Rubrika “Nëpër Skrapar, guidë historike dhe etno-kulturore”: Slatinja

Rubrika “Nëpër Skrapar, guidë historike dhe etno-kulturore”: Slatinja

Shënimi i botuesit të “Orakujve…”

 

Siç kemi njoftuar edhe më parë, kjo do të jetë një rubrikë periodike në të cilën lexuesi do të gjejë shkrime për zona, fshatra, vende historike, turistike, me monumente natyrore, kulturore, me objekte të veçanta, që nuk duhen lënë pa u parë dhe pa u njohur nga të gjithë, veçanërisht nga të rinjtë e larguar herët nga vendlindja, por edhe nga turistët dhe udhëtarët që u bie të kalojnë nëpër këto zona.

 

“Orakujt…” kanë një projekt të veçantë për këtë rubrikë, por, për realizimin e këtij projekti, veç punës tonë, kërkohet ndihma dhe bashkëpunimi me të gjithë ndjekësit dhe lexuesit tanë të nderuar dhe të respektuar.

 

Ndaj, iu lutemi, na shkruani për vendlindjen tuaj, për gjërat më të veçanta që ka zona dhe fshati juaj, për vlerat e spikatura të trashëgimisë sonë kulturore, që të mos harrohen dhe groposen bashkë me ne, por t’u shërbejnë brezave që vijnë, që sot, në këtë zallamahi politike, sociale dhe kulturore e kanë të vështirë të orientohen atje ku duhet dhe si duhet.

 

Bashkëpunoni me ne, le të bëjmë ne tonën, pa ata janë të lirë të zgjedhin!

 

Faleminderit për mirëkuptimin!

 

 

S L A T I N J A

 Slatinja ndodhet  rreth 5 km në jug-perëndim të Çorovodës, një fshat punëtor, i pastër, me njerëz që ruajnë zakonet dhe traditat e të parëve, të këndshëm në muhabete dhe shumë mikpritës.

 

Edhe pse, si lagje e qytetit, nuk pati ndonjë privilegj të madh në kohën e socializmit, të bëhej fermë bujqësore, se kishte plot resurse e mundësi të tilla, për vreshta, pemtore, stalla blegtorie, por mbeti ashtu siç ishte, pjesë periferike e kooperativës bujqësore të Grepckës.

Tani një pjesë e mirë e fshatit ka ikur nëpër qytete, në Çorovodë dhe Tiranë. Ata që kanë ngelur i janë përveshur punës, duke shtuar sasinë e vreshtave dhe pemtoreve, pasi edhe tregun e kanë afër.

 

Gjëja e veçantë që ka ky fshat, në krahasim me të tjerët, është se në qendër të tij ka objekte arkeologjike me interes për t’u vizituar nga turistët dhe udhëtarët kuriozë.

Nëse të bie rruga në Çorovodë, pasi ke vizituar objekte me interes të këtij qyteti, si natyrore, kulturore, por edhe ato historike, të del koha të bësh edhe një vizitë në Slatinjë, 5 km larg më këmbë, mes hijeshisë dhe bukurisë të këtij fshati, mes gjelbërimit në verë, dhe një koloriti marramendës në dimër, por edhe në objektet historike të këtij fshati, unikale në Shqipëri, Banjat Turke.

 

 

Banjat (Hamamet turke) të Slatinjës

 

Aty ndodhen rrënojat mesjetare të Banjave (Hamameve) Turke, që datojnë përgjatë otoman. Ato janë ndërtuar për të plotësuar nevojat e jetës mesjetare. Studiuesit mendojnë se këto banja janë të vetmet në llojin e tyre, jo vetëm në Skrapar por në të gjithë vëndin.

Koha dhe transformimet e mëdha e të vazhdueshme të qendrave të banuara kanë bërë që këto objekte të ruhen të dëmtuara dhe të transfrmuar.

 

Banjat e Slatinjës janë në qendër të fshatit, ngjitur me xhaminë, edhe ajo e rrënuar si banjat.

Slatinja ndodhet shumë afër, posht Kalasë së Gjenevizit (Skraparit). Këtë kala e ka vizituar edhe Evlia Çelebiu. Ai e quan një fortesë ushtarake. Ka gjasa që në Slatinjë të ketë qenë një garnizon ushtarak me ushtarë dhe oficerë orientalë, që e kishin si zakon dhe rit latjen në banjat me avull. Këtu vinin edhe efektivët e Kalasë.

Përbëhej prej katër ambientesh që formojnë një kompozicion panimetrik simetrik ndaj aksit gjatësor.

 

Ambienti i xhveshjes me gjerësi sa vetë ndërtesa mbulohej me qemer cilindrik dhe ishte i suvatuar i tëri nga brenda me llaç e shamot. Brenda tij nga e djathta ishin përshtatur dy nyje sanitare.

Dy volume të njëjta njëri bri tjetrit , përbëjnë ambientet e banjos, që mbulohen me kupola sferike të realizuara me tulla. Ambienti i majtë komunikon me sterën e ujit që mbulohet me qemer cilindrik

Në këtë banjë të rrënuar nuk ruhet asnjë  pajisje e veçantë e saj.

 

Siç thamë edhe më sipër, kjo është banjë është e vetmja e llojit të saj jo vetëm në Skrapar, por edhe në të gjithë Shqipërinë (Z.H).