Në 50-vjetorin e rënies / Si mund të harrohen heronj të tillë si Kapllan Dyrmishi?!…

Në 50-vjetorin e rënies / Si mund të harrohen heronj të tillë si Kapllan Dyrmishi?!…

Zylyftar Hoxha

 

Ka qenë një nga ngjarjet më të dhimbshme në Skrapar, ajo e 21 majit të vitit 1973, kur ka ndodhur një nga tragjeditë dhe aksidentet më të rënda  me katër humbje jete, Kapllan Dyrmishi, drejtor i Ndërmarrjes së Ujëra Bonifikimeve; Bexhet Hasanaj, shef i llogarisë; Xhelal Jahjaj, shofer dhe Bashkim Pelivani, punëtor i kësaj ndërmarrjeje ranë në krye të detyrës duke shkuar në një nga kantjeret në zonën e Çepanit.

 

Tragjedia

 

Duke kaluar urën e Lapanit, mbi kanionet e Osumit, ura nga amortizimi dhe pesha e kamionit këputet dhe makina e mbushur me tuba hekuri bie në humnerë.

 

Këputet ura, por këputen edhe katër jetë njerëzish, relativisht të rinj, më i vogli 18 dhe më i madhi 45 vjeç, këputen zemrat e familjarëve dhe i bashkëqytetarëve, duke lënë pas gjurmë të thella dhe të pashlyeshme edhe pse kanë kaluar 50 vjet që atëhere.

 

Në këtë shkrim do të flasim vetëm për njërin prej tyre, Kapllan Dyrmishin:

 

Kush ishte Kapllan Dyrmishi

 

Kapllan Dyrmishi u lind në fshatin Koprënckë të Skraparit në vitin 1928 në një familje të madhe dhe të njohur për vlerat morale atdhetare, me breza burrash me kontribute në ngjarjet më të mëdha historike të Shqipërisë që nga Rilindja e këtej.  Por më të spikatura këto kontribute kanë qenë gjatë Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare, kur shtëpia e tij u bë bazë e kësaj Lufte dhe vëllezërit e tjerë, Selimi, Fadili dhe Izeti  u radhitën në formacionet partizane.

 

Edhe pjesëtarët e tjerë të familjes, Kapllani, Bikja, Skënderi, Zymbylja, Saltoja, duke ecur në gjurmët e të parëve në të gjithë jetën dhe veprimtarinë e tyre, shpalosën  vlerat më të mira morale dhe patriotike të familjes Dyrmishi.

 

Shkollën fillore e Kapllani e bëri në Leshnje te disa miq të familjes së tij. Pas çlirimit kreu shërbimin e detyrueshëm ushtarak. Gjatë këtij shërbimi atij i qëlloi të ndjejë erën e luftës dhe vringllimat e plumbave pranë veshit. Ishte pjesë e njësive të ushtrisë shqiptare në luftë kundër monarko-fashistëve grekë në provokoacionin e gushtit 1949.

I edukuar dhe i formuar nga ky mjedis me frymë atdhetare, Kapllani, në vitet e para të pas çlirimit u dallua si një aktivist shoqëror, sidomos në punën me Rininë, gjatë shërbimit ushtarak dhe në aksionet vullnetare kombatare që zhvilloheshin në atë kohë.

 

Pas ushtrisë punoi në administratën publike në Çorovodë si referent, duke lënë gjurmë të thella me punën e tij të përkushtuar. Për aftësitë e tij drejtuese dhe orgnizuese, ra në sy të autoriteteve lokale, të cilët e dërguan në shkollën e e Partisë.

 

Pas shkollës ka punuar si instruktor në Komitetin e Partisë. Në vitin 1957, me çeljen e Fakultetit Ekonomik të Universitetit të Tiranës, rregjistrohet aty dhe aty dhe e mbaron atë me nota shumë të mira.

