhanë ata më përpara.

Këtë çast unë e ka fiksuar me aparatin e Petros. Doli një foto shumë e bukur, të cilën unë e zmadhova dhe për shumë kohë ishte në faqen e murit ballor të muzeut të fshatit. Hajde gjeje tani atë foto!…

 

 

Pas disa ditësh Ptroja më dërgoi haber për të shkuar në qytet. Pasi pimë një kafe të Verori, bashkë me një grup xhirimi të Kinostudios, që kryesohej nga regjisori Endri Keko u nisëm me një gaz kinez nga Vëndresha për në Cerovë, ku do të bëhej dokumentari.

 

Pasi mbaruam punë, fshatarët e Cerovës bënë një drekë të mirë me mish të pjekur në hell. Në fund të muhabetit Endri mblodhi me gazetë ngjysmë shpatulle qengji qe i kishtte ngelur dhe po e fuste në çantë.

“Ç’e do”- i tha Petroja.

“Do t’ua çoj atyre shokëve të mi në Tiranë, t’u them, si të pret Skrapari, se nuk e besonin kur erdha radhën e parë”.

“Bobo, hidhet një fshatar, që e dëgjoi muhabetin, na turpërove, pse kocka do të çosh ti në Tiranë”?!…

 

Dhe u ngrit me vrap, solli një gjysmë gjëngji të paprerë, një ashkë koke dhe një litroshe raki. Se ku gjetën një zhake pëlhure të pastër dhe i futën atje.

 

“Ne e kemi zakon që u japim bukë me vete miqve – u tha fshatari – këto janë taksur për ju, ndaç i hani, ndaç ua lini atyre shokëve që kini vënë bast”!

 

Petroja dhe Endri qeshën dhe vajtën i hodhën duart në qafë fshatarit.