Memo-Histori: Vlusha jonë, “Borova e Skraparit”
Aurora Ajdini
Vlusha, fshati i gjyshërve të mi, si asnjë fshat tjetër në Skrapar, ka përjetuar disa ngjarje të mëdha gjatë dy luftërave botërore, të Parës dhe të Dytës, po ngjarja më e dhimbshme ka qenë masakra që bëri gjermani më 14 janar të vitit 1944, ku u pushkatuan në sy të grave e të fëmijëve 22 fshatarë të pafajshëm.
Që në mbrëmjen e13 janarit gjermanët kishin mbledhur të gjithë burrat që gjeti, në shtëpinë e Tefik Hajdinit. Aty i mbajti gjithë natën.
Të nesërmen në mëngjes, gjermanët i nxirrnin burrat dy e nga dy dhe i pushkatonin buzë një përroi, 300-400 m larg shtëpisë ku i kishin mbajtur gjithë natën.
Pas asaj gjëme të madhe dhe të paparë, mbërritën gratë, të cilat u përleshën me gjermanët për të ngritur njerëzit e tyre.
Këto vargje janë shkëputur nga një poezi e Luman Cakës, kushtuar njëzet e dy burrave të Vlushës, midis tyre dhe gjyshit tim, që u ekzekutuan nga pushtuesi gjerman në mes të fshatit.
Vlusha jonë “Borovë”, Skrapari,
Ndeze yjet prag më prag,
Tek çan qiellin lapidari,
Vulos lirinë gjak!