 

Pas mbarimit të studimeve, emërohet shef i Seksioni në Komitetin Ekzekutiv të Rrethit Skrapar, kryetar i koopertativës Zaloshnje, drejtor i Ndërmarrjes së Ndërtimit, të quajtur në atë kohë NSHN dhe më pas drejtor i Ndërmarrjes së Ujëra Bonifikimeve, një ndërmarrje e re që u krijua në vitet ’70 të shekullit të kaluar.

 

Një talent i vërtetë drejtimi dhe organizimi punësh

 

Nuk ka vepër ujore, rezervuarë dhe kanale ujitës në Skrapar të mos ketë dorën dhe mendjen e Kapllanit. Ai u rrinte në kokë punëve, nuk dinte ditë dhe orë pushimi.

 

Kush ka punuar me Kapllanin, kuadër apo punëtor i thjeshtë, ka gjetur te ai mikun, shokun, vëllanë, prindin e dashur dhe të gjendur në çdo hall e vështirësi.

 

Ai ishte sa inteligjent, sa kërkues dhe sa serioz në punë, aq edhe human, aq i hapur, aq i dashur dhe aq i këndshëm në marrëdhëniet me njerëzit, e drejtimit dhe të organizimit. Një talent i vërtet.

 

Këto veti dhe cilësi ia njihnin edhe kolegët lartë në dikaster në ministri, ndaj ata i kishin projektuar një post drejtues në Ministrinë e Ndërtimit, po vdekja e ndau atë jo vetëm nga posti, por edhe nga jeta.

 

Kapllani kishte edhe një veti  tjetër të lindur: humorin e hollë dashamirës me miqtë dhe sarkazmën therëse dhe dërmuese me kundërshtarët dhe keqbërësit. Anekdotat dhe sentencat e humorit të tij tregohen edhe sot gojë më gojë në Skrapar.

 

 

Vlerësimi

 

Ishin këto virtyte dhe vlera të larta njerëzore që e bënë atë një nga qytetarët më në zë të asaj kohe të Çorovodës.

 

Ishin po këto virtyte dhe vlera të larta njerëzore të tij, që vërtet nuk u vlerësuan ashtu si duhet nga instancat shtetërore me titujt e nderit të asaj kohe, por që u vlerësuan nga të gjithë ata që e kanë njohur në Skrapar dhe më gjerë me respektin dhe veneracionin më të lartë, si atë dhe shokët e tij të të njëjtit fat, Bexhet Hasanajn, Xhela Jahjajnë dhe Bashkim Pelivanin.

 

Ishte një merak i ligjshëm, një dëshirë e pa plotësuar e gjithë popullit të Skraparit, që ajo që kishte munguar, u bë pas plot 30 vjetësh, në maj të viti 2003, kur Komisioni Qëndror i Statusit, “Dëshmorët e Atdheut” me vendim Nr 9, dt. 20.05.2003 i njohu Kapllan Dyrmishit, Statusin “Dëshmor i Atdheut – rënë në krye të detyrës”.

 

Fëmijët, në gjurmë të të atit

 

Një njeri i rregullt, familjar shembullor dhe i përkushtuar ndaj fëmijëve të vetë, nuk e lë shtëpinë e tij në mëshirë të fatit edhe pse nuk jeton më. Ai kishte investuar që në gjallje përkushtim, mund e dashuri për këtë familje, ndaj dhe bashkëshortja, Sabrija dhe fëmijët e tij, Ylli, Agroni, Lola, Astriti ndjenë mungesën fizike dhe shpirtërore të shtyllës së shtëpisë, por jo hallet dhe problemet, sepse ai i kishte mësuar se si t’i kalonin ato.

 

Me sakrificat  dhe dashurinë prej nëne të Sabrijes, por edhe të punës së tyre, ata u rritën, u shkolluan, krijuan familjet e tyre dhe jetojnë me nder dhe dinjitet me një plus më shumë, me emrin e Kapllan Dyrmishit, që, kush e dëgjon, ngrihet në këmbë në shenjë nderimi.